Sabedin Shahiqi, aktori që nuk iu nda asnjëherë Teatrit
Krijimtaria artistike e gjilanasit që la gjurmë në teatër dhe jo vetëm.
Nga Isak N. Bilalli
Sabedin Shahiqi është një emër i përveçëm i fisit te Shahiqëve te cilët njihen në historiografinë e teatrit si kontributdhënës të çmuar për Teatrin e qytetit të Gjilanit dhe në përgjithësi për zhvillimin kulturore në qytet dhe më gjerë. Sabedini është nga aktorët e gjeneratës së vjetër që me rolet e tij të shumta në teater, film e televizion arriti të le gjurmë në memorien publike si një artist me stabilitet të shquar krijues.
Krijimtaria e tij ka patur për bosht kurrizor teatrin, ku ka luajtur role nga më të ndryshmet, e qe për nga numri gati sa arrin të jetë tre shifrorë. Krijimtaria e tij, është vlerësuar jo vetëm për nga sasia por më shumë nga perspektiva e cilësisë qe ky aktor ka realizuar role të cilat janë mirëpritur e vlerësuar nga publiku e kritika.
Sabedin Shahiqi, sot ndjehet i plotësuar me punën e tij për faktin që tashme edhe shteti i Kosovës në njëfarë forme ka shprehur mirënjohje për punën e tij krijuese duke e nderuar me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e Teatrit për vitin 2018. Pikërisht, në Ditën Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës vendosi te ndaj vlerësimin në nivel kombëtar duke e veçuar Sabedinin si personalitet që ka dhënë kontribut të çmuar ne fushën e teatrit respektivisht për avancimin që ka arritur të ia bej teatrit përgjatë karrierës se tij jetësore.
Rrugëtimi i tij artistik për t’u bërë aktor ka patur si reference frymëzuese xhaxhain e tij respektivisht regjisorin e famshëm Muharrem Shahiqin i cili paraprakisht kishte ndërtuar karrierë dhe kontribut dhënie në Teatrin e Kombësive te Shkupit, si regjisor i përmasave nacionale në ish Jugosllavi. I inspiruar dhe i orientuar nga regjisori Shahiqi, Sabedini pa pikë mëdyshje merr rrugën e ndjekjes se ëndrrës së tij për t’u bërë aktor teatri, sepse ai nuk deshi qe vetëm të shfrytëzonte afërsinë familjare me xhaxhain e tij dhe të merrte role me qëllimin për të thurur lavde vetes dhe të krekosej se ishe pjese e Teatrit por dëshironte qe këtij profesioni t’i dedikohej duke u bazuar në meritë.
Kështu edhe veproi.
Ai, fill pas mbarimit të shkollës së mesme në vitin 1969 fiton statusin e studentit në shkollën e larte Pedagogjike dega e artit dramatik, degë e cila për herë të parë hapej për të interesuarit në artin skenik. Ai, ishte nga të parët që me t’u hapur kjo lëmi e re e studimit e cila sot është ekuivalente me Akademinë e Arteve te Bukura u regjistrua dhe me te bashkë edhe regjisori Nuhi Matoshi me të cilin filluan me shumë entuziazëm e përkushtim të explorojnë shtigjet e krijimtarisë artistike. Si student, ai gjithmonë realizimet e veta artistike i bënte në Teatrin e Gjilanit sikur ta dinte që ishte gëzof i qepur për këtë Institucion në të cilin punoi dhe krijoi deri në pensionim.
Për shkak te nevojës për kuadro të reja dhe punës së shkëlqyer të tij si student në vitin 1971, Sabedini merr statusin e aktorit me kohë të plotë në teatrin e qytetit të Gjilanit dhe i rreket punës në realizimin e roleve të shumta që realizoi në teater. Ardhja e tij ne teater me bagazhin e fituar ne nxënien e diturive profesionale në Prishtinë, ishte momentum jo vetëm për te përmbushur boshllëkun për kuadro por nevojë për të ngritur teatrin në nivele të larta për te cilin objektiv kërkohej angazhim serioz dhe shpirt krijues, detyrë të cilën Sabedini e realizoi me shumë sukses.
Për kohën (fillim vitet e ’70-ta), Sabedini ishte një nga asetet e çmuara që ndikonte cilësisht në avancimin e jetës kulturore që teatri realizonte përmes shfaqjeve të ndryshme. Ishte ajo kohë në të cilën jeta kulturore kishte rritje të hovshme dhe shfaqjet që prodhoheshin nga teatri i Gjilanit u kapen nga radarët e artdashësve jo vetëm në Kosovë por në gjithë Jugosllavinë e kohës. Sabedin Shahiqi ishte pjesë e pothuajse të gjitha shfaqjeve të kohës qoftë me role simbolike apo role bartëse, detyrë të cilën e realizoi me përkushtim të lartë dhe me pasion te veçantë për punën. Kur jemi te regjisorët, numri nuk është i vogël i regjisorëve me të cilët ai bashkëpunoi ndër vite si në teatër por edhe në industrinë e filmit e televizionit, disiplinë ne të cilën ne periudhën e paraluftës ishte aktiv në realizimin e roleve të shumta me kineaste të ndryshëm.
