Rozafa Shpuza, fituese e Çmimit “Pena e Flakës”

Rozafa Shpuza, fituese e Çmimit “Pena e Flakës”

Poetja nga Shqipëria, Rozafa Shpuza është fituese e Çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, që mbahet përgjatë muajit janar në Gjilan.

Ndryshe, në hapësirat e Bibliotekës “Fan S. Noli”, ishin dy veprimtari letrare, Ora e Madhe Letrare, ku poetët e përzgjedhur paraprakisht, konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të Manifestimit, “Pena e Flakës” si dhe shpallja e rezultateve të Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër.

Në hapje të orës letrare, Shpresa Hajdari, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport, në emër të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, iu ka dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve, krijues nga të gjitha trevat shqiptare, adhurues të poezisë e prozës dhe të gjithë të pranishmëve tjerë.

Ajo ka thënë se nuk ka dyshim që prurjet në këtë ngjarje janë me vlerë dhe se edhe përzgjedhja është bërë cilësore, duke përgëzuar kështu edhe krijuesit pjesëmarrës e konkurrues, por edhe grupin punues që është angazhuar për organizimin e kësaj ngjarjeje.

Përndryshe, në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës”- 2019, deklamuan këta poetë konkurrues:
Adem XHELADINI – Kërçovë, Agron TUFA – Shqipëri (Jashtë konkurrencës), Afrim DEMIRI – Ferizaj, Alketë SPAHIU – Gjilan, Anton Nikë BERISHA – Prishtinë, Arian LEKA – Shqipëri, Arsim HALILI – Kosovë Lindore, Donart REXHBOGAJ – Pejë, Flutura AÇKA – Shqipëri, Ibrahim KADRIU – Prishtinë (Jashtë konkurrencës), Linditë DODA – Shqipëri, Medina PASOMA – Vushtrri, Menduh LEKA – Ferizaj, Nikolla SPATHARI – Shqipëri, Nuhi SADIKU – Shtime, Prend BUZHALA – Klinë, Rakela YZEIRI – ZOGA – Greqi, Ramadan MEHMETI-Prishtinë (Jashtë konkurrencës), Ramë ORACA – Podujevë, Rozafa SHPUZA – Shqipëri, Selvete ABDULLAHU – Gjilan, Vjollca DIBRA– Prishtinë.

Vlerësues të poezisë më të mirë, në “Pena e Flakës” 2019, ishin vetë poetët konkurrues, të cilët me votën e tyre (rundin e dytë), përcaktuan poezinë fituese, përkatësisht poeten, Rozafa Shpuza.

Kur jemi te konkursi letrar, edicioni i këtij viti, i 28-ti me radhë, i shtyllës mbase më të veçantë “Pena e Flakës 2019”, janë vënë në spikamë vlerat dhe prurjet e mirëfillta në poezi e prozë. Ndërsa, kur jemi te rezultatet e konkursit në fjalë, nga juria profesionale në përbërje, Agron Tufa, Linditë Ramushi Dushku dhe Emin Azemi, u bë i ditur edhe rezultati:

Agron Tufa, në emër të jurisë bëri të ditur se:

Në poezi:

Shpërblimi i parë i jepet poezisë: “Me knue me zojtë e malit”, shifra:“Arushat kërcejnë me def”
Shpërblimi i dytë poezisë: “Teli i këputur i lahutës”, shifra: “Fluturimi i shqiponjës”
Shpërblimi i tretë poezisë: “Kur ngarkoj vedin në çantën e shpinës”, shifra: “Lulebora”

Në prozë:

Shpërblimi i parë i jepet tregimit: “Vija e gjakut”, pa shifër
Shpërblimi i dytë: “Lëngu i shpirtit”, shifra: “Ora e dielli”
Shpërblimi i tretë: “Kërmijtë e vjeshtës”, shifra: “Ligatina”

Përndryshe, manifestimi i sivjetmë i “Flakës së Janarit 2019”, përmbyllet sonte me Festivalin e Muzikës Shqipe, “Fest Flaka”- në Sallën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit (Ora 20:00).

KOMENTE