Rreth raportit të punës së Komiteteve dhe planeve të punë së tyre

Rreth raportit të punës së Komiteteve dhe planeve të punë së tyre

Nevzad Isufi

Mendoj që prej të gjitha raportimeve të deritashme nga kjo përbërje e Kuvendit dhe komiteteve, është e para që nga aspekti kohor është në rregull, pra raportimi po bëhet në seancën e parë pas përfundimit të vitit kalendarik. Por kjo është gjëja më pozitive që mund të them për këto raporte në përgjithësi. Por, aspektet tjera nxjerrin shumë të meta e mangësi në raportimet e Komiteteve.

Do ja filloja nga Komiteti ku edhe unë bëjë pjesë, e që konsiderohet Komiteti më i rëndësishëm, pa të cilin në pikëpamje ligjore Kuvendi nuk do të ishte funksional, Pra, Komiteti për politikë dhe financa, i cili në këtë periudhë trevjeçare, dhe si duket as në të këtë të fundit as nuk ka pasur plan punë dhe as që ka paraqitur raport ndonjëherë, ndonëse, grupi që unë përfaqësoj si subjekt politik, por edhe unë disa herë kam kërkuar që të bëjmë plan të punës dhe të raportojmë para Kuvendit për punën tonë, ashtu siç kam kërkuar që pas çdo mbledhjeje të këtij Komiteti, do të duhej nxjerr përfundimet që kanë të bëjnë me pikat e caktuara të çdo mbledhjeje e takimi. Por kjo nuk është bërë dhe siç duket nuk do të bëhet asnjëherë gjatë këtij mandati të këtij Kuvendi dhe natyrisht përgjegjësia bie mbi ne të gjithë,një nga një, e më së shumti mbi ata që e udhëheqin dhe kanë shumicën edhe në komitet edhe në Kuvend.

Njëjtë qëndron puna edhe Komitetin për Komunitete, për të mos përmendur ato që thash për KPF-ën.

Pra kjo është një mangësi, nga i cili pastaj derivojnë edhe shumë mangësi të tjera në Kuvend, por edhe në Komitetet tjera.

Parë nga ky aspekt, pra ne nuk kemi shërbyer si një Komitet shembull. Pra, të themi kushtimisht,se duke qenë vetëkritikë po i jap të drejtë vetes të bëjë vlerësime e kritika edhe për komitet tjera. Në radhë të parë për ato komitete, të cilat nuk kanë pasur as plane pune, siç është komiteti për shëndetësi, ndërsa komiteti për bashkëpunim ndërkufitar, as komiteti i ekspertëve nuk ia kanë ofruar Kuvendit planet e tyre, por edhe komitetet të cilat kanë pasur plane, ashtu siç i kanë pasur, por që gjatë punës njëvjeçare as që janë bazuar në to, ose krejt papërfillshëm kanë vepruar me to, e në këtë mënyrë pothuajse kanë vepruar përgjithësisht. Pra plani është tjetër e veprimi është krejt diçka tjetër. Për ta vërtetuar këtë, mund të shikoni planet e punës të komiteteve për vitin 2016 dhe raportet e tashme, dhe do të bindeni për shpërputhjet për të cilat po flas, ndërsa gjatë vitit që lamë pas, asnjë komitet nuk ka shqyrtuar në ndonjë mbledhje të tij, plotësimin a ndryshimin e planit të punës.

Nuk konsiderohet raport pune i një komiteti përshkrimi i punëve dhe kompetencave që ai ka, as përbërja e komiteteve, sepse shumica e këtyre komiteteve kanë të njëjtën përbërje që nga fillimi. Gjithashtu nuk mund të konsiderohen raport pune rishkrimi i rendit të ditës të secilës mbledhje të komitetit. Po ashtu disa komitete në bazë të asaj çfarë kanë shkruar, del se kanë bërë shumë takime por nuk kanë arritur të sendërtojnë pothuajse asnjë qëllim, duke mbetur në fund vetëm me formën e rekomandimit për të ardhmen. Këto janë disa nga mangësitë kryesore, pra përmbajtjesore, pa u ndalur në mangësitë procedurale, siç janë vonesat në dërgim të materialeve, madje mosrespektimi i afatit për mbledhje, deri te mbledhjet pa material për anëtarët e komiteteve.

Të gjitha këto që përmenda i relativizojnë dhe zbehin edhe përpjekjet, por edhe punën në përgjithësi të komiteteve, e si rrjedhojë edhe punën e Kuvendit. Për këtë arsye unë propozoj që për aprovimin e secilin raport të punës së komitetit të shkohet veç e veç, sepse disa nga këto raporte mund t’i quani si të doni, por gjithsesi jo raporte pune, sepse të tilla nuk janë, ashtu siç nuk mund të quhen disa as plane të punës, si plane, të parapara për vitin 2017.

Unë qëllimisht nuk përmenda emra, nga se të gjitha këto për të cilat fola i keni para vetes, por poqe se doni mund të ndalem edhe te emrat konkret të komiteteve dhe të udhëheqësve apo kryesuesve.

Por nga praktika e deritashme planet e punë së disa komiteteve nuk janë dorëzuar në kuvend, prandaj as që kemi pasur rastin t’i votojmë si të tilla.

Ta zëmë ku e kemi planin e punës së njërit prej komiteteve shumë të rëndësishme siç është Komiteti i Arsimit, nuk e kemi. Për këtë arsye mendoj se duhet të jemi shumë më të zëshëm të gjithë si anëtarë të Kuvendit, sepse të gjitha këto reflektojnë edhe në punën dhe suksesin tonë sipor Kuvend i zgjedhur drejtpërdrejtë nga qytetarët e në shërbim të të cilëve duhet të jemi.

Por, pavarësisht kësaj, Partia në pushtet çka do të që jetë me prejardhje nga LDK.ja e drejtuesit e saj, e voton pa qarë kokën, nëse ka diçka që nuk shkon dhe që nuk ka vlerën e një raporti a dokumenti të caktuar. Kjo është për habi dhe e çuditshme!

/Autori është anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky është diskutimi i tij në seancën e fundit të Kuvendit Komunal ku njëra ndër pikat e rendit të ditës kishte të bënte edhe me – “Raportet e punës të Komiteteve të KK-Gjilan për periudhën Janar-Dhjetor 2016” si dhe “Planet e punës të Komiteteve të KK-Gjilan për vitin 2017″/

KOMENTE