Samiti i Berlinit: Ajo që nuk u tha deri më tani

Samiti i Berlinit: Ajo që nuk u tha deri më tani

Samiti i Berlinit i cili u mbajtë ditë më parë në Berlin të Gjermanisë ku nikoqire ishte zonja Merkel, e për bashkëkryesues të takimit e kishte Presidentin Macron, u folë e u përfolë, u analizua e u komentua në mënyrat e format më të ndryshme në botën shqiptare, në vecanti, por edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

Shkruan: Faton Bislimi

Normalisht, një debat i furishëm analizash do duhej pritur pas një ngjarje të tillë. Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rruga e vetme drejtë paqës dhe prosperitetit të qëndrueshëm.

Për ne shqiptarët, esenciale ishte cështja e Kosovës dhe dialogu tanimë I famshëm Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve. Protagonistët kryesorë sipas mënyrës në të cilën u kuptua e u deshifrua Samiti i Berlinit tek ne ishin liderët kosovarë. Realisht, na u tha se i tërë Samiti në fjalë gati se u bë për të c’bllokuar dialogun Kosovë-Serbi dhe për të ardhur deri tek një zgjidhje sa më e pranueshme për të dyja palët dhe atë sa më shpejtë.

Na u tha se qëllimi i Samitit ishte që zonja Merkel njëherë e mirë të hiqte nga mendjet e Thaçit e Vuqiqit idenë e “shkëmbimit të territoreve”, apo “korrigjimit të kufijëve”. Në vazhdimësi, Gjermani ka qenë kritike e rreptë e kësaj ideje sepse beson fuqishëm që ndryshimet eventuale të kufijëve të Kosovës, me doemos do prekin edhe kufijë tjerë në Ballkan.

E, historia na ka mësuar së saherë që kufijtë kanë lëvizur në Ballkan, kanë lëvizur edhe popujt, e janë bërë luftra të përgjakshme. Gjermanisë si lidere dhe si lokomotivë ekonomike e BE-së, tani për tani, më së paku i duhet edhe një krizë refugjatësh apo ndonjë konflikt në Ballkan, që do kishte konsekuenca të drejtpërdrejta për Gjermaninë dhe gjithë BE-në.

Por, ajo që nuk u tha, e që realisht në perspektive gjeopolitike është mesazhi kryesor i Samitit të Berlinit, nuk ka të bëjë direkt me Kosovën e as Ballkanin, aq sa ka të bëjë me SHBA-të, respektivisht, me politikën e jashtme të Adminsitratës Trump.

Samiti i Berlinit ishte mesazh i rëndësishëm diplomatik për Shtëpinë e Bardhë, mbi të gjitha! Këtë do ta kuptonte secili që ka përcjellë me vemëndje vorbullin e gjeopolitikës globale dhe marrëdhënjet transatlantike.

Të rikujtojmë tensionimet substanciale në mes zonjës Merkel dhe Presidentit Trump në takimin e G7 të qershorit të vitit te kaluar në Kanada. Aty ndodhë kthesa e madhe në marrëdhënjet diplomatike në mes të këtyre dy liderëve botërorë. Në njërën anë keni Presidentin Trump që pa hezitim ua bënë me dije të gjithë liderëve të G7 se Amerika nuk është më një bankë e thyer ku secili merrë cfarë të dojë; dhe në anën tjetër, si lidere e kampit të G7, e keni Kancelarën Merkel që fuqishëm përballet me Presidentin Trump duke insistuar në multilateralizëm e jo në proteksionizëm. Fotoja që kishte bërë gjiron e botës e tregon krejt këtë histori më së miri se cfarëdo përshkrimi me fjalë.

Në këtë foto, shihet qartë edhe fytyra e ngrysur e Ambasadorit Bolton, Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit Trump. Ish-Ambasadori amerikan në OKB është strumbullari i ideve protektioniste dhe entuziasti më i madh i politikës “America First” (Amerika e Para) të Presidentit Trump. Ai është, po ashtu, njeriu kyc i Shtëpisë së Bardhë që është marrë me cështjen e dialogut Kosovë-Serbi, dhe atë për dy arsyeje kryesore: e para, t’i tregohet Evropës (realisht BE-së) dhe vecanërisht Gjermanisë se ju jeni të paaftë të zgjidhni problemet e oborrit tuaj, andaj mos pretendoni të na kaloni neve në udhëheqjen globale; dhe e dyta, t’i bëhet me dije edhe Rusisë që prezenca e Amerikës dhe kapitali i saj vendimmarrës politik zgjerohet dukshëm përtej Atlantikut dhe arrinë deri në kufijtë e Serbisë, mikut më të vjetër e më të besueshëm të Rusisë në Evropë.

