Sabedini: As pandemia nuk na ndali, jetuam e vepruam pandalshëm që nga themelimi e deri më sot

Sabedini: As pandemia nuk na ndali, jetuam e vepruam pandalshëm që nga themelimi e deri më sot

Edhe pse kishim planifikuar të organizojmë debate të shumta për vitin 2020, për shkak të pandemisë numri i tyre u kufizua, por as kjo pandemi nuk na ndali, përkundrazi Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” zhvilloi dhe organizoi debate me interes për jetën e qytetarëve dhe në përgjithësi për zhvillimet e përgjithshme ka thënë Musa Sabedini kryetar i këtij klubi, i themeluar 21 vite më parë.

Edhe gjatë vitit 2020, Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ka organizuar debate për mungesën e ujit të pijshëm, trajtimin e ujërave të zeza, problemet infrastrukturore, zhvillimet urbanistike e interesime të tjera të qytetarëve ka thënë Musa Sabedini.

Sabedini ka thënë se për këto vite të ekzistimit të Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” janë mbajtur mbi 250 debate të natyrave të ndryshme.

“Është nder dhe kënaqësi që ta rrumbullakësosh një punë kolosale që ka ndikuar në jetën e përgjithshme të shoqërisë dhe në edukimin e mirë të informimit të gjithanshëm” është shprehur tutje Musa Sabedini teksa flet për këtë vjetorin e themelimit të këtij klubi.

Sabedini thotë se nuk ka qenë e lehtë së pari të themelohet një klub, ku punën e tyre e zhvillojnë ose e kanë zhvilluar disa media të ndryshme. ”Kishim vullnet, energji dhe solidaritet për t`i quar gjërat përpara, ishin kushte tjera në vitet e pas luftës dhe duhej shumë sakrificë për të informuar në kushtet e atëhershme. E filluam nga zeroja dhe tani kemi arritur numrin e mbi 250 debateve që janë mbajtur gjatë këtyre viteve”.

Sipas Sabedinit gazetarët e Gjilanit për tërë këto vite me përkushtim ishin në nivel të detyrës dhe asnjëherë nuk janë gjunjëzuar para së keqes e dukurive negative. “Thjesht, ishim vrojtues dhe njëkohësisht atakues të gjithçkaje që ishte interes i qytetarëve. Reaguam, kundërshtuam dhe mbrojtëm në çdo kohë gazetarët dhe punën e tyre të vështirë” ka thënë Sabedini.

Ndryshe, “Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, është themeluar me iniciativën e gazetarëve rajonalë. Ky klub, që nga themelimi, ka organizuar dhe mbajtur mbi 250 debate e tryeza, me interes për shoqërinë civile dhe qytetarët e Gjilanit e të Kosovës.

“Synim i këtij klubi ka qenë dhe mbetet avancimi i gazetarisë rajonale, përparimi dhe avancimi i shkrimeve, informimi i shpejt, objektiv dhe i paanshëm si dhe involvimi i qytetarëve në proceset vendimmarrëse” thotë Musa Sabedini.

Musa Sabedini ka përkujtuar se ky Klub për këto vite ishte në shërbim të informimit të drejtë, të saktë, të paanshëm dhe objektiv dhe me sukses ka arritur të realizojë misionin, duke informuar drejt, korrekt dhe në mënyrë shumë profesionale.

Duke folur për aktivitetet dhe punën e këtij klubi Sabedini tha se tërë këto vite ecëm e rrugëtuam bashkë. “Folëm, diskutuam, trajtuam, polemizuam temat nga më të ndryshmet. E filluam punën tonë me shumë përkushtim duke u angazhuar maksimalisht të punonim dhe të ecnim në hap me kohën. Edhe gjatë vitit 2020 rrugëtuam bashkë, diskutuam bashkë, sensibilizuam bashkë, folëm e dhamë ide së bashku. Trajtuam problemet më jetike të qytetit të Gjilanit, Anamoravës dhe, kur ishte nevoja e momenti, edhe të Kosovës” ka thënë Sabedini.

“Me debatet tona treguam vlerat e demokracisë dhe avancuam vlerat e kulturës debatuese. Dhe i vetmi qëllim që na bashkoi ishte interesi i vetëm i përbashkët – mirëqenia e qytetarit dhe avancimi i të drejtave të tij. Ishim ndërtues të institucioneve tona, dhamë një kontribut të pamohueshëm, që këto institucione të jenë në shërbim të qytetarëve”.

Sipas tij sovran i vetëm ishin qytetarët dhe ata që e deshën dialogun e hapur, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. ”Reaguam, kundërshtuam dhe mbrojtëm në çdo kohë gazetarët dhe punën e tyre të vështirë”.

Sabedini shton se tryezat dhe debatet e Klubit ishin arenë konfrontimesh, idesh e sugjerimesh. “Dhe, ju sigurojë që, edhe në vitet e tjera, ky Klub do të jetë në shërbim të profesionit të tij, gazetarisë hulumtuese, dhe në shërbim të avancimit të vlerave morale e njerëzore të të gjithë atyre që duan një ambient, ku mbizotëron ligji, ku krimi goditet pamëshirshëm, ku viktima mbrohet, dhe ku e keqja merr përgjigjen e merituar” ka thënë Sabedini. /2LONLINE.com/

KOMENTE