Disa krerë të klubeve të futbollit kosovar janë tubuar ditë më parë dhe kanë kërkuar nga FFK-ja llogari për mjetet financiare që UEFA i ndan për zhvillimin e gjeneratave të reja.
Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka pretendon se FFK-ja nuk është treguar transparente me këto mjete. Ai thotë se vetëm një herë klubeve të Superligës u janë ndarë nga tetë mijë euro. Ai mendon se klubeve në total për tre vjet u takojnë 2 milionë e 700 mijë euro.
Sekretari i përgjigjëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili ka folur për çështjen në fjalë, ka thënë se të gjitha paratë janë ndarë në mënyrë transparente. Ai sqaron se për edicionin 2018 – 2019, 433 mijë e 615 euro do t’u ndahen ekskluzivisht klubeve të Superligës.
Disa prijës të klubeve të Superligës së Kosovës në futboll ditë më parë janë takuar dhe kanë diskutuar rreth temave me rëndësi për futbollin kosovar.
Në një takim të zhvilluar në periferi të Prishtinës është diskutuar edhe për mjetet financiare që shtëpia më e madhe e futbollit evropian UEFA i ndan për Federatën e Futbollit të Kosovës, para të cilat janë të destinuara për klubet e futbollit kosovar. Në takimin me klube mori pjesë sekretari i përgjigjëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Salihu ne kete rast ka deklaruar: “Sivjet kemi vendosur që shumën prej 433 mijë e 615 eurove t’ua ndajmë 12 klubeve të Superligës, jo 10, por 12. Për fat të keq dy klubet tona nuk e kanë kaluar fazën e grupeve. Për këto mjete kemi aplikuar dhe u kemi ndihmuar që ta bëjmë një strategji. Pritet që UEFA të na ndihmojë në aspektin sportiv për të gjitha klubet. Këto para nuk janë për të shkuar në përgatitje. Këto para janë për të investuar në elitë në grup-mosha prej 9, 10 deri në 14 vjet”.