Se a do të ndodh “synetia” në Berlin, kjo varet sa ne shkojmë të përgatitur atje

Se a do të ndodh “synetia” në Berlin, kjo varet sa ne shkojmë të përgatitur atje

Ardhja e zyretarëve të lartë nga ShBA-ja në Kosovë, e ka ndryshua dukshëm qasjen e fuqive të mëdha karshi temave si shkëmbim territori, ndarje e Kosovës dhe atë të ndryshimit të kufijve.

Shkruan: Ardian Azemi

Lehtë po kuptohet se në vizitat dhe takimet në ShBA, qenka prezantuar unitet i faktorit politik në Kosovë për këto tema, dhe si rezultat i këtij prezantimi jo real, u ballafaquam me presion ndërkombëtar për taksën si dhe me deklarata të tilla si; është i pranueshëm edhe ndryshimi, korrigjimi apo shkëmbimi i territorit, varësisht për çfarë pajtohen palët në dialog.

Vizita e amerikanëve në Kosovë e demaskoi totalisht këtë prezantim jo real. Në fakt, e kuptuan qartë se për këto tema lëre që nuk ka unitet, por janë individë të caktuar që në fakt pajtohen për këto tema. Pra, e vërteta u kuptua nga dora e parë, pa ndërmjetës dhe jo veç nga një ose dy individë. Për ta kuptua këtë edhe më mirë, e kemi parë se Kosova më nuk ka presion për taksën, të paktën ashtu siç kishte në fillim, dhe dita-ditës po shtohen zërat ndërkombëtar kundër këtyre temave për territor, kufijë dhe shkëmbime.

Takimi i 29 prillit në Berlin, nuk është as i lehtë dhe as i natyrës çfarë ne e mendojmë. Ky takim paraqet fillimin e një etape të re, rrjedhimisht fillimin e fundit të kësaj situate të paralizuar. Jo thjeshtë do të diskutohet veç për liberalizimin e vizave, për një ose dy tema. Do të hapen shumë tema, dhe besoj unë, do të kërkohet edhe dakordim nga palët për atë çfarë realisht do të diskutohet.

As Kosova e edhe më hiç Serbia, nuk duhet ta ndjejnë vetën komode në këtë takim. Serbia nuk do të ballafaqohet vetëm me një ose dy persona që ndoshta kanë pasur një afërsi qëndrimesh për tema të caktuara. Kosova duhet të shkoj në këtë takim përveç e unifikuar, edhe me qëndrime konkrete, kërkesa reale dhe të artikuluara mirë dhe bindëse. Është rasti më i mirë për ti bërë të reflektojnë të fuqishmit e Evropës karshi situatës së krijuar së fundmi.

Ekipi ynë duhet ta informoj takimin se Kosova ka hy në bisedime pa asnjë kusht, duke pasur parasyshë se jemi një vend ku është ushtruar gjenocid, kemi kaq të vrarë e masakruar, kaq femra të përdhunuara, po kaq të zhdukur që tani e 20 vjet nuk dijmë për fatin e tyre. Serbia përveç që nuk ka kërkuar falje, ajo vazhdon ti mohoj krimet në Kosovë, ti fyej viktimat dhe popullin e Kosovës, ta luftoj shtetin e Kosovës, dhe ne prap kemi hy në dialog pa kushte, kështu që nuk bëhet fjalë të pranojmë kushte, as për taksën, dhe asnjë tjetër.

Kosova duhet të paraqes qartë dëmet që Bashkimi Evropian i ka shkaktuar Kosovës me izolimin e qytetarëve të saj, gjegjësisht me mungesën e vullnetit të BE-së për ti liberalizuar vizat. Duhet një datë se kur do të ndodh kjo, sepse botërisht dihet se janë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara nga BE-ja.

Në mesin e shumë temave, Kosova duhet ta ngris si çështje për ta diskutuar edhe diskriminimin që BE-ja ia bënë Kosovës në disa procese. Në takimet zyrëtare në Bruksel, Kosova duhet të prezantohet me simbole shtetërore, ngjajshëm sikur që bënë Serbia. BE nuk duhet të jetë e njëanshme, as në procesin e dialogut, e as në trajtimin e temave me karakter evropian për dy shtetet. Nuk duhet të ketë diskriminim pozitiv për asnjërën palë, vetëm kështu mund të arrihet deri në një pikë e cila e ndryshon formën e dialogut dhe i qartëson gjërat njëherë e mirë.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE