“Po i bie era more retë e zeza, na ka ra o hasmi te dera”
Kështu fillon kënga e njohur për rizgjimin kombëtarë që paralajmëronte shtypjen shumëshekullore mbi ne dhe jepte kushtrimin popullor për rezistencë.
Shkruan: Gnai NEZIRI – 2LONLINE.com
Në fakt, një pamje e “reve të zeza” ka filluar të mjegulloj sërish Kosovën në tërësi, por ndoshta komunën e Gjilanit në veçanti.
Kjo dukuri e shëmtuar kulturore u ka rënë në sy qytetarëve të lirë dhe të ndërgjegjshëm gjilanas, por jo edhe të ditur mjaftueshëm se si ta pengojnë këtë dukuri që sa shkon e rritet nga koha në kohë.
Rritet papengueshëm nga pushteti, e po ashtu papengueshëm edhe nga opozita.
E kam shumë të qartë se opozita nuk mund t’i pengojë, por nuk e kam të qartë pse opozita e heshtë?!
Nuk është aq e thjeshtë kjo punë për tu anashkaluar, duke u bërë kinse nuk po shohim gjë. Ose, duke e menduar se nuk ka ndonjë rrezik potencial për mbarëvajtjen kulturore dhe edukative të fëmijëve tanë.
Nuk po besoj që kjo dukuri (e shëmtuar) nuk u ka rënë në sy administratorëve të pushtetit aktual në Gjilan. Madje, nuk po besoj që të mos u ketë rënë në sy as opozitarëve aktual a subjekteve tjera: PDK, VV, AAK, AKR…etj, si pretendues të vazhdueshëm për pushtet komunal.
Cili mund të jetë kuptimi real i këtij “biznesi” që ka marrë hov kohëve të fundit?
Dyshohet se në Gjilan ka disa shtëpi publike (të kamufluara si biznese të ligjshme), për të cilat kanë njohuri shumica e qytetarëve të Gjilanit, por unë vlerësoj se ka edhe më shumë, por për të cilat qytetari i rëndomtë mund të mos ketë dijeni. Prandaj, me të drejtë mund të shtrohet dilema; a ka dorë këtu edhe pushteti, apo shfrytëzohet padijenia e pushtetarëve aktual për të kontrolluar këtë lloj “biznesi” i cili sa vjen e shtohet si kërpudhat pas shiut?
Po opozita çfarë bënë, ku është në këto momente? Apo, mos vallë ky “biznes” edhe mund t’i bashkoj pozitë dhe opozitë?! Unë nuk e besoi!
Dilemat më qojnë në diçka më të rrezikshme se kjo që mund t’i bashkoj pozitë dhe opozitë ky biznes.
Nëse do të sjellim në kujtesë nga mbamendja jonë vitet e nëntëdhjeta, hasim një ngjashmëri me hovin e disa televizioneve private kur në orët e vona të natës transmetonin filma pornografik, i ashtuquajturi “treçi kanal”. Krejt kjo bëhej me qëllimin më të keq për të shkatërruar moralisht rininë shqiptare në Kosove. Ishte kjo një formë e sofistikuar e shërbimit serb që ndihmonin këto televizione.
Në të njëjtën kohë filloi edhe shtypi i një reviste pornografike “AMOR”, nën maskën e lirisë së shtypit edhe për temat tabu. Ndërkohë që, gazetën shpirtërore shqipe “RILINDJA” shërbimi serb e ndaloi me forcë. Pra, atë që kërkonte populli e ndaloi, ndërsa filmat pornografik dhe gazetën porno i lejoi, madje i stimuloi.
Pra, a do të duhej patur shumë mend këtu për ta kuptuar qëllimin djallëzor të pushtuesit serb?
Pra, ashtu si atëherë, duket se edhe sot UDB-ja serbe ka lënë njerëzit e saj këtu për të zbatuar teoritë e saja të sofistikuara konspirative në Kosovë duke joshur në këtë mënyrë prishjen e kodit moral të familjeve kosovare. Madje, ka shumë elemente se “ky biznes po u dhezë” mirë, sepse sikur të mos shtohej numri i klientëve në ato shtëpi publike nuk do të shtohej edhe numri i objekteve.
Tani shtrohet pyetja: A janë Shtëpitë Publike dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë?!
Alarmi po rritet, kujdes!
Këto dhe shumë pyetje të tjera rreth kësaj çështje do të duhej të shtroheshin në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
*Pse i lejon pushteti komunal?!
*Pse heshtë opozita?!
*Pse nuk reagojnë qytetarët?!…