Selimi: PDK-LDK, si Barcelona të bashkohet me Realin
Zv/ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, njëherësh njëri nga anëtarët e PDK-së, Petrit Selimi, e sheh me interes për vendin bashkimin e PDK-së dhe LDK-së në një koalicion të ri qeverisës.
Petrit Selimi konsideron se koalicioni PDK-LDK është në të mirë të Kosovës dhe garës ndërkombëtare për zhvillim, njohje, integrime në BE dhe në NATO, pavarësisht se dikujt mund t’i duket se liga kosovare e politikës është bërë e mërzitshme me mungesë të opozitës. Nëse shihen resurset njerëzore të dy partive, sipas tij, del se bashkimi PDK-LDK është i ngjashëm sikur Barcelona të bashkohej me Realin.
Në një intervistë për Tribunën, ai shpreh bindjen se një koalicion që ka rreth 90 vota në Kuvend, do të jetë në gjendje t’i çojë përpara proceset integruese si dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim të vendit. Selimi e pranon se asnjëra palë s’e ka pasur të lehtë ta bëjë këtë koalicion, sikundër që asnjëra palë, sipas tij, nuk ka fituar maksimumin e kërkesave. Ai ka thënë se tri pozitat kryesore në resorët e shtetit do të qartësohen ditëve në vijim se nga kush do të barten. Selimi mendon se koalicioni PDK-LDK është shumë më i moralshëm se mishmashi i marrëveshjes VLAN. Fundja, sipas tij, politikanët nuk janë as imamë e as priftërinj.
http://gazetatribuna.com/pdk-ldk-si-barcelona-te-bashkohet-me-realin/
