Rritet numri i të prekurve me kancer në Shqipëri, shkaktarët kryesorë

Rritet numri i të prekurve me kancer në Shqipëri, shkaktarët kryesorë

Vdekshmëria nga sëmundjet tumorale ka shënuar një rritje të fortë te meshkujt përgjatë vitit 2018, ndërsa në të kundërtën është ulur tek femrat.

Sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT, numri i meshkujve që humbën jetën nga sëmundja e pashërueshme ishte 2,365, me një rritje prej 5.1% (115 raste më shumë) në raport me vitin e mëparshëm dhe duke arritur në nivelin më të lartë në katër vitet e fundit. Grupmosha më e prekur është ajo mbi 50 vjeç (me 94% të rasteve totale), por në 2018-n ka pasur shtim të rasteve te moshat e reja 20-24 vjeç (10 vdekje nga tumoret nga 3 vitin e mëparshëm) dhe 23 raste për grupmoshat 35-39 vjeç (nga 13 vitin e mëparshëm). Qytetet që shënuan rritjen më të lartë të rasteve, në vlerë absolute ishin Dibra (+32 raste), Elbasani (+24 raste), Tirana (+18), Vlora (+16), Shkodra (+13), ndërsa rënia më e lartë në vlerë e vdekjeve të meshkujve nga tumoret në raport me një vit më parë ishte në Kukës (-16).

Në kontrast, vdekjet e femrave nga tumoret ranë në 2018-n me 4.6%, duke arritur në 1,330 raste (65 më pak se viti i mëparshëm). Grupmosha më e prekur mbetet ajo mbi 50 vjeç (me 90% të rasteve), por ndryshe nga meshkujt nuk ka pasur rritje te grupmoshat e reja. Rënia më e madhe e numrit të vdekjeve të femrave në vlerë absolute u shënua në Tiranë (-31), Fier (-30), Gjirokastër (-23), ndërsa rritja më e madhe ishte në Lezhë (+19).

Mjekët e shpjegojnë rritjen e vdekshmërisë të meshkujt dhe rënien te femrat me faktin që këto të fundit janë bërë më të ndërgjegjësuara kanë rritur kontrollet për gjirin, bëjnë më shumë mamografi dhe papteste dhe kanë qenë më të prira për të ndryshuar stilin e jetesës.

Ekspertët në Spitalin Onkologjik pohojnë se, ndotja e mjedisit dhe dieta ushqimore janë faktorë përgjegjës për kancerin në rritje. Ata pohojnë se rastet më të shumta janë në zonat e ndotura të vendit sidomos në qytetet industriale, si Elbasani, Fieri dhe zonat kufitare të vendit, sidomos ato me Kosovën, ku ka pasur ndotje në kohën e luftës.

KOMENTE