Seneka 2026: Një planetarium i letërsisë, dijes, artit dhe humanizmit
Prend BUZHALA
Në Bari të Italisë, në ambientet e Sala delle Scuderie, brenda Castello Normanno-Svevo, në Sannicandro di Bari, u zhvilluan disa veprimtari të AKADEMISË SË ARTEVE DHE SHKENCAVE FILOZOFIKE, Qendër akademike ndërkombëtare e krijimit të lirë të mendimit për studimin dhe formimin në gjuhën filozofike e artistike dhe për mësimdhënien e shkencave, letërsisë dhe arteve bashkëkohore. Veprimtaritë përkuan në shenjë të 10-vjetorit të formimit të çmimi „Seneca“ ka arritur në edicionin e tij të dhjetë më 2026.
Kishte qindra pjesëmarrës nga dhjetëra shtete që kishin ardhur prej katër anëve të botës, të cilëve organizatori iu ndau çmime të ndryshme nga disa fusha. Ishte më tepër se sa një ceremoni e zakonshme e ndarjes së çmimeve letrare.:. u shfaq si një manifestim ndërkombëtar shumëdisiplinor, ku u ndërthurën letërsia, arti, kultura, shkenca, filozofia, bamirësia dhe veprimtaritë për paqen.
E quajta PLANETARIUM edhe sipas një fjalie (një si moto që e thashë aty për aty, kur i pranova vlerësimet): “Sonte, të gjithë ne që jemi mbledhur këtu, flasim një gjuhë të përbashkët: gjuhën e artit, të kulturës, të dijes dhe të letërsisë; gjuhën e letërsisë si atdhe të përbashkët të njerëzimit..”
E, pra, është gjuha që kapërcen kufijtë, bashkon përvojat njerëzore dhe e shndërron letërsinë në atdheun e përbashkët të njerëzimit.
Ceremonia e edicionit të dhjetë të Çmimit Akademik Ndërkombëtar të Letërsisë Bashkëkohore „Lucius Annaeus Seneca“, e zhvilluar më 24 tetor 2026 në Sannicandro di Bari të Italisë, përfaqëson një manifestim që i kapërcen kufijtë e një gare të zakonshme letrare. Nga shtrirja e kategorive të çmimeve dhe nga shumëllojshmëria e fushave të përfshira, ky organizim paraqitet si një hapësirë e gjerë takimi ndërkombëtar, ku fjala artistike, mendimi filozofik, kërkimi shkencor, krijimtaria letrare dhe idealet e paqes e të solidaritetit gjejnë një pikë të përbashkët referimi.
1. DY NDERIME QË MË PREKIN NË RRUGËTIMIN TIM LETRAR:
NJË BEFASI E PAHARRUAR NË JETËN TIME KRIJUESE
Kisha nderin që të nderohem dyfish: me vlerësimin VULA AKADEMIKE PËR LETËRSINË dhe (që ishte befasi e jashtëzakonshme për mua):
të jem AKADEMIK NDERI i AKADEMISË SË ARTEVE DHE SHKENCAVE FILOZOFIKE (ACCADEMICO AD HONOREM).
Këtu po i paraqes tekstet e plota shqip:
SENATI AKADEMIK
I AKADEMISË SË ARTEVE DHE SHKENCAVE FILOZOFIKE
Qendër akademike ndërkombëtare e krijimit të lirë të mendimit për studimin dhe formimin në gjuhën filozofike e artistike dhe për mësimdhënien e letërsisë, shkencave dhe arteve bashkëkohore
i jep profesorit
PREND BUZHALA
VULËN AKADEMIKE PËR LETËRSINË
Në shenjë njohjeje për vlerën e veprës së tij dhe dëshminë intelektuale e morale, si dhe për kontributin e çmuar dhe afatgjatë në letërsinë bashkëkohore shqiptare, përmes një krijimtarie të gjerë e me autoritet në poezi, prozë, eseistikë dhe kritikë, e cila ndërthur rreptësinë intelektuale, thellësinë njerëzore dhe angazhimin qytetar.
Për vënien e fjalës letrare në shërbim të kujtesës, lirisë, dinjitetit të popujve dhe mbrojtjes së identitetit kulturor, duke përballuar me guxim dhe qëndrueshmëri edhe sprovat e përndjekjes, censurës dhe represionit politik.
Për punën e vazhdueshme në promovimin e kulturës, arsimit dhe dialogut ndërmjet realiteteve të ndryshme të botës shqiptare dhe evropiane, si dhe për veprimtarinë e dendur si shkrimtar, kritik, gazetar, edukator dhe nxitës i jetës kulturore, të ushtruar me përkushtim shembullor për më shumë se gjysmë shekulli.
