Xhelil ARIFI
(2LONLINE) – Rruga që më shpie afër, por jo edhe atje, mu atje ku nuk kam mundur të shkoj për njëzetepesë vjet me radhë. Në vendlindjen time!!! Një ditë jo fort tipike për këtë kohë stine, jo edhe kushedi se sa e jashtëzakonshme, por jo fort ngrohët e pa diell me temperaturë aty 12-13 gradë, më shoqëronte mua hipur në makinën time që qante rrugën jo edhe aq të asfaltuar mirë nga Gjilani nëpër Malishevë e përtej Uglarit nëpërmes një lugine të rrethuar me një natyre te bukur. Thuajse me pamje alpike, me një simbol shtesë bukurie, kalanë e cila nga emri që ka marrë të bënë me e kuptua se je afër fshatit tipik shqiptar, Pogragjës, që unë që nga fëmijëria e hershme mbaj mend si një qendër e zonës dhe katundeve përreth.
Dhe deri aty nga vitet e tetëdhjeta aty ishte i vetmi stacion autobusi që bënte lidhjen mes asaj ane dhe Gjilanit, të cilën e kam provuar edhe vete. Ecnim me orë deri sa arrinim aty për të pritur autobusin për të shkuar tutje për Gjilan. Më vonë është shtruar me asfalt një pjese e udhës që shpie nga Pogragja për në pjesët më të thella andej nga kufiri administrativ i atëhershëm e tani shtetëror, më saktë të vendi ku quhet, Xhamia e Sllubicës. Është një udhe e ngushtë e asfaltuar që të nxjerr nga Pogragja në drejtim të kufirit.
Shkojmë tutje dhe menjëherë të bien ne sy peizazhe të bukura natyrore që ka kjo anë e Karadakut dhe shenja të një gjallërie njerëzore. Një plak kapuç bardhë ruante një lopë në një livadh të rrethuar nga ara të mbjella me grurë afër dy tri shtëpive të ndërtuara mu rrëze një mali që në shikim të parë të duken të pajetë. Më duket se u thonë ‘Muhaxhirët e zashkoknikve’. Emërtimi muhaxhir (të ardhur) mund të haset shpesh. Këta janë të përndjekurit nga trojet shqiptare në Serbinë e sotme të vendosur në këto ane.
Gjatë udhës qê vazhdojmë tutje nëpër vendbanimin tjetër pak më të madh Rekali ne shohim mekanizëm për gërryerjen e tokës dhe sa shkojmë më tutje dallojmë ndërhyrje brutale dhe shkatërrim total të shtratit të një lumi të vogël që rrjedh atypari i njohur si rekë. Rruga e vetme është dëmtuar aq rëndë nga eksploatimi i rërës nga dy anët e saj. Më tutje dy shtylla elektrike të behet sikur mbajnë njëra tjetrën sepse e tërë rëra përreth u është marrë dhe ato kanë ngelë në maje të një ujdhese të vogël.
Kur arrijmë aty ku ma tutje nuk guxojmë, te xhamia takojmë Ridvanin. ulur në një tavolinë me ulëse druri që kishin ndërtuar gjuetarët, e që na tha se po priste lopët që kishin kaluar ne anën tjetër të kufirit ti ktheheshin sepse ky nuk do te guxonte me shkua me i marrë sepse do kualifikohej si kalim ilegal dhe do ti duhej të paguante 200 euro xhandarmërisë serbe ose të mbante burg në Preshevë.
Ridvani banon aty fare afër kufirit me te afërmit në pak shtëpia. Ata kanë shtëpi edhe në Gjilan, por shton se në kushte të sotshme më mirë jetohet këtu e kështu se atje. Ai thotë se ndonjë shqetësim të madh kohëve të fundit nuk kemi edhe pse tregon se herë pas here xhandarët serbë kalojnë këndej kufirit deri te qeshma pranë xhamisë , pinë ujë dhe shkojnë tutje.
Në fund mua mu deshtë të mjaftohem me nostalgjinë sepse edhe pse shumë pak larg nga aty kam vendlindjen, Ranatocin (Myrtajt), nuk e arrita ta shoh edhe pas 25 vitesh. Kjo është një histori tjetër që lidhet me atë të historisë së trojeve tona të humbura që më duhet ta marrë me vete në kthim e sipër. /2lonline/