Sa shpejt harrojmë, o Zot, sa shpejt!
Aferdita Morina-Biffar
/2L ONLINE/ – Nuk është mënyra evropiane e të zgjidhurit të çështjeve politike ajo që pamë sot ne kuvendin e Kosovës. Është e ditur nga historia e proceseve politike të një shteti se, çdo fryrje e pasioneve për të kapur pushtetin me dhunë apo rrëzuar është djallëzore, e dëmshme dhe ka të bëjë me puç ndaj vendit Nëse dikush tenton ti merr institucionet me dhunë, nuk do të ngurron as që t’i mbron ato me dhunë. Në demokraci dhuna nuk është standard. Ne demokraci vetëm zgjedhjet me vota të qytetarëve hapin garën për pushtet.
Të gjithë e dimë se protestat janë demokratike, por opozita po harron të ndajë protestën nga grushti i shtetit. Të protestosh është e drejtë , që e kanë përfaqësuesit e opozitës dhe çdo qytetar i një vendi demokratik, por të sillesh dhunshëm në Kuvend dhe ta kërkosh pushtetin me anë të dhunës, nuk është një zgjedhje demokratike.
Në asnjë vend të botës nuk lejohen shembuj të sjelljes së tillë në “Shtëpinë e Popullit”, ku opozita pas hedhjes së gazit lotsjellës duket qartë se është gatshme edhe të vandalizoj dhe përdhosë pa zgjedhur mjete, vendin dhe foltoren që vetëm shtatë vjet më parë, më 17 shkurt 2008, ligjvënësit e Kosovës kryen aktin historik, me një rëndësi jetike për fatet e vendit dhe të popullit tonë; nënshkrimin dhe miratimin solemn të Deklaratën së Pavarësisë së Kosovës.
Qytetarët i kanë ende të pashlyera në kujtesë vuajtjet, sakrificat, terrorin që provuan ndër vite deri te shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në po këtë sallë, ku sot u hodh edhe gazi lotsjellës..
Në këtë sallë, u shënua, jo vetëm hapi historik në jetën e secilit qytetar të Kosovës, por mbi të gjitha është shënuar edhe fillimi i rrugës së ndërtimit dhe konsolidimit të një demokracie të dëshiruar e të kërkuar ndër vite aq zëshëm nga populli ynë.
Sot, u përdhos kjo sallë dhe ky vend që do të duhej të mbetej i shenjtë për neve si brez që përjetuam aktin e shpalljes së pavarësisë, akt ky madhor për të cilin populli ynë kishte pritur gjatë duke sakrifikuar, luftuar dhe derdhur gjak.
Sa shpejt harrojmë, o Zot, sa shpejt…
Respekti mbi institucionet shtetërore është parim i demokracisë sepse askush nuk është mbi institucionet. Nuk duhet lejuar që të ndihet mbi institucionet e shtetit, as ky grusht i vogël opozitar, që në luftën e paskrupullt për pushtet është gati të dërgoj popullin edhe në konflikt civil -vëllavrasës.
Është për tu përshëndetur maturia e popullit në këtë rast që po i kupton drejt lojërat e ndyra të kësaj opozite të pandërgjegjshme e të papërgjegjshme karshi rolit, obligimeve dhe rregullave që demokracia i përcakton shumë qartë.
Populli ynë paqedashës ka dhënë sinjale për opozitën se nuk e ka ndërmend të i përgjigjet thirrjes dhe paralajmërimeve të tyre për protesta të dhunshme, që për qellim të vetëm do te kishin destabilizimin e vendit dhe lëndimin e shtetësisë, edhe ashtu të brishtë të Kosovës. Duke qenë të refuzuar për mbështetje nga populli, opozita ka zgjedhur rrugën e bojkotimit dhe refuzimit e bllokimit të procesit demokratik të shtetit. Kjo sjellje vandale, irituese dhe mjerane e opozitës tregon një pamje të çartë të synimit të tyre për shkatërrimin e vlerave themelore të demokracisë së shtetit te ri të Kosovës dhe proceseve integruese të saj.
Përpjekja e opozitës për të kapur pushtetin me dhunë, apo rrëzuar shumicën, është e frikshme dhe ka të bëjë me puç ndaj vendit. Me sjellje të tilla primitive e jo civilizuese, opozita jo që nuk ka për ta marr aprovimin e popullit të Kosovës por, edhe po kundërshtohen hapur e qartë nga miqtë ndërkombëtar që mbështetën Kosovën aq shumë në rrugën e saj për liri e pavarësi.
Aleatët e shtetësisë se Kosovës vazhdojnë ta mbështesin fuqishëm atë, në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial duke mbikëqyrur dhe duke u bërë garant në të gjitha marrëveshjet e Brukselit.
Një gjë duhet ta kuptojmë , ato shtete mike që investuan aq shumë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, më shumë se sa opozita vet, tregojnë kujdes që të mos bëhet asnjë lëshim që do të binte ndesh me ushtrimin normal të sovranitetit dhe funksionit të shtetësisë së Kosovës ,për të cilën ata kontribuuan, jo pak.
Sigurisht rruga e konsolidimit të shtetit demokratik është e gjatë, me sfida, përkushtime dhe punë të çdoditshme.
Lufta e ideve ndryshe është luftë e shëndosh deri atëherë kur ajo nuk bëhet luftë e dhunshme si kjo çfarë po shfaqet nga opozita në Kosovë. Dhuna do të duhej të ishte formë e tejkaluar e veprimit në vendin tonë. Tash do të duhej të vijnë në shprehje logjika e shëndosh e të menduarit dhe vepruarit në të mirë, të zhvillimit të demokracisë në vend. Logjika e forcës, logjika e dhunës është ajo logjikë që nuk i sjell vendit asnjë të mirë veç se kthim prapa dhe dëme të mëdha e vështirë të riparueshme, për vendin. /2L ONLINE/
(Autorja është anëtare e kryesisë se degës se LDK-se Prizren- qëndrimi I shprehur ne artikull është personal)
