Rreth 200 semimaturantë diplomuan në ceremoninë e organizuar nga DKA
Në një organizim të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Kamenicë, u mbajt ceremonia e diplomimit të rreth 200 semimaturantëve, të cilët përmbyllën një etapë të rëndësishme të rrugëtimit të tyre arsimor.
Ceremonia mblodhi drejtorë shkollash, mësimdhënës, prindër dhe nxënës, duke krijuar një atmosferë festive e emocionuese për të gjithë të pranishmit.
Drejtori i Arsimit, Selami Klaiqi, në fjalën e tij theksoi përkushtimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit për krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit, duke veçuar investimet dhe lehtësirat që po ofrohen për një shkollim cilësor në arsimin e mesëm.
“Diplomimi është një moment krenarie për secilin prej jush. Ju inkurajoj të vazhdoni rrugëtimin tuaj me përkushtim, sepse arsimi është investimi më i vlefshëm për të ardhmen. Si Drejtori Komunale e Arsimit do të vazhdojmë të krijojmë kushte dhe mundësi që çdo i ri të ketë qasje në arsim cilësor dhe zhvillim të plotë,” u shpreh drejtori Klaiqi.
Në emër të të gjitha shkollave, drejtoresha Arbenita Rexha përgëzoi semimaturantët për suksesin e arritur dhe u uroi atyre shumë suksese në rrugëtimin e mëtejmë arsimor.
Ndërkaq, në emër të të gjithë semimaturantëve, nxënësit Moreja Keqmezi dhe Alman Hoti nga ShFMU “Fan Noli” falënderuan mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë ata që i mbështetën gjatë viteve të shkollimit, duke shprehur mirënjohje për kujtimet dhe përvojat e çmuara të krijuara në bankat shkollore.
Ceremonia u përmbyll me ndarjen e diplomave dhe fotografi të përbashkëta, duke shënuar fundin e një kapitulli të rëndësishëm dhe fillimin e një etape të re për semimaturantët e Komunës së Kamenicës. /2LONLINE/
