Shkruan: Hasan BUNJAKU
( Muhamet Halili: “Djersa e Gurit”, Përmbledhje tregimesh, Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, dhjetor 2015 )
Muhamet Halili, i cili tashmë i është i njohur dashamirësve të prozës së shkurtë, që me postime të herëpashershme në rrjetet sociale, sikundër edhe me Përmbledhjen e parë “Fundi i heshtjes”, edituar nga Ars Klubi “Beqir Musliu”, në fundvitin 2014, ja, si një sihariq, nga i njëjti botues tashmë serioz, na vjen edhe me përmbledhjen e re “Djersa e gurit”, me të cilën, tashti, me një akribi edhe më të spikatur, me motive e preokupime kaq të larmishme tematike, na sjell edhe 22 tregime, rrëfime këtonpolivalente të një niveli tejet të arrirë ideo-estetik, të ndara në tri përmbajtje ciklike, rrëfime këto me të cilat, autori shpërfaq një gamë të gjerë të çështjeve dhe problematikave, pak a shumë, të përditshmërisë sonë me të gjitha nuancimet polivalente të jetës në kohën dhe hapësirën aktuale, përplot katrahura e travaje, nëpër të cilat po kalon njeriu ynë sot e këtu.
Me një stil tejet të kapshëm, sa për shijen, të thuash, të cilitdo recipient shtresash: që më nga mesatarët të lexuesve të rëndomtë (të cilëve, zaten, në radhë të parë, edhe u dedikohet kryesisht çdo vepër letrare), po kaq edhe për shijen më të stërholluar të njohësve të kësaj problematike, pa “make up”; rrëfime rrënqethëse të një niveli mjaft të lartë ideo-estetik; me një gamë çështjesh tematike-motivuese tejet të gjerë, që nga ato të natyrës sociale, siç janë tetë tregimet e Ciklit të parë, në disa nga to, mbretëron një atmosferë ngjethëse e stilit dhe kohës migjeniane: me veprimin e një finalizimi tragjik të një gruaje, ndaj të cilës i shoqi pareshtur ushtron dhunë (“Tehu i sëpatës”); ngjarja rrëqethëse deri në rezignatë të thellë të një nëne dhe vogëlushes së saj, që për shkak të varfërisë së skajshme, mjaftohen vetëm me të shikuarit e përditshëm nga dritarja e dyqanit, në vitrinën e së cilës, gjendet një kukull, që i është bërë fiksim, por që nuk kanë mundësi ta blejnë (“Kokashta”); për të vijuar tek babai, i cili, për t’ia blerë çantën e librave shkollore të birit, i duhet të punojë një ditë të tërë duke formësuar gurë me mundin dhe djersën që i rrjedh çurg (“Djersa e Gurit”, prej nga e merr edhe titullin i tërë vëllimi i tregimeve);
Tregim tjetër vërtetë ngjethës është edhe ai i radhës (“I njëzetetreti”), ditë kjo kur ka fonde, rëndomë jipen ato pensione kaq të mjera, dhe Gjyshja, që duke pritur në radhën në vapën kërcëlluese të gushtit, për t’i marrë ato pak metelikë e që ta gëzojë me ndonjë dhuratë nipin e saj që po atë ditë e kishte ditëlindjen, jep shpirt mes turmës së njerëzve hallexhinj; Një femreje të cilës natyra ia kishte falë një bukuri të rrallë e veçmas ca gjinj kaq joshës, që në vend se t’i ketë si përparësi në aspektet estetike-sensuale e njerëzore, në fakt i bëhen një mallkim, sepse e vë moralin e saj në sprovë për t’u punësuar për mbijetesë (“Gjoksi i mallkuar”), për të vazhduar në këtë Cikël me tregimin “Për faj të një reklame”, në të cilin, intelektuali i sprovuar, e që, në cilësinë e gjoja “tepricës së kuadrove”, që kaherë sistemet diskriminuese e përdorin si term të gabuar fare – “tepricë teknologjike”, madje edhe në sferat e veprimtarive shoqërore, ku edhe s’ka teknologji, pra, ishte në listën e atyre që do ta humbisnin vendin e punës, dhe të një Firme private, e cila, bënë një burbujë reklame se do t’i ndihmojë të tillët, gjë këtë që ai s’e “gëlltit” dot, dhe bën vetëvrasje; ndërkaq që në tregimin e radhës “Mos e le postierin t’i bijë ziles në ditëlindjen time”, fëmija që në çdo ditëlindje të tij, e pret babain që t’i vijë vetë, por që gjithherë, në vend të tij, zilës, që ky e pret të jetë e babait të tij, është e postierit që i sjellë një urim-kartëpostale, që kjo që e bën kaq të pikëlluar atë sa do ta merr inat postierin, për ta përmbyllur këtë cikël me një zakon tonin të kahershëm të pritjes për kryeshëndosh, ngushëllime (“E pamja”), për të dëshmuar me fakte se kjo traditë, edhe tek ne do ndryshuar, siç veprohet, zatën kaherë në disa rajone të Rrafshit të Dukagjinit;
