Rrita e Universitetit Publik “Kadri Zeka” është në të mirën e të gjithëve!

Rrita e Universitetit Publik “Kadri Zeka” është në të mirën e të gjithëve!

Kohët e fundit, duke filluar nga Qeveria, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, portalet e deri te qytetarët tanë, flitet rreth ”transformimeve” të Universiteteve të Kosovës, pra edhe të Universitetit Publik ”Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan. Si mësimdhënës universitar dhe pjesë e të gjitha zhvillimeve të pasluftës, po ndjejë obligim të them disa fjalë dhe qëndrimin tim.

Shkruan: Xhevdet Thaqi

Që nga fillimi e kam përkrahë hapjen e Universiteteve të reja në Kosovë, pra edhe të Universitetit Publik ”Kadri Zeka” në Gjilan. Kam konsideruar se monopolizimi i zhvillimeve shkencore, arsimore, kulturore e të tjera vetëm në një qendër të Kosovës nuk është e mirë, dhe do ta qonte Kosovën në drejtim të modeleve ameriko-latine të zhvillimit; ndërsa hapja e universiteteve në qendrat tjera të Kosovës do ta qojë Kosovën në drejtim të modeleve zhvillimore të gjithëmbarshme evropiane dhe të vendeve të zhvilluara. Mos të harrojmë edhe faktin që hapja e Universiteteve të reja mundëson rritjen e konkurrencës në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë e cila do t’i bënte mirë edhe Universitetit të Prishtinës.

Kështu, Universiteti ”Kadri Zeka” në Gjilan (së bashku me universitetet tjera) është themeluar me propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 6 mars 2013, të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 30 Maj 2013, në përbërje të të cilit ishin 3 fakultete (Fakulteti i Edukimit, Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik). Detyrë e parë e UKZ ishte akreditimi institucional (si universitet në themelim) dhe akreditimi i programeve studimore të fakulteteve. dhe hapja e fakultetit të ri të Shkencave Kompjuterike. Raportet e vetëvlerësimit dhe puna e bërë në UKZ u vlerësua pozitivisht nga Ekspertët Evropian dhe Agjencia për Akreditim e Kosovës akreditoi të tri fakultetet ekzistuese (Edukim, Juridik, dhe Ekonomik) dhe Fakultetin e Ri të Shkencave Kompjuterike dhe programet e tyre më datën 07. 05.2014.

Po në këtë vit (2014), UKZ regjistrohet në ECAS të EU (European Commission’s authentication service – ECAS) dhe fiton projektin e parë nga programi Erasmus Mundus – GreenTechWB. Studentët e parë të regjistruar në UKZ përfitojnë grante për studime në Universitetin e Paderbornit (Gjermani), në Universitetin e Lubjanës (Slloveni) në Universitetin e Splitit (Kroaci) e tjerë.

Po në këtë vit UKZ pasurohet me profesorët dhe asistentët e parë të rregullt në UKZ, si dhe zyrtarët për shërbime të studentëve, financave, IT etj. Ky numër ishte ende shumë i vogël në krahasim me nevojat e UKZ.

Në vitin e dytë të punës (2015) u organizuan zgjedhjet e para të studentëve dhe të organeve të Universitetit ”Kadri Zeka”. U zgjodh dhe u Konstituua Parlamenti i Studentëve, Këshillat e fakulteteve, Senati i universitetit, anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit, etj. Pas Konkursit publik u zgjodh edhe Rektori i parë i Universitetit ”Kadri Zeka” dhe Dekanët e Fakultetit të Edukimit, Juridikut, Ekonomikut dhe të Shkencave Kompjuterike. Në planin ndërkombëtar u shënua suksesi i Dytë – UKZ përfitoi edhe një projekt – projektin EUFORIA nga programi Erasmus +. UKZ bëhet anëtar e ATEE me seli në Bruksel, dhe anëtare e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike (BUA).

Në këtë vit fillon një organizim i mirëfilltë i punës akademike në UKZ, duke bërë një riorganizim të punës akademike, shkencore, studentore dhe organizative. Nga ky vit, Fakultetet e UKZ fillojnë të ndërtojnë identitetet e tyre në funksion të promovimit të objektivave të Hapsirës Evropiane të Arsimit të Lartë (Europian Higher Education Area – EHEA).

Në vitin e tretë (2016) u punua në përgatitjen e procesit të Riakreditimit Institucional dhe të programeve studimore të UKZ. Ky proces tani më ishte i lehtë për strukturat tani më të konsoliduar të UKZ-së. Më datën 6 Korrik 2016, Agjencia e kareditimit të Kosovës, bazuar në Raportet e Ekspertëve Evropian në përbërje: Prof. Dr. Kristiina Tonnisson, Prof. Dr. Erwin Bratengeyer, Prof. Dr. Josep Maria Duart. përbërje: Prof. Dr. Peter Parycek, Prof. Dr. Ksenija Grubišić, të cilët vizituan dy herë UKZ-në, ka vlerësuar aplikacionin e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, dhe duke u bazuar në të gjeturat e ekspertëve të akreditimit gjatë realizimit të vizitës, dhe në rekomandimet përfundimtare të dhëna në raportin final nga ekspertët e cekur më sipër, KSHC vendosi të Ri-Akreditojë UKZ-në si Institucion Universitar dhe programet e studimit të 4 Fakulteteve për periudhën e ardhshme 3 vjeçare. Po në këtë vit, UKZ realizoi me sukses edhe Konkursin e dytë për Staf Akademik duke u pasuruar edhe më tej me profesorë, ligjërues dhe asistentë në të gjitha fakultetet. Në këtë vit, diplomuan studentët e parë në Fakultetin Ekonomik (studimet trevjeçare) në mënyrë solemne. Të gjithë studentët e diplomuar në UKZ nuk e kishin të vështirë të kalonin provimin pranues në studimet master në UP duke i lënë mbrapa në listë studentët e e fakulteteve tjera.

