Forcat ushtarake Amerikane të ashtuquajtuura Brigada Mbikëqyrëse e Fushëbetejës 504 nga baza Fort Hood në Texas, do të sjellë në Kosovë rreth 500 ushtarë në fillim të vitit të ardhshëm për të marrë detyrën nga Grupi Shumëkombësh i Betejës-Lindje, si pjesë e Rotacionit KFOR 18.
Ata do të zëvendësojnë Brigadën Mbikëqyrëse të Fushëbetejës 525 nga baza Fort Bragg në Karolinën e Veriut, të cilët qëndruan në Kosovë gjatë nëntë muajve të shkuar. Do të jetë ky rotacioni i dytë i ushtarëve aktivë, një njësit poashtu luftarak-special. Edhe kjo brigadë si ajo që po largohet do të ketë përgjegjësi gjatë qëndrimit në Kosovë kryesisht rajonin e veriut, siç është vlerësuar, me tension të theksuar ndëretnik.transmeton RTK.
Grupi Shumëkombësh i Betejës Lindje kryen operacione në mbështetje të paqes në mjedisin operativ me të njejtin emër me qëllim që t’i kontribuojë paqes dhe lirisë së sigurt të lëvizjes. Kjo brigadë shumëkombëshe ka në radhët e saj rreth 1,500 trupa që përbëhen nga nëntë vende, nga Armenia, Franca, Gjermania, Moldavia, Polonia, Rumania, Turqia, Ukraina dhe natyrisht pjesa dërmuese nga Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar seksioni për marrëdhënie me publikun i ushtrisë amerikane për Evropë.