(2LONLINE) – Shkas i këtij shkrimi u bë kolegu ynë gazetar, korrespodent i RTK-së në Beograd tash e sa vite, Fahri Musliu. Siç shkruajnë mediet dhe, siç deklaron edhe vetë z. Musliu, RTK po dëshiron ta pensionoj me zor! Ndërsa ka kohë që atij ju ka ndërprerë kontrata e punës dhe nuk ju ka paguar rroga! Një korrespondent i tillë, siç është Fahri Musliu, i duhet Kosovës në Beograd e kudo nëpër Evropë!
Korrespodentë të kalibrit të tillë i ka edhe Televizioni gjerman ARD ZDF në SHBA e vende tjera. Me paraqitje, me informata të peshuara, të bollshme, i drejtpërdrejt, Fahriu Musliu është korrespodenti më i mirë që ka RTK, të cilin do ja kishte lakmi çdo shtëpi televizive ta kishte! Fahri Musliu nuk është fajtor pse RTK nuk ka interes më të ketë korrespodent nga kryeqyteti serb. Është në interes të shtetit të Kosovës në të mirë të publikut dhe të mediumit publik që RTK të vazhdoj punën tutje me korrespodencat nga Beogradi, më shumë se çdo herë tjetër, sepse mbase qeveria jonë bisedon përditë me Serbinë, pse mos te kemi së paku një korrespodent të na informoj mbi ngjarjet e zhvilluara atje.
Personalitete si Fahri Musliu ka fuqi akoma dhe vullnet, ta ushtroj detyrën e tij, për të cilin ai me përkushtim u angazhua gjithë këto vite. Fahri Musliu me korrespodencat e tija na mësoi se si duhet të jenë lajmet e balancuara, objektive dhe neutrale. Në këtë drejtim ne të gjithë duhet të japim kontributin tonë, t´i përmirësojmë gjërat ne gazetarinë tonë. Andaj në ditët në vijim RTK do të ndërrojë mendimin, për të mirë dhe Fahriu t´i kthehet punës. Është edhe një mundësi për brezin e ri, të mësoj nga doajenët e gazetarisë!
Nëse RTK nuk ndryshon kursin, me këto sjellje vërtetë, mund të bëhet vonë. Ky medium, ose më mirë të themi drejtori i saj gjeneral në vend se të emëroj edhe korrespodent tjerë nëpër vende si Londër, Berlin, Paris, ky tash e lë edhe një pa punë. Më kujtohet biseda kur ishte ky drejtori në Berlin. Ja shpjegova idenë, se si raporton televizioni publik gjerman nga Anglia, për çdo javë, praj andej një ekip 3-4 veta të punësuar si korrespodent, paraqiten me lajme, raporte. I thash, kemi kuadro sa të duash, edhe me tituj magjistra nga universiteti gjerman!
Por Mentori konkludoi; ZDF është larg nga ne, ne nuk kemi buxhet. I përmendi do emisione për fëmijë dhe të tjera nëpër çajtore si emisione që i do publiku, pastaj foli edhe për reklama e kështu diçka, dhe na inkurajoi me fjalët duke thënë, jeni të hapur për bashkëpunim! Sipas Mentorit, Kosova ka probleme tjera dhe se nuk ka interes për informata nga jashtë; informata nga Bundestagu jo se jo.
Vërtetë i pa dijshëm dhe jo kompetentë, duket të jetë ky, do thosha! Kur e gjithë bota vrapon pas informacionit, ky thotë, nuk ka interes për informacione!!! Po pikërisht ne Beograd, në konferenca shtypi ku ishte Fahri Musliu, në Berlin e vende tjera, ku mungojnë korrespodentët po bëhet politika, aty ku gjithë korrespodentët janë prezent, syhapur dhe raportojnë, mungon RTK. Kur gjithë bota lufton me pas informacionin e me të edhe pushtetin, duke ndikuar në politika të jashtme, në biznes, në kulturë, politikë etj, këta mbyllen brenda vorbullës së provincializmit.
Çfarë u bë me punën e deri tanishme me korrespodentët?
Raportimi nga Brukseli me sa shihet është tash për tash më atraktiv, pasi që dihet se aty bëhet dhe vendoset fati i gjithë Bashkimit Evropian e më gjerë. Raportimet nga Brukseli vitin e fundit (2013) ishin përmirësuar dukshëm. Nga 2014 me keqardhje nuk i kam përcjell shumë. Mirëpo, siç e ceka në fillim të këtij shkrimi, raportimi nga Brukseli është përmirësuar, në përgjithësi, por akoma ka ngelur mentaliteti moçëm, pra, struktura e raportimit ka mbetur e njëjtë. Së pari, fillohet me LIVE, me raportim të montuar nëse atje shkon reporter i mediumit. RTK e praktikon modelin e njëjtë si RTS e Serbisë.