Ciklin i tregimeve me preokupim ideo-tematik të dashurisë (kryesisht të parealizuar), të cilat karakterizohen me një lirizëm të hollë të një niveli kaq të kënaqshëm ideo-estetik, në shtatë rrëfime, në të cilat ve në spikamë: voajerizmin në një vendbanim piktoresk rural, në breglumin bilur të të cilit, një vashë e bëshme moderne, me bikini, vapën kërcëlluese të korrik-gushtit, sikundër edhe flakën e brendshme ndjesore, e mposhtë me stërkalat që me dorë ia hedh atij trupi gjysmënude, ndërkaq që të rinjtë, të përndezur, fshehurazi, si spektatorë klandestinë, që nga prapa e në shkurrishtet përskaj, e shuajnë kërshërinë e tyre. (“Mëkatarët”); dashuria, pak a shumë platonike, në një kohë lufte në Lindjen e Mesme, që aksidentalisht përmbyllet tragjikisht (“Vajza siriane”), i cili, për nga gjitha elementet ideo-estetike, padyshim paraqet njërin ndër tregimet kulmore të Përmbledhjes; simpatia ndaj një vajze flautiste, e pashpallur nga djaloshi pak a shumën i ngurtë e i turpshëm, nga hezitimi që dashurinë të cilën e kultivon ndaj saj t’ia bëjë me dije, e humbë atë fare (“Flautistja dhe fylli”); sikundër edhe që tentativa e pasuksesshme e lindjes së një dashurie të re midis djalit kosovar dhe gocës sarandjote, e cila ngel vetëm si një kujtim i pashuar për këtë të parin (“Vajza e kullave të rërës”); Situatat halucinante të djalit me temperaturë të lartë e në ankthin rrëqethës të etheve dhe kllapisë, në formë pak a shumë të një ëndrre të një “romance idilike” derisa trajtohet nga personeli mjekësor në klinikën gjegjëse në spital (“Zjarrmia”); rrëfim i një ngjarje dublete komparative në një periudhë kohore në mes të “marifeteve” të dashurisë dikur, dhe atyre aktuale, dhe malli e nostalgjia për atë të vjetrën (“I përmalluar për klasikën”). Në tregimin përmbyllës të këtij cikli “Puthja skenike”, autori, me një njohuri tejet të lakmueshme të procesit të inskenimit të një teksti dramaturgjik sipas “dorëshkrimit” të konceptit regjisorial, dhe situatës së dhënë, e hyrja deri në detaje në punën me aktorët, në mënyrë që projekti i Perëndeshës Talia, ti del sa më bindës, që këtu kemi të bëjmë me një sekuencë të një puthjeje teatrore të kryepersonazheve gjegjës, me të cilin si është më së miri i ve “kapakun” tërë ciklit.
Në shtatë rrëfimet tjera të Ciklit të tretë, me të cilat shënjestrohen e stigmatizohen thuaja shumica e të metave, matrapazllëqeve, hajnia, sjellja burokratike dhe autokratike e lidershipit kosovar, zhvatja, korrupsioni, dhe e të ligave të tjera, të cilat, në këto gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit, nuk po na lejojnë që të haprojmë si shtet shumë më shpejtë në të gjitha sferat dhe hallkat tona ekonomiko-shoqërore – tregimtari, përtej publicistikës artistike, merret kryesisht me hallet e njeriut tonë të të gjitha shtresave e statuseve shoqërore. Në tregimin “Dashnorja e Presidentit”, pasqyrohet i tërë arsenali abuzues i një Presidenti ndaj metresës së tij, deri në momentin kur ai, kur e nuhatë se do ta humb postin nga smira, e vret atë që për “post” ka të dashurën e Presidentit, cilido qoftë ai, ndërkaq që në atë “Thirrje për ndalesë të sportit “Not në ujë të pistë”, me një do të thoja, pledoaje, sikur, në mënyrë, thuaja transparente fare, s’e ka për gjë që të bëjë apel për zbutjen dhe eliminimin fare të të gjitha veprimeve të pista në çdo pore të jetës sonë shtetërore-shoqërore. Në tregimin tjetër “Soliteri”, autori ve në spikamë dhe i fshikullon të gjitha pisllëqet që mund dhe ndodhin në fakt, mungesa e kulturës elementare të të banuarit e të banuesve, deri vonë në të vetmin rrokaqiell që e kishte Gjilani, me të cilin madje na venin në bisht të lahutës qytetarët tjerë kosovarë, sepse kushdo që kapardisej e rrahagjoksej, iu drejtonin me thënien: “Hajt, more – çka po “fryhesh” si Soliteri i Gjilanit…?!”, ndërsa në tregimin “Kafeja e mëngjesit”, autori ve në spikamë një ekzemplar tipik të atyre që notojnë në të turbulltë, një dallkauk, që pret të kandidohet e të votohet madje edhe për të tretën herë në Parlament, pokaq sa e ve në pah korrupsionin dhe zinxhirin e tij magjik, që në fakt na solli në një kësi situate, “të na shkojë mundi përfundi”, siç do ta thoshte populli në rrëfimin me titull kaq indikativ “Zarfi”, kurse, në “trininë” – “Miza, Kosovarja dhe Kravata”, Muhameti sikur e gjen një lidhje të përbashkët të jetës në provincë, midis mizës së mërzitshme, një fqinjeje që e simpatizon një djalosh, por që ajo nuk dënjon për të, si dhe kandidatëve për t’u zgjedhur për këshilltarë apo edhe deputetë, të cilët premtojnë “Qumësht e mjalt”, e sapo kryhen zgjedhjet për katër vite nuk ua sheh kush sytë.