Kancelarja
Dr. Laura Pavia
Prorektori në detyrë
Akademik Dr. Mssimo Massa, DHC Sannicandro di Bari, 24 tetor 2026
Kështjella Normano-Shvabe
Viti i Zotit 2026
AKADEMIA E ARTEVE DHE SHKENCAVE FILOZOFIKE
Qendër akademike ndërkombëtare e krijimit të lirë të mendimit për studimin dhe formimin në gjuhën filozofike e artistike dhe për mësimdhënien e shkencave, letërsisë dhe arteve bashkëkohore.
SENATI AKADEMIK
Në mbledhjen plenare të 30 shtatorit 2026, duke marrë parasysh prestigjin dhe shtysën e mëtejshme që ky emërim do t’i japë veprimtarisë dhe qëllimeve të Akademisë, sipas gjykimit të tij përfundimtar, i jep solemnisht
PROF. PREND BUZHALA
titullin e nderit
AKADEMIK NDERI
(ACCADEMICO AD HONOREM)
Në dëshmi të sa më sipër, lëshohet kjo diplomë, e nënshkruar dhe e pajisur me vulën e Akademisë. Kancelarja ka regjistruar emrin e tij në regjistrin e Akademisë me numrin 91/26, më 30 shtator 2026, në Bari.
Kancelarja
Dr. Laura Pavia
Prorektori në detyrë
Akademik Dr. Massimo Massa, DHC
“Urtësinë nuk mund ta dëmtojë asgjë; asnjë moshë nuk e shuan dhe asgjë nuk e pakëson.”
Seneka
Viti i Zotit 2026
Falënderime pa fund për: Massimo Massa, Laura Pavia, Maria Teresa Infante dhe për Meh Mehdi Krasniqin që bëri angazhim të jashtëlzakio nshmën në këtë drejtim.
2. KOSOVA NË KUVENDIN E KULTURAVE
Në këtë veprimtari të jashtëzakonshëm ndërkombëtare, vendin e vet e zinte edhe Kosova, e përfaqësuar nga katër pjesëmarrës. Prania e tyre merr kuptim të veçantë në kuadrin e një veprimtarie që bashkon autorë dhe personalitete nga vende të ndryshme, duke hapur shtigje për njohje të ndërsjellë, shkëmbim përvojash dhe komunikim përtej kufijve kombëtarë.
Për një vend me traditë të pasur poetike dhe me një histori në të cilën fjala letrare ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kulturor, pjesëmarrja në veprimtari të tilla krijon mundësi për ta vënë krijimtarinë vendëse në dialog me përvojat e tjera letrare e kulturore të botës.
Rëndësia e këtij përfaqësimi shtrihet te veprat e paraqitura, te vlerësimi kritik që ato marrin dhe te mundësitë për vazhdimin e komunikimit kulturor pas përfundimit të ceremonisë. Pikërisht këtu qëndron vlera e një takimi të tillë: në shndërrimin e çastit solemn në ura bashkëpunimi, në marrëdhënie të qëndrueshme kulturore dhe në hapësira të reja për dialogun letrar ndërmjet popujve.
Këta katër ojesëmarrës që u vleroduan, ishin: Mehdi Krasniqi, Valbona Hadri, Maxhun Osmanaj dhe P. Buzhala).
.Një çmim të rëndësishëm e me vlerë e mori Mehdi KRASNIQI:
ÇMIMI NDËRKOMBËTAR I POEZISË
“NË GJURMËT E LÉOPOLD SÉDAR SENGHOR”
EDICIONI XI. I nderuar më parë me Medaljen e Senatit të Republikës dhe të Dhomës së Deputetëve. Pas një vlerësimi të kujdesshëm, në bazë të meritave, Kryesia i jep titullin:
AMBASADOR I ÇMIMIT
“LÉOPOLD SÉDAR SENGHOR”
Dr. MEHDI KRASNIQIT
Milano, 9 maj 2026
Presidenti
Akademik, Prof. Cheikh Tidiane Gaye
AKADEMIA NDËRKOMBËTARE LÉOPOLD SÉDAR SENGHOR
Po ashtu, Mehdi Krasniqi mori edhe nhë vlerëlsim tjetër:
Urtësia është e vetmja liri
AKADEMIA E ARTEVE DHE E SHKENCAVE FILOZOFIKE
Çmimi Akademik Ndërkombëtar i Letërsisë Bashkëkohore
LUCIUS ANNAEUS SENECA
Edicioni X, 2026
Nën patronazhin e lartë të Parlamentit Evropian, Këshillit të Ministrave, Senatit të Republikës, Dhomës së Deputetëve, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Universiteteve dhe Kërkimit Shkencor, Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin të Selisë së Shenjtë, Rajonit të Pulias dhe Universitetit të Barit “Aldo Moro”.
Çmimi është nderuar me Medaljen e Dhomës së Deputetëve dhe të Senatit të Republikës.