Menjëherë filloi puna në hartimin e Strategjisë Zhvillimore të UKZ-së. Pas organizimit të disa punëtorive në kuadër të Fakulteteve, analizave dhe konsultimeve të shumta me dokumente zhvillimore të institucioneve qendrore dhe lokale, në shkurt të vitit 2017 u hartua Strategjia Zhvillimore e Universitetit ”Kadri Zeka”. Në këtë dokument janë detajizuar deri në hollësi hapat e zhvillimit të UKZ-së në drejtim të zhvillimeve të gjithëmbarshme të rajonit, Kosovës dhe më gjerë. Më vonë, u hartua edhe Plani i Veprimit për realizimin e Strategjisë Zhvillimore të UKZ-së.

Në fillim të vitit 2017 u bë prezantimi i projekteve të para të studentëve të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në të cilat u prezantuan zgjidhje konkrete duke zbatuar teknologjinë informative. Në janar të vitit 2017 doli nga shtypi edhe numri 2 i revistës KODI X të FSHK. Në këtë kohë filluan edhe aktivitetet në realizimin e projektit të tretë ndërkombëtar të UKZ-së – Ready For Business in IT (REBUS) të programit ERASMUS +. Në kuadër të këtij projekti, në llogarinë e UKZ u deponuan grantet e para financiare (në mijëra euro) nga Bashkimi Evropian, ndërsa së shpejti do të inaugurohet edhe donacioni tjetër – Kabineti i ri i informatikës me 30 kompjuterë bashkëkohor.

Gjat vitit 2017 u punua në ngritjen e studimeve në nivel të studimeve master, të parapara me Strategjinë e Zhvillimit të UKZ-së. U punua në përgatitjet e nevojshme për akreditimin e dy programeve master: e-qeverisja, dhe Qeverisja lokale dhe shoqëria demokratike. Ngjarje me rëndësi e vitit akademik 2017/2018 fakti që për herë të parë filluan ligjërata në studimet master edhe në Gjilan. Programi master e-qeverisja, u vlerësua lart nga ekspertët e kësaj fushe si në Kosovë po ashtu edhe jashtë, si ndër programet më të avancuara në tërë regjionin e Ballkanit.

Në tetor të 2017 u organizua ngjarja më e rëndësishme e regjionit të Gjilanit – Ceremonia e parë solemne e diplomimit të studentëve të UKZ-së në palestrën e sporteve në Gjilan, e cila do të jetë ngjarje e përvitshme e Gjilanit.

Në fund të vitit 2017, morëm konfirmimin se Universiteti ”Publik ”Kadri Zeka” në Gjilan u pranua anëtar i Fondacionit të Universiteteve Evropiane me seli në Bruksel (European University Foundation – EUF).

Në këtë vit (2018) po punohet në përgatitjet për akreditimin e Fakulteteve të reja në kuadër të Universitetit Publik ”Kadri Zeka”. Serioziteti në punë, cilësia dhe arsyeshmëria po argumentohet me fakte dhe analiza të bazuara. Sigurisht që në vitin akademik 2018/2019 do të regjistrojmë edhe studentët e parë në fakultetin e pestë të UKZ-së, i cili do të jetë Fakulteti i Matematikës Aplikative.

Në vitin 2018 po punohet në përgatitjet e Konferencës së parë ndërkombëtare DiSoTech (Digital Solutions Technology Conference) e cila do të mbahet nën koordinimin e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të UKZ-së në përkrahje të WBF. Do të vazhdojë ngritja e cilësisë së studimeve bachellor dhe master, duke aplikuar standardet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të lartë. Nuk do të ketë ndalur në arritjen e objektivave të fakulteteve dhe në realizimin e misionit të Universitetit ”Kadri Zeka” në Gjilan. UKZ nuk është i përsosur, sikurse që nuk janë të tilla as universitetet tjera në vend dhe në botë, por ne e dimë rrugën tonë dhe qëllimet tona. Këtë do ta arrijmë ngase kemi vullnet, kemi mundësi, kemi miq në mbarë botën dhe kemi studentët më të mirë në vend dhe në rajon. Që studentët tanë janë më të mirët e kanë thënë e thonë dhe do ta thonë e do ta pranojnë edhe në të ardhmen të gjithë profesorët që kanë pas nderin të mbajnë mësim në Gjilan.

Dhe në fund – i vetëdijshëm që kam lënë të përmendi shumë suksese tjera që janë arrit në UKZ, një porosi dhe një lutje politikës dhe politikanëve: nëse nuk doni apo nuk dini të na ndihmoni, bëhuni së paku njerëzor e mos na pengoni! Mos na pengoni dhe shantazhoni në rrugën tonë të shenjtë në ngritjen e Universitetit ”Kadri Zeka” ne universitet të hapur dhe evropian për studentët tanë për të ardhmen tonë! Mosni!

/Prof.asoc.dr. Xhevdet Thaqi, Universiteti Publik ”Kadri Zeka” në Gjilan. Kosovë/

 

.

KOMENTE