(S) Duhen eksperimentet!?
/Regjistrimi i nxënësve në klasë të parë, testi i arritshmërisë për klasën e nëntë, ECDL dhe kurikula Bërthamë – Kurikula Zgjedhore/
Shkruan: Murat Mustafa
Në këto vite të pasluftës në Kosovë është përdorë shumë fjala ”Pilot Projekt”, që në popullore i bie EKSPERIMENT!.Eksperimentet janë të mirëseardhura, por së pari duhet të bëhet një analizë, para se të futen në zbatim p.sh: kohëzgjatja e eksperimentit, rezultatet e eksperimentit, kushtet , anët pozitive, por edhe ato negative dhe shumë faktorë tjerë. Pas kësaj vendoset se a duhet të futet ky eksperiment në atë fushë të caktuar, e jo të merret e kopjuar nga shtetet e Evropës Veriore, por edhe vendeve tjera Evropiane dhe më gjerë.
Një eksperiment në nivel komunal
Shtatori është muaj i gëzimit për fëmijët dhe prindërit që kanë për ti regjistruar në klasë të parë. Por a ndodhë ky gëzim tek fëmijët, por edhe te prindërit në komunën e Gjilanit?. Padyshim që jo!. Ky gëzim nuk ndodhë për faj të një “Llap topi” të DKA-së. Ky bën përzgjedhjen e nxënësve sipas alfabetit dhe gjinisë dhe automatikisht i shpërndan numrin e nxënësve. Këta nxënës të përzgjedhur nga llap-topi futen me një zarf dhe ju dërgohet drejtorisë së shkollës, përkatësisht mësimdhënësit të klasës së parë. Prindi ka pasur të drejtë ta përzgjedhë mësimdhënësin edhe ne vitet e 60 apo 70-at, ndërsa në ditët e sotme ka forma të shumta se si bëhet përzgjedhja e mësuesit.
Kjo metode deri me tani ka le dyshime se dikush ka përfitime (drejtoria dhe kryetari duke ja siguruar vendin e punës d.m.th sigurimi I nxënësve, sepse ka raste kur te një mësues-e paraqiten 20 nxënës , ndërsa te tjetri-a 5 nxënës ). Kjo formë e regjistrimit ka sjellë shumë telashe nëpër shkollat e Gjilanit, ku ka ardhur deri te ofendime, por edhe kërcënime nga ana e prindërve. Kështu mbesim me shpresë se në vitin e ri shkollor 2015/16 të hiqet kjo formë e përzgjedhjes.
Testi i arritshmërisë i klasave të nënta
Dihet se në muajin qershor mbahet testi i arritshmërise për nxënësit e klasave të nënta .Pra edhe ky eksperiment ( fatkeqësisht përdoret ende), është i dështuar për arsye të shumta :nxënësit e shkollave të ndryshme nuk janë të barabartë nga ana e komisionarëve (mësimdhënësve) sepse disa mësimdhënës mundohen të ju përmbahen rregullave, ndërsa një grup tjetër e “lshon n’ler”, çka do të thotë se ky grup i nxënësve është në përparësi me grupin tjetër. Tjetër keqpërdorim është edhe kur ka ndihmë edhe nga vet Drejtoria e shkollës që të ju ndihmohet nxënësve dhe që në fund të dalin si shkollë me pikë më së shumti. Është dëshmuar deri më tani se menaxhimi i këtij lloji testi, sikur edhe i atij të maturës po ngec për shumë arsye. Prandaj kjo formë është e gabuar dhe mbase pas ndonjë viti edhe të mënjanohet tërësisht, sepse nuk është i përshtatshëm!.
Do të ishte mirë muajt mars dhe prilli të shpallen muaj të vlerësimit, ku klasat e gjashtë dhe shtatat të vlerësohen në muajin mars, ndërsa klasat e teta dhe të nënta të vlerësohen në muajin prill. Si bëhet? Merren tekstet aktuale dhe nxirren pyetjet e përgjigjijet nga këto tekste, ky lloj vlerësimi jo vetëm që e vlerëson nxënësin se ku qëndron me njohuri, por njëkohësisht jep edhe vlerësime për mësimdhënësin e lëndës së caktuar. Ky vlerësim do të jetë shumë efikas për një arsim sa më cilësor.
Kursi i ECDL-it
“Peshku në deti e tigani në shporet” – Kështu pe filloj këtë mendim timin, sepse mënyra e trajnimit të mësimdhënësve ka ndodhur kështu. Shumica e mësimdhënësve Kosovar ,kanë ndjekur kursin e ECDL-it edhe atë me nga 7 module, duke menduar se në shkollat tona së shpejti do të digjitalizohen .Ky trajnim i mësimdhënësve ka ndodhur para 4-5 viteve , pra të gjitha njohuritë që kanë fituar në këtë kurs janë humbur për arsye se në shumicën e shkollave në Kosovë nuk përdoret mësimi digjital, por ai mekanik. E drejtë kishte me qenë të sigurohen mjetet për blerjen e pajisjeve digjitale pastaj mësimdhënësit të kryejnë kursin dhe menjëherë t’i ta fillojnë punën me kompjuter nëpër shkolla. Kështu ato njohuri, veç çka ishin forcuar e më së shumti do të përfitonin vetë nxënësit. Ndonëse si ide dhe projekt ka qenë tepër i mirë dhe i domosdoshëm, por ja që pa dashje mbase ka rezultuar edhe si eksperiment i dështuar.