Ky cikël, por edhe i tërë libri, përmbyllet me një rrëfim kaq sinjifikativ, kur babai që lëngon në shtratin e vdekjes, ndonëse që të gjithë kaq përkujdesen për te, andaj, edhe kërkojnë thuaja me ngulm nga ai që t’iua le, një testament, një fjalë të fundit të jetës së tij goxha të shtyrë, por që këtë në grahmat e fundit, në vesh ia thotë njërit nga djemëve gurbetçarë, pikërisht në momentet kur njëri po jepte shpirt e tjetri me valixhe gati, po ikte jashtë shtetit, dhe enigma që ngel si kërshëria e anëtarëve të tjerë mbërrinë kulminacionin për ta ditur atë Amanet të fundit të kryeshtëpiakut.
Muhamet Halili, në tregimet e tij, nuk ka për preokupim tema të mëdha, as personazhe grandioze, por pikërisht bashkëqytetarin, dhe karakteristikat tipike të tyre; të njerëzve të rëndomtë, të thuash, pa ndonjë biografi të madhe; me një gjuhë të rrjedhshme, duke ndjekur stilin e të rrëfimit fabulativ pakashumë tradicional, por që, në fakt, ka një sens të posaçëm të një një mëvetësie dhe origjinaliteti të veçantë; me gjetje shumë të bukura shtrirjesh kompozicionale dhe zgjidhjesh të bukura finalizuese; duke i ikur, me goxha shkathtësi, vajeve e kujës, edhe në subjektet tejet dramatike, tragjike, të dhembshme e tejet melankolike, si në tregimet: “Kokashta”, “I njëzetetreshi”, “Djersa e Gurit”, “Fjala e fundit” e të ndonjë tjetre, si në rastin: “…E, një loke trupshkurtër, thatanike dhe paksa e kërrusur, që dukej se pritja me orë të tëra, në një mot të tillë, e kishte mposhtur, ishte ulur galuc mes turmës. Me bërryla në gjunjë, e me duar që kishin përthekuar kokën, mundohej t’i jepte vetes gajret. Herë-herë, nxirrte një leckë nga xhepi e i fshinte djersët, derisa nga xhepi tjetër nxirrte një shishe xhami ‘coca cola’, të mbushur me ujë, për të çuar ndonjë gllënjkë, sa për të mos ju tharë fyti! ( … ) Për një çast, masa u trazua! Nuk kishte të bënte me respektim radhësh, apo ndonjë pakënaqësi në raport me bankën. Dikush ishte alivanosur. U dëgjuan thirrjet për ndihmë. Dikush kërkoi sa më shumë hapësirë për të alivanosurën, e dikush lypi edhe ujë për ta këndellë atë. Ishte kjo lokja thatanike, që nuk qëndronte më galuc! Kishte rënë përtokë. Shihej se ishte plakë e pastër, një zonjë e kujdesshme, pasi edhe pozitën e trupit, në tokën e pluhurosur, e kishte në atë mënyrë sikur kur shtrihej kujdesshëm në shtrat, pa dashtë të rrudhoste jorganin, mbulesën a jastëkun! Tanimë, në mesin e turmës u panë edhe të tjerë që nuk ishin pensionistë, në përpjekje për të ndihmuar, e dikush e ndali edhe një veturë civile, e cila e mori loken për t’u nisur me të shpejtë në drejtim të emergjencës. Radha para bankës u krijua sërish. Përveç që pritnin lejen e rojës për të hyrë brenda, nga dy e tre, pritnin edhe ndonjë lajm nga spitali. Sakaq, njëri nga ata që kishte shkuar me loken në emergjencë erdhi sërish para bankës. Porsa e panë, të gjithë përmes shikimit sikur shprehën interesimin për të mësuar për gjendjen e saj, pa pas nevojë t’ia parashtronin pyetjen. Edhe përgjigjja u erdhi me mimikë. Fatkeqësisht mohimi përmes kokës, e pastaj edhe ulja e shikimit përdhe, ishin tregues të qartë se lokja nuk ia doli! E, nga goja e atij që kishte qenë me të, dolën si puhizë e lehtë fjalët: “Lokja foli pak. Krejt çfarë tha ishin fjalët se i duhej ai dreq pensioni, pasi nipi i saj e kishte datëlindjen sot!”. Shumica u mallëngjyen! Dikujt i piku dhe loti, pavarësisht se nuk njiheshin me loken. Tërë kjo vapë paralajmëronte se edhe qielli do të pikonte lot! Pasdite mund të pritej shi. Natyrisht, një shi veror, që pastaj për pak kohë, nuk do të merrej fare vesh që kishte rënë. Jeta rutinë do të vazhdonte tutje, e i njëzetetreti i muajit të ardhshëm do të vinte edhe pa loken!…” (Tregimi “I njëzetetreshi”).
