(2L ONLINE) – Qytetarët e lagjes “Dheu i Bardhë”, kishin festë këtyre ditëve. Atyre u është larguar bezdia nga gropat, pluhuri dhe degradimi total në rrugën “Agim Rashiti”, sepse ajo tashmë është asfaltuar dhe ka ndryshuar pamjen e kësaj lagjeje, por edhe vlerën dhe jetën në këtë pjesë. Kështu thonë zyrtarë komunal, sipas të cilëve krahas kësaj rruge janë duke u punuar edhe 11 rrugica të tjera në këtë lagje të cilat do të përmbyllen në afatet e parapara me kontratë sikur që ka përfunduar konform parashikimeve edhe rruga në fjalë.
Nevzad Rushiti këshilltarë komunal dhe banor nga kjo lagje ka thënë se atje ka qenë një festë e vërtet dhe emocion për banorët kur ky projekt është përfunduar.
“Premtimi për katërshen e madhe të kryetarit Haziri, tashmë qytetarët po e prekin si në asfaltime, ujësjellës, kanalizime dhe trotuar e ndriçim publik”, ka thënë Rushiti, për të shtuar se janë të bashkuar të gjithë në qeverisje për të bërë punë të cilat do ta lehtësojnë jetën e qytetarit tonë.
“Një rrugë që kishte cilindo emër përpos rrugës, sot është rregulluar me standardet më të mira si në aspektin e kualitetit të punimeve ashtu edhe në funksionin për kalimtarët që ka. Është rrugë me një gjatësi 300 metra dhe me një gjerësi 5.5 metra, kjo rrugë tani posedon edhe trotuarin dhe gjithë infrastrukturën tjetër përcjellëse. Trashësia e kësaj rrugë është standarde dhe ka dy shtresa të asfaltit”, ka thënë tutje Rushiti.
Ai tha se falë mbështetjes dhe angazhimit të kryetarit Haziri, kjo po bëhet atje dhe ata qytetarë po e prekin dorën e qeverisjes, e cila është proklamuar që nga fillimi se do të jetë vetëm në shërbim të qytetarëve.
“Me këtë intensitet të punimeve që jemi duke punuar, mundem lirisht të them se edhe rrugicat e tjera së shpejti do të përfundohen dhe ajo lagje do të bëhet vërtet lagje me infrastrukturën të cilën e ka merituar kaherë”, ka shtuar ai, duke spikatur edhe nevoja të tjera për të cilat ka thënë se së bashku kryetarin e Komunës dhe me drejtorin e Drejtorisë për Shërbime Publike i kanë vënë në prioritet të realizimit pas këtyre projekteve. /2L ONLINE/