Duke qenë se viti 2018, përkon me 550 vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, po përkujtojmë një personalitet të harruar të qytetit të Gjilanit dhe Kosovës i cili në vitet e vështira përjetësoi figurën e heroit tonë kombëtarë.
Sot kur ne lirshëm përkujtojmë ngjarje si kjo për Skënderbeun, duhet t’i përkujtojmë dhe t’u japim vendin e merituar në histori edhe personaliteteve që në kohë të vështira përjetësuan dhe ringjallën kujtesën kombëtare duke e sjellur Skënderbeun dhe flamurin kombëtarë në një format të veçantë.
Nga: Fadil Kajtazi
Njëri nga këta personalitete, ishte Sadik Sadiku-Qorri (1902-1996) nga fshati Novosellë e Malesise së Hashanise, pjesë e trojeve etnike në rrethin e Vrajes. Familja dhe rrethanat në të cilat u rrit Sadiku ndikuan në brumosjen e atdhedashurisë në personalitetin e tij dhe përkushtimin për çështjen kombëtare që në moshën e rinisë. Në vitin 1912 kur trojet shqiptare u pushtuan nga Serbia, Sadiku kishte një moshë e cila identifikonte qartë pushtuesit dhe mizorinë e tij.
Të dhëna për ndonjë aktivitet patriotik të zhvilluar deri në vitin 1941 nuk ka, por aktivizimi i tij i menjëhershëm në Ushtrin Shqiptare dhe marrja pjesë aktive në mbrojtjen e kufirit lindorë të Kosovës nga viti 1941 deri me 1945, flasin për një brumosje me atdhedashuri te personalitetit i tij nga familja.
Pas ripushtimit të Kosovës nga Jugosllavia me 1945, Sadiku arrestohet së bashku me vëllain e tij Sahitin gjithashtu pjestarë i forcave të xhandarmërisë shqiptare. Nën akuzën se ka qenë bashkë luftëtarë i Sylë Zarbincës dhe pjesë e NDSH, dënohet me burg prej 15 vitesh nga të cilat 10 i mban efektivisht, kurse vëllai i tij Sahiti ekzekutohet dhe nuk i dihet varri. Me 1961, Sadiku kthehet nga burgu dhe vendoset në Gjilan.
Në vitin 1966, në njërën nga rrugët kryesore të Gjilanit, përballë xhamisë së Medresesë, e hapë ëmbëltoren “Skënderbeu” simbol në qytetin e Gjilanit dhe në Kosovë. Kjo ëmbëltore me emër domethënës, shërbeu si njëri nga pikëtakimet nga ku të rinjtë gjilanas filluan demonstratat e vitit 1968, për flamur dhe Kosovën Republikë.
Do të jetë pikërisht Sadik Qorri i cili me 1968 do të ngrit flamurin në qytetin e Gjilanit, i cili shërbeu si pishtari i atdhedashurisë dhe përkushtimit për çlirimin e Kosovës nga gjeneratat e mëvonshme.
Nuk mjafton që ky personalitet të përkujtohet vetëm me emërtimin e një rruge periferike, por me një përkujtim që trason rrugën e sigurt të gjeneratave që vinë, atë që përjetësohet përmes figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut të cilën në Gjilan dhe më gjerë së pari e shpalosi Sadik Qorri.