CERTIFIKATË MERITE
I jepet
MEHDI KRASNIQIT
(Kosovë)
Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar, përkushtimin dhe profesionalizmin e dëshmuar në mbështetjen, promovimin dhe ngritjen e vlerave të Çmimit Seneka, duke kontribuar me përkushtim në forcimin e prestigjit dhe të dimensionit të tij kulturor e ndërkombëtar.
Presidenti i Çmimit
Dr. Massimo Massa, DHC
24 tetor 2026 – Kështjella Normano-Shvabe, Sannicandro di Bari
– VALBONA HADRI. Rezultatet zyrtare të kategorisë së poezisë së lirë për autorët nga jashtë Italisë përfshijnë Valbona Hadrin nga Prishtina, e cila u rendit e dyta me poezinë “Ngrohja që shenjtëron” e që u vlerësua me çmimin – Premio Accademico Internazionale di Letteratura Contemporanea “Seneca” Çmimi Akademik Ndërkombëtar i Letërsisë Bashkëkohore “Seneca”, Itali. Edicioni: X, Viti: 2026. Secondo classificato Sez. S – Poesia residenti estero
– MAXHUN OSMANAJ, Istog, përmendje nderi, me poezinë “S’kam kohë për urrejtje”
Vlerësim nderi
Motivacioni: Një lirikë thelbësore që pohon me qartësi epërsinë e dashurisë ndaj urrejtjes dhe mërisë. Teksti e shndërron kohën në një hapësirë morale dhe shpirtërore, të aftë të shërojë çarjet, të ndërtojë ura dhe të zgjojë shpirtrat e lënduar. Autori zgjedh rrugën e dashurisë si të vetmen përgjigje të mundshme ndaj errësirës së ekzistencës.
(Laura Pavia)
3. NËN SHENJËN E SENEKËS: LETËRSIA, FILOZOFIA DHE HUMANIZMI
Kishte, ndër qindra pjesëmarrës të vlerësuar me çmime, edhe autorë të nominuar me Çmimin Nobel.
Përse një çmim kushtuar Senekës? Organizatori shënon:
Ai ishte filozof, dramaturg dhe politikan romak (Kordubë, 4 p.e.s. – Romë, 65 e.s.)
Çmimi ka për qëllim të mbledhë dhe të vlerësojë krijimet letrare më të merituara, duke nxitur, njëkohësisht, reflektimin mbi aftësinë e jashtëzakonshme të Senekës për ta vështruar të ardhmen përmes një mendimi filozofik tejet aktual, sot më shumë se kurrë. Një mendim i tillë ishte në gjendje t’i parashikonte shumë herët kohët e reja dhe të hulumtonte shndërrimet e një shoqërie që po merrte gjithnjë e më shumë tiparet e një shoqërie komplekse.
Zgjedhja e Senekës si personalitet të cilit i është kushtuar ky çmim buron nga nevoja për t’i nxitur pjesëmarrësit të reflektojnë mbi çështje themelore të jetës, ose të paktën mbi ato çështje që duhet të jenë të tilla; mbi parime të domosdoshme, të panegociueshme, në rrugëtimin jetësor të çdo qenieje njerëzore.
Fjala është për prirjen për të dalluar të lejueshmen nga e palejueshmja, rendin nga çrregullimi, drejtësinë nga padrejtësia, të drejtën nga e gabuara; për të dalluar, gjithashtu, atë për të cilën ia vlen të jetohet nga ajo që krijon përshtypjen se na ndihmon të jetojmë, ndërkohë që, pak nga pak, në heshtje, na e zhvesh jetën nga vetë jeta.
Me këtë rast, të pranishmëve iu dhurua vëllimi i botuar enkas për dhjetëvjetorin e çmimit, i cili dokumenton veprimtaritë e zhvilluara gjatë kësaj periudhe.
Vetë struktura e çmimeve dëshmon për një konceptim të gjerë të kulturës. Poezia, përmbledhjet poetike, tregimi i shkurtër, artikulli gazetaresk, librat me poezi, veprat në prozë, esetë dhe studimet përbëjnë bërthamën letrare të kësaj veprimtarie. Krahas tyre, çmimet e posaçme dhe mirënjohjet akademike shtrihen drejt filozofisë bashkëkohore, humanizmit, drejtësisë, shkencës, qytetërimit, dialogut ndërkulturor dhe paqes.
Në këtë kuadër, letërsia shfaqet si një veprimtari e lidhur ngushtë me jetën, shoqërinë, historinë dhe përgjegjësinë morale të njeriut. Ajo e zgjeron hapësirën e librit, duke u bërë një formë e veçantë e njohjes së botës dhe e interpretimit të përvojës njerëzore. Në këtë këndvështrim, emri i Senekës merr domethënie të veçantë. Filozofi romak, i cili vuri në qendër të mendimit të vet raportin ndërmjet arsyes, virtytit, kohës, lirisë dhe qëndrueshmërisë shpirtërore, shërben si pikë referimi për një veprimtari që synon bashkimin e krijimtarisë me reflektimin mbi qenien njerëzore.
