Selimi: Sërish ma djegën serën
/2L ONLINE/ – Ymer Selimi nga Zhegra e Gjilanit kurrqysh me e que deri në fund kultivimin e produkteve bujqësore në serën e tij, pa pasur telashe. Në gusht të vitit 2013 atij ia kishin djegur serën dhe tani edhe mbrëmë ai thotë se sera e tij ka pësuar dëme nga zjarri. Në të dyja raste Selimi pretendon se kemi të bëjmë me raste të qëllimshme të zjarrvënies.
Herën e parë, një shpërthim i fuqishëm i kishte zgjuar nga gjumi dhe ajo çfarë kishte parë pastaj, ishte se si zjarri ia kishte kapluar serën e tyre. Ndërsa, sot, Ymer Selimi ka sqaruar për Portalin 2L ONLINE, se kur ishte ngritur nga gjumi në ora 06 e 30 minuta, bashkë me bashkëshorten, kishin shkuar në serë për ta hapur e ajrosur atë dhe çfarë të shohin, sërish zjarri kishte bërë dëme, ndonëse më të pjesshme sesa herën e parë. Ai thotë se fatmirësisht duket se fakti që e kishin ujitur mirë, kishte pamundësuar që dëmet të ishin më të mëdha. Megjithatë ai thotë se dëmi i shkaktuar është i konsiderueshëm dhe shpreh dyshimin për zjarr të qëllimshëm edhe kësaj here, me qëllim të dëmtimit të pronës së tij dhe të ushtrimit të presionit ndaj tij dhe familjes së tij.
Selimi shprehet i zhgënjyer me mosveprim të institucioneve përkatëse për të zbardhur rastin e parë pasi pretendon se kjo ka lidhmëni dhe se sipas tij, nëse prolongohet zgjidhja e një problemi atëherë prodhohet problemi i ri. Ai thotë se ndonëse rasti i parë i djegies së serës kishte ndodhur në gusht të vitit 2013 deri më tani nuk është njoftuar asnjëherë me ecurinë e kësaj lënde.
Ai thotë të jetë në një kontest gjyqësor për pronë (ku ndodhet sera) dhe këtu edhe e zë fillin kjo problematikë. Si do qoftë ai thotë se edhe për rastin e dytë e ka njoftuar policinë e cila ka dal në vendngjarje dhe po merret me hetime.
E, policia e ka konfirmuar rastin. Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë për 2L ONLINE, se Policia e Zhegrës, me t’u informuar, ka dalë në vendngjarje dhe kanë marrë edhe deklaratën nga ankuesi. Duke iu referuar ankuesit, dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie, megjithatë policia është duke i bërë hetimet lidhur me këtë rast ku kemi të bëjmë me dëmtim të pjesshëm të një sere, ka thënë Hashani.
Përndryshe, Ymer Selimi thotë se pas djegies së parë të seres kishte pauzuar në pamundësi të investimit dhe kur tani me ndihmë të familjarëve kishte arritur ta ngrit sërish seren në këmbë, që sipas tij, është diku 5 me 14 metra, dhe ku ka të mbjella produkte, si speca, domate, kastravecë, pasul… sërish u ballafaqua me të njëjtin problem dhe këtë e ka përjetuar rëndë, aq më tepër pasi kemi përsëritje të aktit të djegies së seres.
Selimi, pret kësaj here nga policia por edhe prokuroria ta bëjë punën e saj dhe të pengohet tutje dëmtimi material i familjes së tij, por edhe ndalja e një presioni psikologjik, siç thotë ai, që po ushtrohet ndaj tij dhe familjes së tij me këto zjarrvënie që ai i konsideron të qëllimshme dhe me paramendim. /2L ONLINE/
Shih edhe shkrimin për rastin e parë: Ja djegin serën