E këso momentesh e sekuencash, madje edhe tregime të tëra të plota, ka kaq shumë në këtë Përmbledhje të Halilit, e që lexohen me një frymë e që të lenë një shije kaq të mirë, këto të librit “Djersa e Gurit”.
Autori, pos në një rast, në fakt, i pasqyron gjërat e fenomenet dhe i portretizon personazhet kaq besnikërisht, por pa u futur më thellë në “investigimin” dhe eventualisht, ofrim direkt të zgjidhjeve të duhura të tyre, duke mbajtur kështu një qëndrim pak a shumë të vrojtuesit e sogjetarit duke i piketuar ato, gjë këtë që ua len vetë recipientëve, apo edhe atyre që “kanë veshë për tupan”, që, vet të nxjerrin porosinë e mesazhin e tyre. Duke e pasur për profesion gazetarinë, ai i ve në spikamë çdo gjë që i kap syri e lapsi, dhe, ndonëse ndonjëherë vjen deri në zgrip, narracioni nuk bie në honin e reportazhit, duke i ikur me mjeshtri ndikimit të këtij “deformimi profesional”.
Halili, siç u tha, përdorë një gjuhë pa shumë stilema e filozofema, por kaq të afërt me lexuesin, duke mos u ikur leksemave, tog-fjalëve e frazeologjive thjesht vendore e gege, në shikim të parë, duke i lënë me qëllim kështu rrëfimet e papërmbyllura, për t’ia mundësuar e lejuar kështu imagjinatës së vetë lexuesit që t’ përmbyllë ato, ndonëse në të shumtën e rasteve, tashmë ato, si të tilla, goxha lehtë edhe nënkuptohen, si në rastin: “…Por, burri refuzues vazhdonte të kërkonte llogari se çfarë donte gruaja e tij prapa shtëpisë në dy pas mesnate. Ai vazhdonte me të tijen. Nuk ndalej as kënga e pakuptimtë, me tingujt neveritës, që herë pas here ndërpritej nga gogësimat kutërbuese që dilnin nga goja e burrit “qykë”.
Pas pak, gruaja hoqi dorë krejtësisht nga lutjet që të futeshin brenda. Shikoi edhe njëherë kah qielli. Por, këtë herë vështrimi i saj dalloi nga ai i mëparshmi. E, në drejtim të qiellit, tani u ngrit edhe tehu i sëpatës, ashtu xixëllimë e i cokatur mirë siç ishte. Por, vetëm për pak e zuri hënën, pasi menjëherë u lëshua vrullshëm teposhtë. Qetësia pushtoi hapësirën prapa shtëpisë. U ndalën madje edhe fërfëllimat e erës, dhe as qeni më nuk lehu.” (Tregimi “Tehu i sëpatës” ). Sepse, tregimtari, recipientin nuk e do vetëm si shijues pasiv, por si subjekt aktiv, si personazh apo edhe si “autor” të vetë rrëfimeve në këtë vepër që i bën nder autorit, editorit, lexuesit e edhe tregimit të shkurtë, si një zhanër akoma mjaft deficitar në letërsinë tonë.
Muhamet Halilin e përgëzojmë dhe i dëshirojmë suksese të mëtejshme, mbase edhe me zhanre edhe të tjera prozaike; veprës jetë sa më të gjatë në duart e recipientit, të cilin, që tash e garantoj se nuk do të pendohet nëse do ta lexojë me vëmendje Përmbledhjen e tregimeve “Djersa e Gurit”.