Rugovizmi dhe Ribrendimi Politik i LDK-së

Rugovizmi dhe Ribrendimi Politik i LDK-së

Nuk ka ditë më të mirë se sa sot, që në ditëlindjen e liderit historik të LDK-së dhe Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, të reflektojmë mbi vlerat e stilit udhëheqës dhe ato të veprimit politik të Presidentit Historik të Kosovës.

Shkruan: Faton BISLIMI

Për Kosovën në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi (pra, edhe përtej kufijëve të Kosovës), Presidenti Rugova mbetet sinonim i rrugëtimit të suksesshëm të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, si dhe gurthemel i realizimit të miqësisë sonë speciale me aleatët evropianë e veçanërisht me ata amerikanë.

Ka shumë që flasin për rugovizëm. Por, të paktë janë ata që përtej fjalës, mund edhe ta përçojnë mesazhin e botëkuptimit që fjala realisht e ka. Rugovizmi, si gërshetim i stilit udhëheqës dhe veprimit politik, shkon përtej gandizmit si koncept, dhe aktivizmit qytetar paqësor si lëvizje. Në stilin udhëheqës, rugovizmi është urtësi. Edhe në leksikonin akademik, por edhe në traditën tonë kulturore, urtësia është virtyt i lartë, është mençuri e mbështjellur me dashuri. Në veprimin politik, rugovizmi është idealizëm kombëtar, i mbështjellur me pasion. Si dy krerët e shqiponjës si simbol yni kombëtar, këto dy atribute bazë të rugovizmit janë pjesë të një trupi – ato i lidhë përkushtimi deri në vetmohim.

Prandaj, të kujtosh sot Rugovën duhet të jetë obligim për reflektim mbi vlerat e tij si lider. E, për LDK-në, përtej reflektimit, botëkuptimi rugovist duhet kuptuar si themel që premton shumë; themel që i dha shtytje të fuqishme lirisë e substancë pavarësisë së Kosovës. Themel aq i fortë, sa që premton dhe garanton ndërtimin e një Kosove që jo vetëm do na bënte neve krenar, por e cila do i bënte krenar edhe miqët tanë ndërkombëtarë, pa ndihmën e të cilëve, zor se do ishim këtu ku jemi sot.

Si prijetare e proceseve më të rendësishme politike të Kosovës në historinë moderne të saj, LDK është pjesë e pandashme e popullit tonë, sepse ajo doli nga populli, për t’i shërbyer popullit. LDK mori mbi supe barrën e madhe të procesit të shtetbërjes, të cilën suksesshëm e ka bartë sepse nën supet e saja kishte popullin e Kosovës. Edhe sot, në pluralizmin politik të Kosovës së lirë e demokratike, LDK vazhdon të ketë barrën e shtuar dhe jo vetëm politike.

Si parti politike, LDK vazhdon të jetë një shtëpi akademike e politikbërjes. Por, sikur cdo organizatë tjetër, edhepse e suksesshme me dekada, edhe LDK ka nevojë për ribrendim politik. Sot më shumë se kurrë, LDK duhet të mësojë nga e kaluara – si nga sukseset ashtu edhe nga dështimet. Fati i mirë i saj është se ka shumë më shumë histori suksesi sesa dështimi. Prandaj, e ka më të lehtë mësimin. E ka më të lehtë ribrendimin.

Neglizhimi i nevojës për ribrendim politik të LDK-së i sjellë humbje të mëdha dhe besa edhe të priparueshme jo vetëm LDK-së, por gjithë Kosovës. E, në traditën e LDK-së është të qenurit gardian i vendit, dhe jo anasjelltas.

