Salihu: Serbia kot ankohet në FIFA
Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, ka thënë se ankesa e Federatës së Futbollit të Serbisë në FIFA, që t’ia anuloj Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore, është e kotë. Kosovarët janë të bindur se nuk kanë shkelur asnjë modalitet të shtëpisë botërore të futbollit.
Federata e Futbollit e Serbisë, të enjten, i ka dërguar një letër presidentit të FIFA-së, Sepp Blatter. Serbët kanë kërkuar që shtëpia e futbollit botëror ta anulojnë vendimin që Kosova të luaj miqësore, pasi nuk i ka respektuar modalitetet.
FSS i kishte dërguar një letër proteste presidentit të FIFA-së, Sepp Blatter. Serbët insistojnë se Federata e Futbollit e Kosovës nuk i është përmbajtur rregullave të caktuar nga FIFA.
“Është e qartë se kemi prova që lojtarët vendës mbanin në fanellë emblemën e Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo është befasuese, duke e pasur parasysh se drejtuesit e ndeshjes është dashur ta vërenin këtë, në bazë të vendimit të marrë nga FIFA”, thuhej në ankesën e FSS-së
“FSS distancohet nga vendimet e Komisionit për Çështje Urgjente dhe FS kërkon revokimin apo anulimin e vendimit të miqësoreve të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera në reagimin e FSS’së.
Por, Federata e Futbollit e Kosovës nuk është aspak e shqetësuar. Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së thotë se ankesa e palës serbe është e kotë, derisa kanë fakte që i janë përmbajtur të gjitha modaliteteve të caktuara nga FIFA.
“Së pari, ne i kemi dërguar fanellat e Kosovës në FIFA para ndeshjes ndaj Haitit dhe gjithçka ka qenë në rregull. Së dyti, në ndeshjen e së mërkurës i kemi plotësuar të gjitha kriteret e mundshme të FIFA-së për ndeshje ndërkombëtare. Federata e Futbollit e Kosovës është OJQ (Organizatë jo Qeveritare) , që do të thotë se logo e FFK-së nuk është simbol shtetëror”, ka deklaruar Salihu.
