SC Gjilani – FC Drita një përballje e rëndësishme në rrugëtimin e tyre për titull përkatësisht Evropë!
Java e 26-të e Superliga e Kosovës në Futboll sjell një nga përballjet më të mëdha të edicionit, derbin lokal ndërmjet SC Gjilanit dhe FC Dritës, që pritet të zhvillohet në një atmosferë të zjarrtë dhe me intensitet të lartë, në të dyja taborët.
Të dy skuadrat do të zbresin të dielën në fushën e stadiumit ndihmës të qytetit, me bari artificial, të motivuara maksimalisht për të siguruar trepikëshin. Gjilani synon të forcojë pozitën që e dërgon në garat evropiane, ndërsa Drita kërkon të vazhdojë garën për titullin kampion, transmeton 2LONLINE.com.
Duke pasur parasysh rivalitetin e madh ndërmjet dy klubeve dhe rëndësinë e pikëve në këtë fazë të kampionatit, ndeshja pritet të jetë e luftuar deri në sekondat e fundit, me një epilog të hapur deri në vërshëllimën përfundimtare të gjyqtarit.
Në dy përballjet e mëparshme të këtij edicioni, Drita ka regjistruar një fitore 2:1, ndërsa ndeshja tjetër është mbyllur në barazim 1:1, çka e bën këtë duel edhe më interesant dhe të paparashikueshëm.
Aktualisht, Drita renditet në vendin e dytë me 45 pikë, po aq sa ka edhe lideri Ballkani, ndërsa Gjilani mban pozitën e tretë me 39 pikë, duke mbetur në garë për një vend që siguron pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare.
Dy strategët, Zekirja Ramadani dhe Debatik Curri, sigurisht kanë përgatitur strategjitë e tyre për këtë derbi, ndërkohë që do të jenë para gazetarëve, (veç e veç), në konferencat e rregullta për media para ndeshjes, që i organizojnë këto klube, të cilat do të mbahen të shtunën.
Ndeshja ndërmjet SC Gjilanit dhe FC Dritës zhvillohet të dielën, me fillim nga ora 13:00, dhe pritet të jetë një nga momentet kulmore të kësaj jave në futbollin kosovar. /2LONLINE/