Ai me shumë nostalgji kujton bashkëpunimet me regjisorët si: Muharrem Shahiqi, Atdhe Gashi, Ilir Bokshi, Milto Kutali, Besim Sahatçiu, Ekrem Kryeziu, Ismajl Ymeri, Nuhi Matoshi e te tjerë me të cilët realizoi role të shkëlqyera. Rolet të cilat ka luajtur Sabedini janë role që para së gjithash ai para se të i pranonte i ka shqyrtuar në thellësi duke e matur veten se a mund të realizoheshin si është me se miri nga ana e tij e pastaj falë kësaj analize është thelluar në rol. Sot ai kujton si rolet më të pëlqyera në karrierën e tij, roli i Tun Çupit me komedinë e Kristë Berishës “Kryet e hudrës” dhe Kapuleti në “Romeo e Zhulieta” të Shekspirit shfaqje e cila u realizua nga çifti Londinez Margareth dhe Tony McGreath. E kaplon nostalgjia kur flet për rolet dhe bashkëpunëtorët që ka patur pa harruar të përmend askë por padyshim ka vetëm një emër me të cilin e veçon nga lista e tij e gjatë. Loja në skenë me Muharrem Sylejmanin ka qenë e veçantë sepse ne çdo dalje ne skene me te ka patur shkëndija kreativiteti për te prekur kufijtë e perfeksionit në raport me rolin dhe shfaqjen.
Aktori Shahiqi, gjatë dekadës së parë në krijimtari por edhe më tutje përveç realizimit të detyrës funksionale në teater mbuloi edhe detyra shtesë si ajo e udhëheqësit të dramës shqipe në teater duke udhëhequr për 15 vite amatorizmin dhe kulturën në komunën e Gjilanit si dhe përgjegjës arkivues ne këtë mënyrë ka ndihmuar teatrin në çdo forme dhe kurdo qe është kërkuar ekspertiza e tij. Padyshim që loja në skene mbetet shtylla kurrizore e kontributit të tij përmes së cilës ai preferonte që të linte gjurmë me punën që e realizoi përgjatë karrierës së tij.
Çfarë është skena për aktorin Shahiqi qe nuk iu nda asnjëherë?
Teatri respektivisht skena për te është hapësira e koha ku akrepat e orës ndalen. Ne këtë arenë diturie trupi, zëri dhe heshtja bëhen tok dhe funksionojnë përmes një gjuhe të veçante, ku aktori ka fjalën kryesore jo për te fshehur veten por për ta zbuluar dhe prekur thellësitë e reja. Rolet që luajnë aktoret nuk janë vetëm art për te shikuar diçka të re por për te përjetuar gjithçka bashkë me publikun.
Për aktorin Shahiqi teatri është një vend i rrezikut, aty ku nuk ka vend për maska të përditshme por ka vend për maska që shpojnë përbrenda për të gërmuar mbi të vërtetën, sepse çdo shfaqje është si një lindje dhe një vdekje e vogël përmes se cilës shohim një realitet nga i cili duhet të marrim mësimet e duhura. Skena është as më pak e as më shumë por një altar ku ofrohesh i teri me frikën, dashurinë, zemërimin, mungesat dhe dëshirën për të prekur shpirtin e dikujt tjetër. Sabedini pohon se teatrin e ka perceptuar si formën më të fuqishme të komunikimit ndër njerëzorë ku emocionet dhe historitë përfaqësohen në kohë reale, në formë fryme të fuqishme e komunikimit njerëzor- një vend ku emocionet dhe historitë marrin trajte dhe formë mesazhi.
Për më shumë ai shpjegon se skena për te është katrori i ndriçuar ku aktori ngjitet për të jetuar jetë te tjera apo ky vend është altari i artit, vendi i shenjtë në të cilin aktori flijon veten për të sjell emocion te publiku.
Sabedini pohon se te gjitha emocionet, kujtimet, pasionet, dashuritë, sakrificat ia dhuroi skenës sepse aty ka qenë me i vërtetë dhe më gjeniun se në botën reale. Cilësitë e tij spikatën edhe jashtë katrorit te ndriçuar në botën e kinematografisë në role të vogla por të paharruara për publikun si pjesëmarrës i kryeveprave Kosovare të kësaj industrie në projektet e poshtëshënuara: “Era dhe Lisi”, “Kur pranvera vonohet”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Kur shpirti ndërron jetë”, “Hekurishtja” etj.
Sabedini u sfidua edhe me botën e regjisurës duke realizuar gjithsej 6 shfaqje:
“Varre të pafajshme” të Muharrem Shahiqit, “Shtrëngata” e Sinan Hasanit, “Halili e Hajria” të Kolë Jakovës, “Hakmarrja” e Jusuf Kelmendit dhe “Cilindri magjik” i Hasan Bunjakut.
Karriera e tij u dallua me cilësi në realizimin e roleve të shumta në skenë, role që lanë gjurmë në kinematografi dhe role që mbahen mend në televizion si pjesëmarrës në projekte te shkurtra artistike në Televizionin e Prishtinës – TVP, ai u dallua edhe si organizator i punës artistike në teatrin e qytetit të cilën punë njësoj si gjithë të tjerat i realizoi me përkushtim të madh. /2LONLINE/
