Rotarianët gjilanas vendosin shporta për mbeturina në një pjesë të qytetit të Gjilanit

Rotarianët gjilanas vendosin shporta për mbeturina në një pjesë të qytetit të Gjilanit

Rotarianët gjilanas vazhdojnë realizimin e projekteve në të mirë të qytetarëve dhe angazhimi i radhës i Klubit Rotarian “Gjilani”, është bërë sot me realizimin e projektit të vendosjes së shportave për mbeturina në një pjesë të caktuar të qytetit të Gjilanit.

Në fakt, me këtë projekt është nderuar edhe rotariani i ndjerë, Naim Shaqiri, ideator dhe motivues për t’u realizuar një projekt madhor i vendosjes së shportave në krejt territorin e Gjilanit, aty ku ka nevojë, por që vdekja e papritur, ia ndali hovin. Shaqiri njihej edhe si një ambientalist i pasionuar dhe se për aktivitetin e tij prej rotariani, ishte i njohur dhe i vlerësuar jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe me gjerë, aty ku frymojnë aktivitetet rotariane.

Përndryshe, rotarianët kanë falënderuar për mbështetje edhe Komunën e Gjilanit, përkatësisht kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin për mbështetje të vazhdueshme, në shumë projekte duke përfshirë mbështetjen e fuqishme edhe të këtij projekti që u realizua sot.

Projekti në fjalë parashihte vendosjen e 40 shportave për mbeturina përgjatë dy anëve të trotuareve, nga hapësira afër bibliotekës në rrugën “Avdullah Tahiri”, deri te rrethrrotullimi te pompa e benzinës në rrugën “Lufta e Gjilanit ‘44”.

Pritet që projekti i tillë të shtrihet edhe në pjesë të tjera të Gjilanit.

Në foto ballinë  janë dy rotarianët e zellshëm Fatos Qerimi dhe Fadil Rrahmani, që me mbështetjen edhe të të tjerëve që janë pjesë e RC Gjilanit, që aktualisht drejtohet nga kryetari Gëzim Kllokoqi, ishin pjesë aktive e realizimit të projektit të sotshëm të vendosjes së shportave për mbeturina.

Përndryshe, aktivitetet dhe realizimi i projekteve të rotarianëve gjilanas, por edhe nga rotaraktorët (të rinjtë), në të mirë të komunitetit të komunës së Gjilanit, por edhe më gjerë, do të vazhdojnë, jo vetëm me simbolika, por edhe me projekte konkrete e të prekshme, si kjo e ditës së sotme, që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. /2LONLINE.com/

KOMENTE