Selmani: Vendim i padrejtë për financimin e klubeve sportive të Gjilanit

/2L ONLINE/ – Propozim vendimi i kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, dërguar Kuvendit Komunal për miratim në seancën e radhës e cila mbahet më 26 maj, lidhur me subvencionimin e aktiviteteve të Shoqatave dhe Klubeve Sportive, është i padrejtë dhe diskriminues, thotë Fatbardha Selmani, anëtare e Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së.

“Ai kishte premtuar mbështetje financiare për të gjitha klubet sportive të Gjilanit, ndërsa tani kjo nuk po ndodhë. Dy klubet futbollistike e meritojnë këtë mbështetje financiare dhe pse nuk është e mjaftueshme, sikurse për klubin e basketbollit e volejbollit po ashtu. Por ku po mbeten edhe shumë e shumë klube të tjera sportive që ka sot Gjilani. Atyre nuk po u ofrohet asnjë lloj mbështetje financiare, bile as transporti i sportistëve nuk po u mundësohet për të marr pjesë nëpër garat kombëtare”, ka thënë Selmani.

Ajo ka shtuar tutje se PDK si opozitë, do të kërkojë që në seancën e Kuvendit Komunal, të mbështeten të gjitha klubet sportive nga buxheti komunal, varësisht prej mundësisë financiare, por nuk do të pranojë që të ndodhë ky diskriminim i plotë i sportit Gjilanas.

Pastaj, siç shprehet Selmani, nuk është e drejtë që komuna ti ndajë 5 mijë euro një shoqate , po ashtu 5 mijë euro të tjera prapë për një shoqate tjetër, ndërsa në anën tjetër mos ti ndahen as një mijë euro, shembull Shoqatës së Gruas “Iliria”, e cila kryen aktivitete jashtëzakonisht të rëndësishme dhe nevojshme për viktimat nga dhuna në familje. Edhe pse kjo shoqatë ka paraqitur projektin e saj dhe aktivitetet të cilat i kryen gjatë vitit ajo.

“Ne jemi që të mbështeten këto klube sportive dhe shoqata rinore, por gjithsesi në këtë vendim duhet të përfshihen edhe klubet tjera sportive, siç janë ato të futbollit, basketbollit, hendbollit, volejbollit, karates dhe kategorive të tjera. Por edhe disa shoqata të tjera që janë të rëndësishme për komunën e Gjilanit”, ka thënë Fatbardha Selmani e PDK-së.

Ajo tha se deri më tani shumë klube sportive nuk kanë përfituar asnjë subvencion nga qeverisja Haziri, ndërsa u janë ndarë nga 5 mijë euro kompanive të ndryshme private, të cilat merren me organizimin e manifestime të tyre private dhe biznesore, që nuk janë në agjendën e komunës, për t’u mbajtur si aktivitete kulturore.

“Vlerësojmë që komuna duhet të jetë më e përkushtuar dhe t’i hapë krahët e mirësisë edhe për shumë klube e shoqata të tjera dhe së paku të mbaj premtimin:, ka thënë Fatbardha Selmani, anëtare e Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/

KOMENTE