Dallimi qëndron në atë se korrespodenti i RTS jeton atje dhe duket më i pavarur, ndërsa i RTK-së udhëton bashkë me eskortën e kryeministrit ose të delegacionit kosovar. Modeli i paraqitjes së korrespondentit “mysafir” i rastit, është i përhapur edhe në vendet tjera, për raste të jashtëzakonshme. Në shumtën e rasteve paraqitja nga Brukseli e ndjek këtë praktikë: Reporteri i RTK-së e përgatit përmbajtjen e tekstit dhe raportimi dërgohet nga atje ose pritet kur delegacioni të vije në Prishtinë. RTK me sa shihet edhe tani, nuk furnizon korrespodentët me pajisje dhe kushte për punë. Korrespodenti në New York me sa e kam përcjell gjithmonë është paraqitur vetëm me telefon, kjo tregon se aty nuk ka patur investim.
Ngjashëm ka punuar edhe Fahri Musliu në Beograd. Paraqitjet kanë qenë vete me telefon dhe nganjëherë studio i ka mbuluar me pamje nga arkivi. Çdo korrespodenti i duhet pajisje adekuate: një zyrë, një kamerë, kompjuter, vido-audio-montazh, teleprompter etj. Pa këto, mediumi i lë korrespodentët në lloç. Kur jemi tek korrespodentët, tek doajenët si Musliu, puna bëhet mirë edhe nëse ka vetëm paraqitje në telefon dhe paraqitjet e tija veç se ja rritin namin RTK-së.
Por, RTK akoma nuk e ka zgjidhur problemin me korrespodentët. RTK duhet tu vazhdoj kontratat, ti paguaj rrogat në nivelin sa marrin konsujt ose ambasadorët në vendet përkatëse. Pa këto investime e pa këto pajisje nuk mund të bëhet raportimi profesional. Në këtë drejtim nuk ka përmirësime as KTV e RTV21 e mos të flasim për Klan Kosovën, pasi edhe këto media kanë probleme financiare.
Raportimeve nga Brukseli e vendet tjera shpesh (shih RTK-në, ashtu edhe KTV-në dhe Klan Kosovën) u mungon një kronikë e montuar nga vendi i ngjarjes. Edhe diçka e keqe, si praktikë nga kjo sferë po më duket që është bërë standard i keq edhe në RTK. Në rast kur vjen një korrespodent nga RTK-ja për në Bruksel anashkalohet Gjerqina Tuhina. RTK dërgon reporterë ekstra, harxhon buxhet ekstra në vend se ti lihet kjo raportimit atje, z. Tuhina. Dërgimi i reporterit nga Prishtina do të ishte më shumë për të shtuar raportimin dhe për të përcjell kryeministrin në detaje, për ndonjë raportim më të zgjeruar, për ndonjë emision politikë ose dokumentar televiziv.
Megjithatë raportimet nga qendrat e vendosjes duhet të përmirësohen gjegjësisht të intensifikohen dhe të profesionalizohen, dhe jo të largohen nga puna. Në këtë kohë, me pak buxhet, RTK i ka zgjedhur video-journalistat aty ku mundet. Ky fenomen u ka ulur pazarin profesionistëve pasi në krye të mediumeve(jo vetëm të televizioneve por edhe në gazeta) udhëheqin njerëz jo kompetent e të pa shkolluar ne profesionin përkatës. Dosido këtu ka luajtur rol edhe digjitalizimi dhe gazetaria qytetare.
Në ketë kohë, secili mundet të bëjë gazetarinë, vetëm i duhet një kamerë dhe një kompjuter. Kjo formë premton shpejtësi, kryhet me një individ ose supozohet se komunikimi është më i shpejt,më i lirë ose falas fare dhe i kursen mediumit investime dhe shpenzime për korrespodentë. Megjithatë, korrespodentët klasik nuk i zëvendëson kjo formë e video hobit, sepse misioni i reporterit nuk është reklama apo promocioni i një ngjarje, por informimi i saktë, objektiv i balancuar dhe kritik.
PS: Këtë shkrim nuk e botoi asnjë portal apo gazetë në Kosovë (ju dërgova nja 3-4-ve). Kjo tregon shumë sa kemi interes të ecim përpara, të sjellim reforma, ta bëjmë gazetarinë një profesion të leverdishëm dhe atraktiv përmes të cilit mund të punohet dhe mund të jetohet. Kur shkrova për pagesën e korrespodentit, thash i ka hise një rrogë te një konsulli, mbase puna e gazetarit është edhe me e mundimshme, më sfiduese.
Unë dhe shumë kolegë dhe kolege të shkolluara me tituj shkencor dhe me përvoja në medie, në TV me pak përkrahje dhe serioze brenda natës mund të arrijmë të bëjmë studion dhe të paraqitem me emisione, raporte, lajme si më së miri. Por për fat të keq, kjo ditë nuk do të vijë edhe për shumë kohë. Tradita e RTK-së ishte dhe mbetet: t´i largoj njerëzit e mire nga puna p.sh: korrespodentët që i pat, ju mbeti borxh deri në fyt dhe kështu i largoi, dita-ditës, njërin mbas tjetrit…!/2lonline/
Zejnullah JAKUPI