Sarkazma e Kadriut: Lutfi Haziri të emërohet në ndonjë pozitë qeveritare!

Sarkazma e Kadriut: Lutfi Haziri të emërohet në ndonjë pozitë qeveritare!

Vazhdojnë kritikat me thumb të drejtuesve të Lëvizjes Qytetare “Vatra” në adresë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Kjo lëvizje shprehet e pakënaqur me punën e të parit të komunës andaj shpesh herë duke përdorur performanca, kritika të drejtpërdrejta apo edhe kritika me sarkazëm, atakon të parin e komunës për, siç thonë, keqqeverisje e mospunë.

Kësaj here, Kushtirm Kadriu, kreu i Lëvizjes Qytetare Vatra duke përdorur sarkazëm, ka kërkuar që kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri të marr ndonjë pozitë në qeverinë e Kosovës, kur ajo të formohet, në mënyrë që të angazhohet në Prishtinë e ta lë Gjilanit, pasi, sipas Kadriut, ai nuk po qeverisë mirë, kështu që qytetarët nuk do të vuajnë më nga mospuna e tij, transmeton Portali 2LONLINE.com

“Isa Mustafa le ta bëjë Lutfiun zyrtar në qeveri. Kjo është lutje e qytetarëve të Gjilanit të cilët po vuajnë nga mospuna e tij në Gjilan. Emërimi i tij në ndonjë pozitë qeveritare, e më shumë ceremoniale do t’i bënte hajr Gjilanit e pak dëm qeverisë, si shembull zëvendësministër apo zëvendës ambasador, diçka të tillë e me pak përgjegjësi”, ka thënë Kadriu.

Kadriu vlerëson se ky veprim do të pëlqehej nga gjilanasit, pasi që z. Haziri shumicën e kohës e kalon në Prishtinë.

“Kryetar Mustafa, ju lutem mbajeni z. Hazirin në Prishtinë sepse nga mosinteresimi i tij po vuajmë një qytet i tërë. Po vuajmë për ujë, po vuajmë nga mosefikasitetin e komunës, thjeshtë kemi mbetur pa zot shpie”, thotë në reagimin e tij Kadriu i Vatrës, transmeton 2LONLINE.
.

KOMENTE