Edhe emërtimet e disa çmimeve, si „Ajo që Kaini nuk di“, „Për shkurtësinë e jetës“ dhe „Metamorfoza Krijuese“, hapin një hapësirë të pasur interpretimi simbolik. Ato e drejtojnë vëmendjen te marrëdhënia e artit me ndërgjegjen, dhunën, kalueshmërinë e ekzistencës dhe aftësinë e njeriut për ta shndërruar përvojën jetësore në krijimtari. Kështu, arti fiton njëkohësisht përmasën estetike, filozofike dhe etike.
Një element tjetër me rëndësi është larmia e formave të vlerësimit. Çmimi i Ekselencës i Universitetit „Aldo Moro“ të Barit, Çmimi i Senatit Akademik, Çmimi i Kryetarit të Jurisë, Çmimi „Qyteti i Barit“, si dhe vlerësimet për ekselencën ndërkombëtare përfaqësojnë nivele të ndryshme të njohjes së krijimtarisë dhe të veprimtarisë intelektuale.
Mirënjohjet për karrierën, studimet e shquara dhe kontributet në humanizëm, drejtësi, shkencë e dialog ndërkulturor e zgjerojnë më tej kuptimin e meritës. Vlerësimi përfshin këtu si veprën konkrete — një poezi, një tregim, një studim apo një libër —, ashtu edhe punën shumëvjeçare, përkushtimin intelektual dhe ndikimin e personalitetit krijues në jetën kulturore e shoqërore.
Veçanërisht domethënës është përfshirja e studentëve përmes kategorive të posaçme të poezisë dhe prozës. Kjo hapësirë e veçantë u jep brezave të rinj mundësinë të paraqesin krijimtarinë e tyre dhe të hyjnë në komunikim me botën letrare. Një kulturë që vlerëson autorët e afirmuar dhe njëkohësisht u hap dyert krijuesve të rinj, e sheh vazhdimësinë e mendimit si një proces të gjallë, ku përvoja dhe risia ndërthuren e pasurojnë njëra-tjetrën.
Kur një manifestim bashkon letërsinë, filozofinë, shkencën, gazetarinë, humanizmin dhe veprimtaritë për paqen, ai shpreh një vizion të gjerë të kulturës: dijen dhe artin si pjesë të së njëjtës përpjekje njerëzore për të kuptuar botën dhe për ta bërë jetën më të denjë.
Poezia na fton të dëgjojmë atë që mbetet e pathënë; filozofia na nxit të shqyrtojmë bindjet dhe të thellojmë pyetjet mbi ekzistencën; shkenca zgjeron horizontet e njohjes; gazetaria dëshmon për kohën dhe ngjarjet e saj; ndërsa humanizmi e vendos dinjitetin njerëzor në themel të çdo arritjeje.
4. LETËRSIA SI ATDHE I PËRBASHKËT I NJERËZIMIT
Edicioni i dhjetë i Çmimit „Lucius Annaeus Seneca“, me larminë e kategorive dhe me vlerësimet që shtrihen nga krijimtaria letrare te filozofia, shkenca, humanizmi dhe paqja, paraqet një konceptim shumëplanësh të jetës kulturore. Ai krijon mundësi që vepra individuale të kapërcejë hapësirën e vet fillestare dhe të hyjë në një mjedis më të gjerë komunikimi, ku përvojat, idetë dhe ndjeshmëritë e kulturave të ndryshme takohen e ndërveprojnë.
Në rruzullin tokësor, ku dallimet kulturore mund të shndërrohen në mure ndarëse, arti dhe dija ndërtojnë ura mirëkuptimi. Një poezi e shkruar në Kosovë, një ese e krijuar në Itali, një studim i botuar në një vend tjetër apo një vepër filozofike e lindur në një traditë tjetër gjuhësore, takohen në të njëjtën hapësirë të kërkimit njerëzor. Secila sjell zërin, kujtesën dhe përvojën e vet, ndërsa komunikimi mes tyre e pasuron kuptimin e përbashkët të botës.
Pikërisht këtu qëndron kuptimi më i thellë i një manifestimi të këtij lloji: te bashkimi i krijuesve dhe i mendimtarëve, te shkëmbimi i vlerave dhe te krijimi i një hapësire ku fjala, mendimi, arti dhe ndërgjegjja njerëzore komunikojnë përtej kufijve. Ceremonia bëhet kështu pikënisje për takime të reja, bashkëpunime kulturore dhe miqësi intelektuale, ndërsa letërsia shfaqet si një nga atdhetë më të gjera shpirtërore të njerëzimit. /2LONLINE/