Krejt kjo u bë mëse e qartë kur erdhi letra e Presidentit Trump për Thaçin dhe Vuqiqin në Dhejtor të vitit të kaluar. Aty paralajmërohej se Kosova e Serbia bashkë me Amerikën do të festonin në Shtëpinë e Bardhë arritjen e marrëveshjes historike në mes të dyja palëve. Letra në fjalë, që u lexua vetëm sipërfaqësisht nga të gjithë, ishte mesazhi më i drejtpërdrejtë dhe më i vrazhdë diplomatik që Shtëpia e Bardhë po i bënte – jo Kosovës e Serbisë – por Gjermanisë në vecanti dhe BE-së në përgjithësi. Letra ishte dokumenti që përcoi mesazhin unilateralist amerikan për gjeopolitiken globale vis-à-vis Evropes (kryesisht Gjermanisë).

Por, Kancelarja Merkel e ka lexuar më mire se gjithëkush tjetër letrën e Presidentit Trump, si dhe e ka kuptuar më drejtë se gjithëkush tjetër filozofinë e Shtëpisë së Bardhë të shprehur në foton e Samitit të G7.

Andaj, në kundërpërgjigje të kësaj sfide, ajo bashkë me Presidentin Macron, bëri atë që duhej: ftoi Samitin e Berlinit për të përcuar tani mesazhin e vet drejtë Shtëpisë së Bardhë, se Gjermania bashkë me Francën dhe BE-në në përgjithësi, do të përkujdeset që të zgjidhë cështjet e veta në oborrin e vet duke mos i lënë hapësirë e as nevojë Amerikës për ndërhyrje.

Një fjalë e popullore thot “dreqi fshihet në detaje.” Andaj, duhet patur parasysh se pjesëmarrja e Presidentit Macron dhe znj. Mogherini në Samitin e Berlinit nuk ishte aspak e rastësishme. Macron u ftua për shkak të kundërthënjeve të tij të vazhdueshme me Presidentin Trump e vecanërisht për idenë e krijimit të Ushtrisë Evropiane.

Kurse Mogherini u ftua në cilësinë e Zëvendës Presidentës së Këshillit të Evropës së BE-së e jo si Shefe e Politikës së Jashtme të BE-së. Kjo është shumë relevante sepse si Zëvendës Presidente ajo përfaqëson gjithë BE-në. Andaj, Kancelarja Merkel është kujdesur që ftesa dhe pjesëmarraj e Mogherinit të jetë në vijë me mesazhin diplomatik që ajo po i përconte Shtëpisë së Bardhë.

Normalisht, krejt kjo betejë diplomatike gjeopolitike që, fatmirësisht, përqëndrohet në rajonin tonë, nuk shkoi pa u kuptuar nga Shtëpia e Bardhë. Si rezultat, delegacioni kosovar u ftua në takim në Ambasadën Amerikane në Berlin, tek Ambasadori Grennell, para se të shkonte në Samitin e Berlinit.

Kjo nuk ishte as koincidence e as takim kurtuazie. Ishte mesazhi që Shtëpia e Bardhë po i dërgonte Kancelarës Merkel, se Amerika është saktë e vetëdijshme për mesazhin tuaj; dhe ne kemi disa “miq” që aty do jenë prezentë dhe janë shumë më shumë në anën tonë se sa të tuajën. E këtë rol dhe këtë mesazh më së miri e ka përcuar Thaçi, duke qenë kryesisht kundërthënës ndaj Gjermanisë dhe lutës ndaj Amerikës.

Ajo që Thaçi nuk e kupton është se ai është vetëm vegël e përdorur në këtë lojë të madhe gjeopolitike. Fatekqësia e tij është të besoj se rëndësia e tij politike kundrejtë Amerikës është me e madhe sesa e një pike uji në oqean.

Prandaj, Samiti i Berlinit nuk ishte asgjë më shumë se sa një mesazh për Shtëpinë e Bardhë ne vazhdën e kontradiktave, kundërthënieve, dhe zhvillimit të kuptueshëm diplomatik në mes dy liderëve global politik sic është Amerika dhe Gjermania. Ishte një aktivitet frytdhënës gjeopolitik në marrëdhëniet transatlantike shumë më shumë se sa gjithëcka tjetër.

Kosova, por edhe Shqipëria, janë me fat që kanë qenë dhe mbetën pjesë e rëndësishme e agjendës së politikës së jashtme amerikane. Por, kjo gjithëherë duhet kuptuiar në kuadër të interesave gjeopolitike të Amerikës dhe Evropës.

Me mendësi të çiltër, përkushtim të sinqertë, dhe veprime të matura politike (së pari në vendet tona, e pastaj edhe diplomatikisht), ne gjithëherë do të dalim fitues nga cfarëdo debati apo marrëveshje në marrëdhëniet transatlantike. Por, mund edhe të pësojmë nëse në vazhdimësi përfaqësohemi nga të tillë që besojnë në iluzionet optike të paraqitjeve diplomatike dhe nuk e kuptojnë thelbin e mesazheve që realisht përcillen nga këto paraqitje, e aq më pak rolin e vet në to.

Faton Bislimi është anëtar i bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe Përfaqësues Zyrtar i Universitetit të Harvardit për Kosovë, si dhe shërben si Shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, vendlindjes së tij.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE