A rren veç politikani apo edhe qytetari?!

A rren veç politikani apo edhe qytetari?!

Me gjasë, e rrejnë që të dyja palët njëri-tjetrin. Veçse, dilema duhet të jetë, a e rrejnë njëri-tjetrin si çështje mode, apo si nivel i ulët i edukatës primitive.

Gani NEZIRI

Rrejnë njëri-tjetrin në formulën e njohur popullore, ‘’dushk për gogla’’! Ose më mirë me thënë, rrejnë për gjëra të vogla, me ndjenja dhe motive të ulëta të përfitimit material shumë të vogël.

Se politikanët rrejnë është thënë më shumë se njëqind herë. I gjithë populli jemi dëshmitarë se, premtimet e politikanëve të dhëna gjatë fushatave katër javore po i harrojnë brenda katër viteve. Pastaj, në fushatat e zgjedhjeve të radhës që vijnë, përsëri i japin të njëjtat premtime.

Pra, se politikanët rrejnë në çdo katërvjeçar, nuk është çështje se unë e zbulova më i pari nga qytetarët, por, unë e ‘’zbulova’’ në zgjedhjet e kësaj radhe (ndonëse me shumë vonesë) se edhe qytetarët po e rrejtkan politikanin.

Më rastisi në këto ditë fushate që, në njërën nga tavolinat e Hotelit Kristal të pijë kafenë e mëngjesit me një qytetar. Për temë bisedimi ishte fushata zgjedhore dhe dilemat për të zgjedhur më të merituarin.

Në fakt, edhe unë nuk e kisha të lehtë përcaktimin tim për të zgjedhur kandidatin e PDK-së për Kuvendin Komunal në Gjilan, sepse, të meritueshëm ishin shumica e të kandidatëve që të bëheshin pjesë e Kuvendit të ri. Sidoqoftë, detyrimisht duhej të zgjidhja veçse një emër nga mesi i të gjithëve.

Në bisedë e sipër, qetësisht, butësisht e njerëzisht, i kërkova votën për një bashkëveprimtar timin politik.. dhe ia dhashë emrin e mbiemrin dhe numrin që duhej votuar.

Reagimi i bashkëbiseduesit tim në tavolinë, ishte ‘’shumë miqësor’’ dhe me sa mbaj mend, afërsisht më është përgjigjur kështu:

– “Ëhë, po, po, e njoh edhe unë. Është shumë burrë i mirë dhe punëtor i madh. Sa herë që vijë në zyre të PDK-së, gjithmonë e gjej duke punuar”.

– A po gaboj që po e kërkoj votën për këtë politikan, -shoqin tim? – vazhdova ta pyes unë.

– Jo, nuk po gabon fare. Është shumë i meritueshëm. Edhe pa më thënë ti, unë do ta votoja, se për Zotin, është burrë i mirë edhe punëtor. Po aq më shumë që edhe ti e paske shoq e mik të mirë, do ta votoj pa problem. Ti e dinë, unë kam respekt të madh për ty dhe hatri jot më bënë që patjetër ta votoj. Rri sh’lirë se; votën e familjes time tjetërkund nuk e qoj, -përfundoj së foluri bashkëbiseduesi.

– Mos më thuaj PO e me dalë JO, se më vjen keq me e mashtrua. Dua që t’ia konfirmoj këto vota, – i tërhoqa vërejtjen.

– Hajt bre burrë, mos ki dert, është e kryer kjo punë. A nuk po më beson a ? Lirisht shkruaj gjashtë vota -ma ktheu me të shpejtë dhe vazhdoi; -më fal pashë nderin se më duhet të shkoj deri te pazari.

– Tung pra, e ditën e mirë, – i thash…

Ditën e votimeve e thirra edhe njëherë në telefon që t’i përkujtoj fjalën e dhënë. E dini si më është përgjigjur?

– O kushë, hajt bre burrë mos ta ndien se të kryer e ke’’.

Në vazhdim  t’u rikujtova premtimin e dhënë edhe disa miqve të tjerë. Hë për hë, pjesa më e madhe më dhanë të njëjtën përgjigjeje; – mos ki dert!

Pa pasur as më të voglin dyshim u besova që të gjithëve, se do ta mbanin premtimin e dhënë.

Në mbrëmjen pas zgjedhore, në selinë e partisë filloi shpalosja e listave dhe numërimi i votave.

Me kërshëri të veçantë përcillja numërimin e votave në pikat e votimit ku kisha marr premtimet e ‘’miqve të mi’,’ për të preferuarin tim që të ishte kuvendar i ri në Kuvendin e Komunës në Gjilan.

Me përfundimin e numërimit të votave në pikat votuese aty ku kisha marrë premtimet, nuk na erdhi as edhe një votë e pritur!!!

-O Zot! – (thash me vete), sa të pabesë që paskan qenë ‘’miqtë e mi’’ ?!
I zhgënjyer thellë deri në palcë, fillova të pyes veten: Çfarë zori patën ata burrecë që më dhanë premtim të rrejshëm?!

Ata më rrejtën aq kollaj ,e unë u besoja aq lehtë. Më thanë PO e bënë JO!!!
Vallë, a kaq të ulët janë këta ‘’burra’’ që mashtrimin e shokut e zënë për zotësi?!!!

Prandaj, nxora përfundimin se: “Nuk kanë se si të mos rrejnë politikanët për katër vjet, kur janë i njëjti brumë qytetarësh që të rrejnë për katër ditë!”.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE