Seanca solemne për nderë të Epopesë së UÇK-së: Fjala e Blerim Hazirit
Seanca solemne për nderë të Epopesë së UÇK-së: Fjala e Blerim Hazirit, anëtarit të Kuvendit komunal të Gjilanit (Vetëvendosje)
Mësuesi Halit Geci, po shpjegonte në një orë mësimore se si “Liria fitohet me majat e shpatave”. Kur u dëgjuan krismat Mësuesi ndërpreu mësimin dhe kërkoi nga fëmijët që të hynin nën tavolina. I trembur për jetën e tyre, mësuesi i’u afrua dritares, ku një plumb i ushtrisë serbe e goditi në stomak dhe ai ra pranë tavolinës, në të cilën i mësonte nxënësin për Historinë dhe Lavdinë e popullit shqiptar.
Edhe pse ai u qëllua për vdekje më 26 nëntor familja vendosi që varrimi të bëhet më 28 nëntor 1997, e cila datë ishte historike për popullin tonë. Në varrimin e mësuesit pritej që të merrnin pjesë mijëra veta, sepse durimit i kishte ardhur fundi. Në Llaushë mbërrijnë shumë gazetarë të huaj dhe vendor.
Fillet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin në fillim të viteve të 90-ta, por më 28 nëntor të vitit 1997 tre luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës morën pjesë në varrimin e mësuesit Geci, dhe kjo u shënua si dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gazetarët u befasuan nga turma, e cila bënte thirrje të fuqishme UÇK, UÇK.
Lubinko Cvetkoviç, zëdhënës i policisë serbe, pranonte se UÇK-ja kishte ndërmarrë 31 sulme në vitin 1996, 55 sulme në vitin 1997 dhe 66 sulme vetëm në muajt janar dhe shkurt të vitit 1998. Millosheviçi kishte vendosur edhe më tej të hakmerrej, dhe zbatoi mënyrën më barbare që ishte e mundur.
Më 27 shkurt 1998 pasdite Millosheviçi urdhëroi hyrjen në veprim të “Njësisë Speciale Antiterror”. Grupimi famëkeq rrethoi Drenicën, në aksion ishin llogaritur edhe helikopterë, topa të kalibrit të vogël dhe mitralozë. Aksioni nuk u krye kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por u krye ndaj popullatës civile shqiptare, ku u targetuan familje me ndikim në popull. Ata sulmuan fshatrat Likoshan dhe Qirez duke vrarë 38 shqiptarë, shumica gra, pleq dhe fëmijë.
Sot shënojmë dhe me nderime kujtojmë 5 marsin, nderojmë 27-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nderojmë Adem Jasharin si komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjen Jashari dhe të gjithë të rënët për lirinë dhe mëvetësinë e vendit tonë, e të popullit tonë.
27-vjet më parë në ora 05:30 të datës 5 mars të vitit 1998 në Prekaz të Drenicës, Kosova përjetoi njërin prej episodeve më të rënda të historisë së saj, ku forcat e ushtrisë serbe me artileri të rëndë, nga fabrika e Munucionit sulmuan Prekazin veçanërisht familjen Jashari, duke lënë të vrarë e të masakruar 59 anëtarë të familjes së ngushtë të Adem Jashari dhe familjes së gjërë Jashari të Prekazit të Ulët, si dhe 3 miq e nipa që ishin mysafirë në këtë familje, duke përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, ku në mesin e tyre ranë edhe Adem Jashari, bashkë me babanë Shabanin dhe me vëllanë Hamzën, ndërsa dëm të konsiderueshëm ju shkaktua edhe armikut serbo-sllav.
Në mbrojtje të pragut të shtëpisë në luftën për liri dhe mëvetësi, gjatë rezistencës së marsit, plot tre ditë e dy netë, ranë për të mos u harruar 21 anëtarë të Familjes së ngushtë të Jasharve, ku nga 22 sa ishin nën rrethim shpëtoi vajza e Hamzës, Besarta e cila ishte vetëm 11 vjeçe. Mes të vrarëve ishin dhjetë fëmijë.
Gazetari i BBC, Paul Wood, në një raport ekskluziv nga Kosova, ka parë për së afërmi shtëpitë e Jasharve duke u djegur dhe rrënuar nga automjetet ushtarake serbe, dhe potenconte se ishte ndëshkim, por edhe paralajmërim për pjesën tjetër të fshatit.
Masakra e Prekazit ishte një thirrje e mprehtë për ata mijëra burra shqiptarë që i’u bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prekazi ndryshoi për së miri opinion ndërkombëtar.
Një familje ra përkohësisht, por u zgjua një popull, u shtua numri i UÇK-së, u rrit rezistenca dhe u vetëdijësua populli kundër mizorive serbe.
Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve në Kosovë dhe në Serbi. Rreth 860 000 shqiptarë u dëbuan nga trojet e tyre, mbi 13 000 shqiptarë u vranë e u masakruan, forcat serbe hapën rreth 500 varreza masive, përdhunuan rreth 20 000 gra shqiptare.
Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviqi, u dorëzua dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës për tërheqje nga Kosova. Në Kosovë pos Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, hynë edhe forcat e paktit NATO me emrin KFOR. Kosova u çlirua!
27 vjet pas rënies së Familjes Jashari, ajo është përtrirë me fëmijët e lindur pas çlirimit, me fëmijët që trashëguan emrat e të parëve të tyre, duke dëshmuar se liria e një populli nuk mund të shuhet me asnjë mizori dhe me asnjë krim.Liria e Kosovës i kushtoi shumë familjes Jashari dhe popullit shqiptar në përgjithësi.
Sot, Kosova është e lirë dhe Republikë, sot Kosova dhe populli i saj gëzojnë liri e mëvetësi, duke ju falënderuar Familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, invalidëve të luftës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aleatëve Ndërkombëtar, Rezistencës paqësore dhe gjithë popullit shqiptar që kontribuuan në mënyra të ndryshme. /2LONLINE/