Ribrendimi politik nuk duhet kuptuar as si diferencim, as si ndëshkim, e as si shpërblim për individin. Ky koncept ka të bëjë me vizionin e LDK-së, me ofertën që ne si LDK duhet ndërtuar sot për njëzet vitet e ardhëshme, sepse koha e bashkëdyzuar me emancipimin elektoral dhe ndryshimin demografik të vendit, tanimë e ka tejkaluar ofertën tradicionale të LDK-së. Ribrendimi politik bëhet duke u bazuar në kohezion të brendshëm partiak, dhe llogaridhënje e marrje të përgjegjësisë. Papërgjegjësia politike është formula më e sigurtë e dështimit. LDK nuk e ka as komoditetin e as kohën që në vazhdimësi të tolerojë këtë.

Ribrendimi politik është oferta e kohës e LDK-së për Kosovën, e cila gërsheton mençur rugivizmin si traditë politike jashtë së cilës LDK humbë identitetin e vet historik, bashkë me thirrjen dhe çasjen inovative në politikbërje pa të cilën LDK po e ka të vështirë të bëhet edhe vatra politike e gjeneratava të reja. Vetëm kështu, LDK do ta sigurojë rikthimin e madh, duke dalë fitimtare në betejat politike të rradhës. Cfarëdo kamoflimi kozmetik qoftë në lidership e qoftë në çasje nuk sjellë më sukses. Kurse, suksesi i LDK-së është sukses i Kosovës.

Liderë të mëdhenjë janë ata që marrin përgjegjësi të mëdha; ata që konservatorizmin e LDK-së nuk e shfrytëzojnë si mburojë për vetën, por si mundësi për partinë; ata që vizionin për LDK-në e ndërtojnë karshi kërkesave e nevojave të kohës, e jo interesave të tyre; ata që LDK-në e shohin si shtëpi e familje të përbashkët, e jo si shoqëri aksionare; ata të cilën e dijnë, e kuptojnë, e vlerësojnë, elektoratin e LDK-së si bazament të suksesit politik dhe si palën e vetme më të rendësishme të ndëshkimit politik.

Liderë të suksesshëm nuk janë ata që bartin shoqërinë (e as partinë) pas vete, por ata që e çojnë shoqërinë (edhe partinë) përpara. Historia e sukseseve asnjëherë nuk rrënohet nga një dështim. Mirëpo, një histori dështimesh, edhe nëse nuk e rrënon suksesin, përfundimisht e zbehë atë. Fundja, të presim rezultate të ndryshme duke përdorë metoda të njejta, është e pakuptimtë.

Këmbanat kanë rënë, dhe elektorati tradicional i LDK-së ka folë me zë të lartë dhe kjartë. Neve e kemi për obligim të marrim përgjegjësi. Heshtja është pranim. E ne, për hirë të Kosovës, dhe për hirë të aktivistëve, simpatizantëve, dashamirësve, dhe votuesëve besnikë të LDK-së, nuk duhet të pranojmë disfatën thjeshtë vetëm si pjesë të lojës demokratike dhe assesi jo si rezultat i konservatorizmit tonë. Sot, ne duhet që me kohezion të brendshëm, me dialog të hapur e të sinqertë, të dëgjojmë thirrjet e atyre që me votat e tyre tash e tri dekada e kanë mveshë LDK-në dhe shumë njerzë të saj me petkun e pushtetit e lidershipshit. Ky petk bie kur vota mungon. E, në demokraci, vota është një çelës i suksesit dhe një kandar i ndëshkimit.

LDK e ka rastin e mirë që tani të bëjë ribrendimin e vet politik dhe unike të dalë ballëhapur para qytetarëve të vendit me vizionin e vet, me ofertën e vet, me njerzit e vet. Dhe, nuk ka asnjë dyshim se kjo LDK mandej do të jetë LDK e zemrave të shumicës së qytetarëve të Kosovës, LDK e vlerës rugoviste, e ribrenduar politikisht për kohën, e gatshme dhe e përgjegjëshme për të marrë përsëri mbi supe proceset delikate të sforcimit të shtetit dhe mirëqenjes së qytetarit. /2LONLINE.com/

KOMENTE