DYLON

Rrëshqitja e njëjtë!

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Arben DUBOVA

/Për të njëjtat arsye pse nuk e votova Qemajl Mustafën, nuk do t`a votoja sot Lutfi Hazirin!/

EkoHigjiena

(2L ONLINE) – Pa dashur që të merrem shumë me të kaluarën, vetëm kalimthi po i përmend disa nga shkaqet pse në zgjedhjet e fundit lokale, unë nuk e votova Qemajl Mustafën:

1. Nuk e shihja kandidat potencial që e fiton garën, ndaj nuk doja ta “djeg” votën time.
2. E konsideroja se ai më kategorizoi në grupin e atyre votuesve, vota e të cilëve nuk I duhej atij.
3. Përkundër mundësisë që e ka patur për t`a krijuar një “ekip fitues”, ai zgjodhi të shoqërohej nga disa sahanlëpirës dhe vardisës të cilët e gënjenin se e kishin gjendjen mirë në terren.

Prandaj ai e mori vlerësimin e merituar nga qytetari gjilanas dhe këtu përfundon kapitulli i tij duke rrëshqitur thellë në brendësinë e humbjes politike të tij dhe partisë së tij në Gjilan.

Nga kjo nënkuptohet se e votova kandidatin tjetër, gjegjësisht kryetarin aktual Lutfi Haziri. Arsyet pse e votova atëbotë Lutfi Hazirin ishin si vijon:

1. Më ka kërkuar personalisht që t`a mbështesë atë si kandidat, andaj jemi dakorduar që ta mbështesë atë, jo partinë e tij në asnjë mënyrë.
2. Erdhi në Gjilan me sloganin: “Unë kam ndryshuar, nuk jam ai që kam qenë, ndaj më votoni mua sepse nuk do të përsëris gabimet që i kam bërë në të kaluarën”.
3. Doja të besoja se vërtetë ka ndryshuar dhe nuk do t`i përsërit gabimet e njëjta, ndaj desha t`i jap edhe një rast.

Luta mori gjithsej 5415 vota më tepër se sa partia e tij, andaj ai fitoi si rezultat i votimit për të edhe nga votuesit e subjekteve tjera.

Kjo nënkupton se atë e votuan edhe 5415 votues jashtë partisë së tij, ndaj kjo fitore nuk ka guxuar assesi t`I atribuohet LDK-së, sepse nuk ishte e tillë. Ai erdhi në pushtet me votën e LDK-së, me votën time dhe të gjithë atyre që e votuan e që nuk ishin me LDK, mirëpo e votuan Lutën për arsye të ndryshme.

Përvetësimi i menjëhershëm nga ana e partisë së tij si fitore thjesht partiake, duke treguar dhëmbët dhe provokuar e kërcënuar simpatizantët e partive tjera, zbeh qysh në start dukshëm fitoren dhe përkrahjen masovike që ai e morri nga qytetarët e Gjilanit.

Pse e ka lejuar këtë gjë Luta, vetëm ai e di, mirëpo kjo e ktheu atë nga kryetari I qytetit në kryetar të partisë së tij, do me thënë automatikisht I humbi ato 5415 vota që i kishte mbi partinë e tij.

Vonesat në formimin e ekipit qeverisës, fillimisht ngjallën shpresat se ai po punon kujdesshëm dhe po bën përpjekje që të zgjedh bashkëpunëtorë me aftësi të dëshmuara qeverisëse, menaxheriale, profesionale, si dhe kredibil e të ndershëm, përderisa veprimet e mëpastajshme në shumicën e rasteve I shuan këto shpresa, pasi që pikërisht aty dështoi duke krijuar pakënaqësi tani jo vetëm tek votuesit jashtë partisë së tij, por edhe brenda vet LDK-së.

Duke mos dashur që të lëshohem në analiza tjera rreth punës së ekzekutivit për këtë vit që shkoi, kësaj radhe do të ndalem këtu, duke pritur publikimet e raporteve të punës, në mënyrë që të mundemi pastaj të diskutojmë rreth tyre dhe operimit të qeverisjes në përgjithësi.

Mirëpo, aktualisht sikur sot të mbaheshin votimet për kryetar komune në Gjilan, unë nuk do t`a votoja Lutfi Hazirin për arsyet e njëjta pse nuk e votova atëherë Qemajl Mustafën, e që janë:

1. Nuk e shoh kandidat potencial që e fiton garën, ndaj nuk do ta “djeg” votën time.
2. E konsideroj se ai më kategorizoi në grupin e atyre votuesve, vota e të cilëve nuk i duhet më atij.
3. Përkundër mundësisë që e ka patur për t`a krijuar një “ekip kredibil”, ai zgjodhi të shoqërohej nga disa sahanlëpirës dhe vardisës të cilët e gënjejnë se e kanë gjendjen mirë në terren.

Prandaj, pa u thelluar fare në punën e qeverisë komunale për vitin që po e lëmë pas edhe pse ka mjaft çka të debatohet për të, por bazuar vetëm në përshtypjet e para të sjelljes pas elektorale të kryetarit Haziri, vërehet se edhe ky po shkon hapave të njëjtë të paraardhësit të tij, gjegjësisht po rrëshqet drejt humbjes së thellë politike të tij dhe partisë së tij.

Ky opinion është personal ndaj pasqyron vetëm mendimin tim personal, mirëpo kam përshtypjen se shumica e votuesve që e votuan Lutën e që nuk ishin pjesë e LDK-së, mendojnë sikur unë, prandaj vendosa ta publikoj.

Përndryshe, dua t`i siguroj lexuesit se nuk kam patur dhe nuk kam as më të voglën ambicie politike sepse aktualisht jam jashtë politikës I përkushtuar tërësisht në biznesin tim, por jo indifferent ndaj rrjedhave politike në qytetin tim. /2L ONLINE/

foto: FOTO FARI