Ashtu si emërimet e poashtu edhe shkarkimet e tyre janë mentaliteti i ulët shtetformues i udhëheqësve tonë.
Shkruan: Gani NEZIRI – 2LONLINE.com
Pa pardon e mbështes vendimin për shkarkimin e disa konsujve të “kontrabanduar” në disa konsullata evropiane.
Mirëpo, nuk ndjehem mirë me faktin e shkarkimit nga një U.D. Presidente që pikërisht edhe ajo është e “kontrabanduar” si edhe vet Konsujt. Pozitë kjo, e fituar mbi bazën e fatkeqësisë së tjetrit që “shkoi”!
Pra, cili mund të jetë kuptimi real i këtij anulimi?!
Rrjedhimisht, në mes të keqpërdorimit të pozitës së deputetit nga Haxhi Shala që ka “shitur votën” me kushtin që djali i tij “i meritueshëm” të emërohet Konsull në Pragë, dhe keqpërdorimit po ashtu të pozitës U.D. e Presidentit znj.Vjosa Osmani me një varg papërgjegjësish të veta si ky i pari, unë nuk mbështes as njërin dhe as tjetrin veprim. Shteti ka një kuptim më serioz në raport me këto veprime lakmish e inatesh.
Prandaj, këto veprime i cilësoj si të papërgjegjëshme dhe lojë e mentaliteteve të ulëta me shtetin.
Qytetarë të Republikës së Kosovës, tani përpiquni të imagjinoni mundësinë e radhës pas zgjedhjes së Presidentit të ri i cili do të inaugurohet së shpejti, i cili, me ose pa të drejtë mund të anuloj këto vendime si të kundërligjshme?!
Kjo mund të ndodhë krejt lehtë ashtu si në rastin e qeverisjes dymujore të VV-së kur shkarkoi “me të drejtë” bordet “profesionale” që ishin krijuar nga akraballëku i qeverisjes PDK&LDK. Ndërkohë që, emërimi i menjëhershëm i bordeve të reja u bë mbi të njëjtat baza “profesionale” nga akraballëku i ri.
Pastaj, për më pak se dy muaj ra qeverisja e z.Kurti dhe menjëherë u krijua qeverisja Hoti e cila menjëherë anuloi të gjitha ato borde “profesionale” për të krijuar bordet tjera “profesionale” nga akraballëku i vet brenda LDK-së!
Konsideroj se, gjitha këto veprime nga “istët” e ngjashëm të radhës së partive janë të papërgjegjshme nga secila qeveri që i krijoi ato borde.
Krejt këto veprime janë si pasojë e mungesë së dijes për shtetformim!
Pra, nuk është e thënë dhe as nuk mjafton që të jesh “patriot” luftëtarë, e i papërgjegjshëm, për funksionim të shtetit dhe as profesoreshë “me dije të lartë”, e injorante në karakter, për t’i shërbyer funksionimit ligjor të shtetit.
Athua vallë, kur do të jemi shtetformues në kuptimin e drejtë të fjalës?! /2LONLINE.com/