DYLON

Rrugëtimi historik i Kosovës dhe Gjilanit për çlirim

Rrugëtimi historik i Kosovës dhe Gjilanit për çlirim
Avatar photo Redaksia

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912 përfshiu gjitha trojet shqiptare. Kurse më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më shumë se gjysmën e territoreve shqiptare i la nën sundimin serb, malazez dhe grek.

Nga: Naim MUSLIU

Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, Kosova ishte nën pushtimin austro-hungarez e bullgar ndërsa në vitin 1918 Kosova u ripushtua nga serbët. Kurse Konferenca e Paqes në Paris në vitin 1919 vendosi përfundimisht që territori i Kosovës t’i mbetej Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.

EkoHigjiena

Në vitin 1924 regjimi serb filloi planin për kolonizimin e Kosovës. Në vitin 1933, qeveria jugosllave filloi negociatat me Turqinë për shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Kosova. Ky plan nuk u realizua ngase filloi Lufta e Dytë Botërore.

Nga viti 1941 deri më 1944 Kosova mbeti e ndarë në tri zona pushtimi atë italiane, gjermane e bullgare. Ndërkaq, gjatë pushtimit nazist në vitin 1943 u formua Lidhja e Dytë e Prizrenit, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e “Tokave të Lirume” nga pushteti jugosllavo – serb. Megjithatë, më 8 shkurt 1945 Kosova u pushtua ushtarakisht nga forcat komuniste jugosllave. Vitet e para të pushtimit të Kosovës nga viti 1945 deri më 1951, vepronte Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e cila kundërshtonte pushtimin komunist serb.

Në vitin 1968, rinia e Kosovës u ngrit në demonstrata që Kosova ta fitojë statusin e republikës. Në vitin 1981 filluan demonstratat e studentëve, me ç’rast u vranë dhe u plagosën shumë shqiptarë dhe u burgosën mijëra të tjerë. Më 17 janar 1982 vritet në Gjermani Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Më 11 janar 1984, në luftë me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë vriten Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Më 19 – 20 shkurt 1989, u mbajt greva e minatorëve në Trepçë. Në vitin 1989 u izoluan 254 intelektual. Më 28 mars të vitit 1989 kuvendi i Serbisë e shfuqizoi autonominë e Kosovës. Në vitin 1989 filloi pluralizmi politik dhe krijimi i partive politike ku rol të madh luajti Lidhja Demokratike e Kosovës të udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Në shkurt të vitit 1990 filloi edhe aksioni për pajtimin e gjaqeve. Më 2 korrik 1990, kuvendi i Kosovës shpalli Deklaratën Kushtetuese. Më 7 shtator 1990, në Kaçanik u shpallë Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në vitin 1991 u mbajt referendum për pavarësinë e Kosovës. Nga vitit 1992 u themeluan institucionet e pavarura të Kosovës.

Në të gjitha këto aktivitete politike e ushtarake nëpër gjitha etapat që u përmendën më lartë e që i kaloi Kosova gjatë historisë së saj, gjilanasit dhanë kontribut të çmuar dhe madje edhe vendimtar në përpjekje për çlirimin dhe bashkim kombëtarë.

Kurse në fazën e fundit të çlirimit të Kosovës, më 1 tetor 1997 shpërtheu protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci, doli në mënyrë publike Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lufta e Kosovës, filloi më 28 shkurt të vitit 1998, pas sulmit të policisë serbe në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë. Më 5 deri 7 mars 1998, bie heroikisht familja e komandantit Adem Jashari.

Në maj të vitit 1998, kontaktet e para nga Anamorava me Shtabin e Përgjithshëm t UÇK – së i vuri Abdullah Tahiri. Pas burgosjes së tij, më 18 qershor 1998, nga Shtabi i Përgjithshëm, koordinator për organizimin e Nënzonës që më vonë u quajt Zona Operative e Karadakut u caktua Ahmet Isufi. Zona Operative e Karadakut përfshinte territorin e Gjilanit, Vitisë, Dardanës dhe Artanës. Kurse më 8 nëntor 1998 në Zllash konsolidohet struktura udhëheqëse e Shtabit të Zonës Operative të Karadakut. Në këtë takim vendoset që të formohet Brigada 171 “ Kadri Zeka” që vepronte në territorin e Marecit, Malësisë së Zhegocit dhe Gjilanit.

Nga shumë masakra anekënd Kosovës forcat serbe gjatë muajve prill-maj 1999 kryen masakra edhe në Llashticë, Lladovë, Bresalc, Zhegër, Llofcë, Gjilan etj., por masakra e Reçakut më 15 janar të vitit 1999, luftën e UÇK – së e vuri në një fazë të re të veprimtarisë së saj. Në shkurt – mars të vitit 1999, u mbajt konferenca e Rambujesë. Pas tërheqjes së Misionit Verifikues të Kosovës, më 19 mars 1999, shteti serb e filloi aksionin për spastrimin etnik të Kosovës. Më 24 mars 1999, filluan sulmet ajrore të NATO – s ndaj caqeve ushtarake serbe të cilat zgjatën deri më 11 qershor.

Më 10 qershor 1999 u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës që parashihte kapitullimin ushtarak të Jugosllavisë mbi Kosovën, më 11 qershor u pezulluan sulmet e NATO –s, ndërsa më 12 qershor 1999 u çlirua Kosova dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës me forcat e NATO-s hynë nëpër qytetet e Kosovës.

Më 12 e 13 qershor 1999, në selinë e Shtabit në Kishnapole mbahet takimi me Shtabin e Zonës dhe përfaqësuesit e pushtetit civil, të cilët bënë përgatitjen e strukturës së përkohshme të pushtetit civil në Gjilan. Arritja e forcave të NATO-s në territorin e Gjilanit, nga të gjithë u prit me gëzim. Kurse sipas planit operativ të ZOK – ut, më 15 qershor 1999, nga fshati Kishnapole njësitet e Zonës Operative të Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hyjnë në qytetin e Gjilanit, ku u pritën më mënyrë madhështore nga qytetarët e Gjilanit me ç’rast edhe shënon ditën e çlirimit të Gjilanit nga forcat pushtuese jugosllave.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.