Sakrifica e dëshmorit Rahim Beqiri, një amanet që të mos e harrojmë kurrë çmimin e lirisë
Me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të dëshmorit të kombit, Rahim Beqiri – Komandant Roki, sot u bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Kamenicë, në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së tij për lirinë e vendit.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, vlerësoi lart kontributin dhe sakrificën e Komandant Rokit për lirinë e vendit, duke theksuar se kujtimi për të mbetet i përhershëm.
“Sot, me mirënjohje e respekt, kujtuam dhe nderuam figurën e dëshmorit Rahim Beqiri – Komandant Roki. Sakrifica e tij mbetet një dëshmi e dashurisë për atdheun dhe një amanet që të mos e harrojmë kurrë çmimin e lirisë. Në 25-vjetorin e rënies së tij, shprehim mirënjohjen tonë të përhershme për sakrificën e Komandant Rokit. Lavdi dëshmorit Rahim Beqiri! Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”, u shpreh kryetari Rahimaj.
Përmes këtij përkujtimi u ritheksua rëndësia e ruajtjes së kujtesës për dëshmorët, të cilët me sakrificën e tyre kontribuuan në lirinë dhe të ardhmen e vendit.
Pas përfundimit të këtyre aktiviteteve, familjarë, bashkëluftëtarë e qytetarë të shumtë vazhduan për në ecjen përkujtimore të organizuar për Komandant Rokin. /2LONLINE/
