Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi përmes një deklarate publike në faqen e tij zyrtare në Facebook ka hedhur dritë mbi rastin e sotëm që u ftua nga prokuroria e Eulexit për tu marrë në pyetje.
Deklarata e të parit të parlamentit është si vijon.
Deklaratë
Përmes deklaratës së 15 nëntorit 2013 e njoftova opinionin publik për motivet e vërteta të propagandës për gjoja implikimin tim në ‘prerje flokësh’ dhe ‘prerje buzësh’ të të burgosurve nga UÇK-ja!
Kjo propagandë, pa asnjë bazë të vërtetë, synonte të relativizojë krimet serbe në Kosovë sidomos kur ato çdo ditë e më tepër po dalin në shesh nga protagonistët që kanë kryer vrasje më mizore kundër shqiptarëve në Kosovë.
Edhe pse autoritetet e hetuesisë së EULEX-sit ishin të bindur se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë propagandë unë u ftova që të jap mendimin tim lidhur me këtë çështje.
Jemi duke jetuar në një kontekst të veçantë historik ku shpifjet kundër personaliteteve të ndryshme, madje edhe kundër një lufte çlirimtare bëhen përmes mediave dhe askush nuk merret në përgjegjësi të sqarojë shpifjet e tilla.
Demantet përmes deklaratave publike nuk mjaftojnë! Duhet të shkohet edhe në zyrat e hetuesisë për t’u sqaruar! Ketë e bëra unë sot me gatishmërinë për të ndihmuar drejtësinë dhe të vërtetën për luftën në Kosovë 1998/99.
Sa herë të kërkohet dhe nga kushdo që kërkohet unë jam i gatshëm të sqaroj dhe të mbroj pastërtinë e luftës sonë çlirimtare.
Për ata që nuk e kanë lexuar reagimin tim të mëparshëm po kërkoj nga mediat ta botojnë me qëllim ¨qe të kuptohet arsyeja e reagimit tim të shkurtër.
Prishtinë, Më 20 dhjetor 2013
Jakup Krasniqi.
/zeri/