Seanca e radhës për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit do të mbahet me 18 dhjetor
Sot në sallën e improvizuar të Kuvendit Komunal të Gjilanit, në hapësirat e Shkollës së Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu”, u mbajt seanca inauguruese ku dhanë betimin 35 anëtarë të përbërjes së re të Kuvendit Komunal të Gjilanit si dhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni.
Ndërkohë, 2LONLINE.com, mëson se seanca tjetër e radhës do të mbahet më 18 dhjetor, ku në rend dite do të jetë zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Deri më sot nuk është bërë publike ndonjë marrëveshje koalicioni, mes cilave do palë, që do të siguronin shumicë të mjaftueshme, andaj pritet të shihet se qysh do të kalojë seanca e paraparë për zgjedhjen e Kryesuesit, kush do të mund t’i marrë votat e mjaftueshme për këtë pozitë, me marrëveshje paraprake apo edhe pa marrëveshje.
Gjithsesi, seanca për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit do të mbahet më 18 dhjetor 2025, me fillim në orën 10:00, në Shkollën e Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu”, dhe aty pritet të shihet epilogu për këtë çështje. /2LONLINE/
