SC Gjilani e nis me humbje, flet trajneri Mezani

SC Gjilani e nis me humbje, flet trajneri Mezani

Ka përfunduar ndeshja e fundit e javës së parë në Superligë, ku Feronikeli mposht SC Gjilanin në Drenas me rezultat 4:0, shkruan 2LONLINE.com.

Kryetrajneri i kësaj skuadre, Gentjan Mezani, ka mbetur tejet i zhgënjyer nga reagimi i futbollistëve të tij në fushën e lojës, teksa thotë se këto gabime nuk guxojnë t’i përsëritin në ndeshjet e radhës.

“Kemi bërë gabime amataroske, jo vetëm që nuk na falen, por ne nuk guxojmë të gabojmë në këtë mënyrë. Kampionati është tejet i gjatë dhe ne nuk guxojmë të gabojmë në këtë mënyrë. Nuk dua të shfajsohem për mungesat që kishim. Lojtarët që janë të gatshëm duhet të japin maksimumin dhe nuk duhet të dalin me këtë paraqitje”, theksoi fillimisht Mezani.

Më pas, Mezani shprehu keqardhjen për tifozët, teksa u premtoi atyre që do të fillojnë të ndryshojnë nga ndeshja e radhës.

“Më vjen keq për tifozët, pasi që duhet t’i gëzonim me një fitore dhe një lojë të bukur. Duhet të kërkojmë ndjesë për këtë paraqitje”, përfundoi Mezani.

Ndeshja u dominua nga vendasit të cilët mbyllën pjesën e parë me epërsi prej dy golash, të shënuar nga ish-lojtari i Gjilanit, Bedri Greca.

E sulmuesi që nga Shqipëria në Kosovë erdhi përmes të kuqve nga Gjilani, nuk e la me kaq, sepse kundër tyre shënoi edhe një herë në pjesën e dytë për të kompletuar hat-trickun e parë këtë sezon. Kurse, në minutat e fundit të takimit, për Feronikelin shënoi edhe Cesar Santos për rezultatin përfundimtar 4:0.

Në ndeshjen e radhës Gjilani luan sërish në udhëtim te skuadra e Llapit./2LONLINE.com/.

 

KOMENTE