DYLON

Rreth dramës “Bryma e vdekjes”

Rreth dramës “Bryma e vdekjes”
Avatar photo Redaksia

Drama e Milazim Krasniqit “Bryma e vdekjes” e Teatrit Kombëtar të Prishtinës, regjisore Burbuqe Berisha solli dhimbjen dhe zgripin ekzistencial te popullit shqiptar në Kosovë gjatë dhunës genocidiste të pushtuesve serbe, që synonin zhbërjen e tij me tërësi, deportimet masive jashtë atdheut të të parëve, në rastin e dramës në Bllacë, kufirin me Maqedoninë.

Nga: Josif Papagjoni

Është vështirë të shkruhet për tema të tilla, ku tragjikja shfaqet shumë e mprehtë, haptazi dhe në kuota siperane, kur ajo shpesh është e shpërndarë në mijëra dromca dhe ti të duhet ta hedhesh dritën atje ku ajo shfaqet më mirë e dhemb më shumë, dhe ku kujtesa kombëtare ende drithëron nga vuajtja, tmerri, dhuna, kërcënimi, tortura dhe vdekja, andaj dhe impakti mbetet i fuqishëm.

EkoHigjiena

Drama është e llojit epik, sa dhe poetik, pasi ngrihet mbi një metaforë: qëndresa ndaj barbarisë dhe besimi se e drejta vjen dhe triumfon një ditë.

Për të krijuar qasje dhe asociacione ideofigurative që lidhin epoka historike dhe abstragojnë mbi to, autori ka shfrytëzuar narrativen biblike të Moisiut që i priu fiseve hebraike drejt tokës së premtuar, për t’i shpëtuar shfarosjes së faraonit egjiptian, sikundër edhe një farë ezoterizmi a besimi fetar se Zoti sheh dhe jep te drejtën e munguar.

Kjo ide me fortë deklarohet nga personazhi i një djaloshi që ka pësuar traume psikike nga dhuna serbe, sikurse edhe nga situata poshtëruese prej robi ku janë vendosur kosovarët, të kthyer gati në turmë të ç’personalizuar prej deportimit a një farë kavie sociale e nacionale, si pasojë e trajtimit çnjerëzor që u bëhet.

Ai vuan situatën perse nuk ka shkuar me të tjerët në male të luftojë për lirinë, por i është bindur dëshpërimit të prindërve.

I kthyer në bartës retorik të mesazhit, që vjen e përsëritet shpesh në formën e rrëfenjes biblike për të pasur një prijës që ta nxjerr popullin nga errësira, ai me pas vritet nga serbët si i padëshirueshëm.

Vdekja e tij, sikurse edhe vdekja e një vajze të vogël janë dy çastet tragjike ku edhe ngre ashtin e vet drama. I pari është, në një farë kuptimi, theroria e idealit, e dyta është theroria e mundimit fizik dhe vuajtjes.

Duhet thënë se autori nuk ndjek modelin klasik, por pëlqen ngritjen e një strukture narrative që e dobëson elementin dramatik letrar, duke na ofruar më shumë imazhe të një turme njerëzore, pra populli i Kosovës, udhëve të fatit, mbijetesës, eksodit biblik, vuajtjes, frikës, vdekjes.

Përmbi gjithë këtë gjëmë e kob drama nënkupton gjithsesi triumfin e qëndresës kombëtare, paçka se vepra mbyllet me një procesion varrimi.

Mesazhi i qëndresës për lirinë dhe ekzistencën, sikundër mesazhi tjetër për triumfin e arsyes dhe të vërtetën është shprehur sakaq nga i ati i djalit të traumatizuar.

Përpos tonit elegjiak, tragjik dhe poetik, drama duket e shtrirë dhe jo rralle krijon “xhepa” ritualistik të përsëritshëm me krizat e djalit, rrahjet e policeve etj; dy ngjarje, aq sa ka pjesa, nuk e mbajnë dot gravitetin e saj tragjik.

Më duket sikur ka me shume një natyre filmike duke përpunuar e përcjellë nje imazh kësisoj, pra të turmës së përndjekur, gjenocidit, rrugëtimit, vuajtjes, ç’personalizimit dhe poshtërimit me rrahjet e policeve etj, dhe me pak hasen depërtime në pjesën shpirtërore, ndofta dhe pa bërtitur shumë e pa shumë klithma, pasi dhuna dhe vuajtja jepen skenikisht edhe në mënyra te tjera teatrore, pastrohen, rimodelohen.

Drama synon, si të thuash, epopenë por nuk e mbërrin dot atë në thellësinë e vet. I mungon mendimi dhe një fjale më e përpunuar.

Mu krijua përshtypja se është më shumë filmike sesa skenike. Sidoqoftë ajo e solli zymtimin tragjik, gjëmën dhe picirin, mynxyrën dhe përballjen e saj dhe në dy momente krijoi emocione të forta.

Nga pikëpamja regjisoriale shfaqja e përcolli imazhin e rëndë të eksodit, vuajtjes, barbarisë dhe dhembjes se skajtë. Sikundër thashë, kishte një projektim gati filmik të mizanskenës. Por mu duk hapësira skenike e ngushtë dhe vendosja e turmës ishte si shumë e ngjeshur, krijonte një farë papastërtie në anën vizuale të saj.

Ndofta do te duhej një zhvillim i mizanskenës edhe vertikalisht, për ta bërë imazhin më transparent, me më shume ajër.

Me ndriçimin ishte punuar dobët. Ardhja dhe vargimi i njerëzve krijonte efektin e dëshirueshëm, jo thjesht pamor, por ajo që e nxori leximin regjisorial në mbishtresime kuptimore përtej fjalës që trajtimi muzikor, shfrytëzimi i vajeve korale dhe i këngëve, që ngjasonin ndonjëherë me kore kishtare e rapsodi shqiptare mbi lahuta që kullonin dhembje.

Dialogët e serbëve mund të përpunoheshin me mirë, për ta shpërfaqur filozofinë e zhbërjes së kombit shqiptar jo në forma thuajse retorike e deklarative, por të tretura në një psikologji dinake, bizantiniste dhe tejet të besueshme për ta, madje jetike. Vetëm kështu armiqtë bëhen më të besueshëm e jo butaforikë. Sepse “armiqtë” ende vazhdojnë ta kenë damkën e të ligës, barbarisë, djallëzores mu në ballë, si të jetë e shkruar me germa të kuqe: Ja djalli, shiheni!

Kjo është një klishe e tejkaluar tashme për letërsinë, teksa duhet dhënë pikërisht e “vërteta” që ata besojnë, e tretur si mendësi dhe mënyrë përjetimi.

Finalja, edhe pse tragjike, procedon mire sidomos përmjet shoqërimit muzikor. A mund te jete parti muzikor edhe me i përpunuar? Sigurisht. Por e mira s’ka fund…

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.