Rruga në “Arbëria”, në gjendje shumë të keqe, Azemi i kërkon publikisht kreut të komunës të ndërhyjë!
Nga: Ardian AZEMI
I nderuar kryetar i Gjilanit, Alban Hyseni,
Gjilani në përgjithësi është në gjendje jo të mirë, por rruga në lagjen “Arbëria” është në gjendje shumë të keqe. Prej qendrave tregtare deri në hyrje të fshatit Velekincë, rruga duket sikur ka dalë ditët e fundit nga lufta. Nuk gjendet asnjë metër asfallt në rregull.
Kemi reaguar vazhdimisht edhe për mungesën e trotuarit në këtë lagje. Siç e dini, nxënësit e Shkollës Fillore “Abaz Ajeti” kalojnë në numër të madh nëpër këtë rrugë, pa trotuare dhe në të njëjtën hapësirë me veturat. Rreziku është i madh, i përditshëm dhe i kahmotshëm. Nuk ka ndërhy as pushteti i mëparshëm, nuk keni ndërhy as ju.
Nuk e di kur keni planifikuar të ndërhyni, apo nëse keni bërë fare plan për ndërhyrje, por kjo rrugë kërkon ndërhyrje urgjente. Veproni sa nuk ka ndodhur diçka e keqe, sepse më pas nuk do të ketë më rëndësi nëse ndërhyni apo jo.
Ju e njihni mirë këtë lagje dhe jeni të vetëdijshëm për rreziqet që ajo paraqet. /2LONLINE/