Kurikula Berthame -Kurikula Zgjedhore
Një Kurrikulë e re me përmbajtje dhe materiale të reja dhe më shumë e bazuar në qasjen me nxënësin në qendër, dhe mësimdhënien ndërvepruese. Njohuritë, shkathtësitë dhe aftësitë që duhet të zhvillohen nga nxënësit për të pasur sukses në shekullin 21 kërkojnë pasurimin e kurrikulës në Kosovë. Tani Kosova synon të ngrihet në nivelin e standardeve evropiane dhe rrjedhimisht, ka plotësuar kurrikulat me përmbajtje të reja, metoda dhe materiale të reja mësimore dhe metoda të reja të vlerësimit që kanë të bëjnë me arritjen e standardeve arsimore.
Në Kosovë janë disa shkolla që janë pilot projekte në Kurikulën Bërthamë.
Shteti i Finlandës si shteti me cilësi më të mirë dhe më të larta të arsimit në botë , ka filluar ta përdor nga viti 2004 dhe tek 2016 do ta futë në përdorim përfundimisht .Çka do të thotë se plot 12 vite është dashur ti analizojnë përparësitë, mangësitë, vështirësitë dhe sfidat e ndryshme dhe tek pastaj të përdoret pa pasur më nevojë të ndërhynë në plotësime.
Në Kosovë , është viti i dytë i pilotimit ( nga viti 2012) ndërsa në vitin e ardhshëm do të përfshihen edhe më tepër shkolla në këtë pilotim, derisa në vitin 2017 parashihet të përfshihen të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës. Pra brenda 2-3 viteve, ne fillojmë ta zbatojmë plotësisht, pavarësisht problemeve të shumta që kanë shkollat tona , dhe pas 4-5 viteve mund të ndodh që ky eksperiment nuk po funksionon ashtu siç është paraparë dhe pastaj duhet ndërmarrë sërish diç tjetër apo edhe ta ndërrojmë e të fitojmë diçka nga sëmundja e njohur e Kosovës “Tenderomania”
Kurikula me zgjedhje -Pra është lëndë zgjedhore, ku prapë do të rehatohen shokët dhe dashamirët, por më mirë me thonë “Të fortit” , sepse nga viti 2015 lënda zgjedhore do të jetë lëndë e rregullt dhe nota do të jetë e barabartë me lëndët tjera përkatësisht notë numerike. Pra lëndët zgjedhore më nuk do të shërbejnë për plotësim norme për mësimdhënësit që kanë pasur mungesë të orëve. Tash mësimdhënësi duhet të bëjë një projekt për lëndë zgjedhore dhe nëse fiton ai projekt, atëherë mundet të jepet si lëndë . Projektit kalon nëpër duar të Drejtorisë së shkollës , këshillit të shkollës , pëlqimit të nxënësve , DKA-ja dhe në fund MASHT-it. Pra dikur nxënësit e klasave të nënta kanë pasur deri 19 lëndë , paramendoni 5-6 lëndë zgjedhore , me këtë pi bie se tash prapë kemi një eksperiment ne kurikulën zgjedhor. Pastaj këtu lindin dyshimet se me këtë eksperiment po fiton ndokush. Pra si do të bëhet zgjedhja e projektit? Projektin mund ta fitoj mësimdhënësi që është jashtë kolektivit të shkollës e ndoshta edhe nuk është fare në punë dhe fiton të drejtën si mësimdhënës i lëndës zgjedhore.
Ne po pretendojmë të kemi një arsim cilësor, por me kushte të mjerueshëm, me mësim mekanik dhe me këso eksperimenti të pa analizuar vetëm sa do ta forcojmë edhe më shumë veten në bisht të tabelës.
Reformat në arsim duhet të ndodhin, por jo me eksperimente të pafundme, mirëpo në Kosovë, eksperimentet veç merren e nuk bëhen analiza të thella, se a munden të përdoren tek ne, por në mënyrë “COPI PASTE”, i marrin dhe pastaj krenohen se jemi vendi i parë në rajon që përdorim këtë EKSPERIMENT.
Para pak ditëve u morëm lajmin se këtë vit, do te kemi Maturën digjitale , e para në rajon që përdoret në këtë formë testi!! Eksperiment!?
Është momenti i fundit që njëherë e përgjithmonë t’ju themi STOP eksperimenteve të pa analizuara!! /2L ONLINE/
(Autori është mësimdhënës i Gjeografisë në SHMU “Rexhep Elmazi” në Gjilan)
