Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka qëndruar në Londër dhe Paris ku ka takuar zyrtarë të lartë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Tema të bisedimit ishin anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), integrimet evropiane, lufta kundër ekstremizmit, transformimi i Forcës së Sigurimit të Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) si dhe agjenda e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Selimi ka takuar edhe delegacionet e 18 shteteve anëtare të UNESCO-s në kuadër të lobimit për anëtarësim dhe në prag të përmbylljes së procedurave formale të votimit në tetor dhe nëntor. Në Londër, zëvendësministri Selimi është takuar me ambasadoren Fiona McIlwham, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, si dhe shefin e deskut për Kosovën, ambasadorin Graham Styles. Gjatë këtyre takimeve, Selimi njoftoi palën britanike për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata dhe mekanizma multilateralë. Zyrtarët britanikë i kanë dhënë mbështetje të plotë Kosovës për anëtarësim në UNESCO, në proceset e rëndësishme të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe për transformimin e FSK-së në FAK. Selimi ka takuar në Londër edhe Richard Lindsey, Drejtorin e Depertamentit për Siguri në ministrinë e Jashtme britanike, Nishi Dholakia, Drejtor i njësitit për luftë kundër ekstremizmit pranë MPJ-së britanike, Katrina Burgess, shefe e komunikimit kundër ISIS në MPJ-në britanike. Në këto takime është diskutuar për kontributin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit, për projektet specifike të ministrive simotra në komunikim kundër propagandës ekstremiste dhe tema të tjera me interes në luftën globale kundër ISIS.
Zëvendësministri Selimi ka vazhduar takimet në Paris ku është takuar me Florence Mangin, Drejtoreshë për Evropën kontinentale në ministrinë e Jashtme franceze. Ambasadorja Mangin, si e sapoemëruar në krye të departamentit për Evropë në Quai d’Orsay, ka qenë e interesuar për zhvillimet e gjithëmbarshme në Kosovë dhe Ballkan me ç’rast ka uruar Kosovën për sukseset e arritura gjatë muajve të verës e që përfshinin përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe marrëveshjet në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel. Ambasadorja Mangin nënvizoi se Franca do të mbështesë fuqishëm Kosovën këtë vit në përpjekjet e saj për t’iu bashkuar UNESCO-s dhe organizatave të tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Në Paris, Selimi ka zhvilluar takime edhe me 18 delegacione të shteteve anëtare të UNESCO-s, duke përfshirë atë të SHBA-së, në kërkim të përkrahjes dhe votave për takimin e radhës të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s që do të mblidhet në tetor.