DYLON

Seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet më 2 nëntor

Avatar photo Redaksia

Seanca e radhës e Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të mbahet të hënën, më 2 nëntor, në orën 10:00. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ndërsa munguan ata të grupeve opozitare.

Në mbledhjen e së hënës, ligjvënësit do të shqyrtojnë një varg projektligjesh, raportesh e rekomandimesh.

EkoHigjiena

Pas dy pikave të rregullta të mbledhjeve plenare: deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë dy projektligje që kanë të bëjnë me ratifikimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare:

Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: “KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës”.

Në vazhdim, do të shqyrtohen për herë të parë pesë projektligje: Projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, Projektligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, Projektligji për Mjekësinë Ligjore, Projektligji për patentë shofer , si dhe ai për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për letërnjoftimin.

Mbledhja e Kuvendit pritet të vazhdojë me shqyrtimin e raporteve dhe rekomandimeve. Kështu, në vijim, do të shqyrtohet raporti i Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Konsullor, të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës. Më pas, pritet të shqyrtohen rekomandimet lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Integrimeve Evropiane për vitin 2014 dhe rekomandimet që lidhen me raportin e auditimit të performancës për mirëmbajtjen dhe servisimin e veturave zyrtare, si dhe raportin e auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Administratës Publike, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës për vitin 2014. Do të shqyrtohet, po ashtu, edhe raporti i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014, si dhe ai për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015. Në fund, pritet të përzgjidhet një anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe të shqyrtohet kërkesa e kryetarit të Komunës së Prishtinës për rinovimin e sheshit “Adem Jashari”.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, kryetarët e grupeve parlamentare në pozitë, përcollën kërkesën e deputetëve që përfaqësojnë, për të krijuar siguri dhe kushte për punë në mbledhje plenare. Në funksion të kësaj, ishte qëndrim i përbashkët i Kryesisë dhe grupeve parlamentare që të kërkohet nga organet kompetente të sigurisë që brenda përgjegjësive të tyre institucionale, të krijojnë kushte për mbarëvajtjen e punës në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit dhe të garantojnë siguri për shëndetin dhe jetën e deputetëve.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.