Pas humbjes në barazh nga Trepça 89, presidenti i Vëllaznimit, Agim Cana shpërtheu në akuza duke aluduar se futbolli në Kosovë është i lidhur me shit-blerje.
Duke ju drejtuar futbollistëve në zhveshtore Cana deklaroi: “me shitblerje bastore, pare, kurrë nuk kemi ec përpara. Kanë me vdek talentat tonë. Djema nuk mundeni ju kundër mafia-s”.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.
“Agimi është profesionist e din çka flet dhe mendoj që fjalët e tij kanë peshë. Është për tu çuditur pse i ka thirrë mediat brenda në zhveshtore për m’u deklaru. Ai ka mujtë me ua thënë lojtarëve të vet e jo nëpër media. Ka qenë njërfar shfaqje aty” deklaroi Salihu.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së ka paralajmëruar masa ndaj deklaratave të presidentit të Vëllaznimit.
“Më vjen keq që e ka thënë atë por duhet me kuptu që kjo ka pasoja, sepse në fund të fundit po shihet që klubet janë ato që bëjnë dallavere apo kalkulime, mos të them kurdisje, sepse kur thua kurdisje duhesh me pas fakte. Ka qenë një kampionat shumë i mirë deri në fund, por pak e kanë prishur këto deklarata të pamatura. Njerëzit hala nuk po e kuptojnë që ne i kemi komisionet e pavarura. Komisioni e hapë procedurën disiplonore, shkon në shkallë të dytë. Prokurorin e kem, taskë forcën”, u shpreh Salihu.