Ronaldo: Më pëlqen të jetoj nën presion
Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se ai “lulëzon” nën presionin për të qenë një udhëheqës për klubin dhe kombëtaren e vendit të tij. 28-vjeçari ka shënuar gjithsej 27 gola për skuadrën e Carlo Ancelottit në këtë sezon, ndërsa ka udhëhequr Portugalinë drejt finaleve të Kupës së Botës me një “hat-trick” të shkëlqyer në “play-off” me Suedinë.
Megjithatë, ish-lojtari i Manchester Unitedit thotë se i gëzohet të qenit figurë qendrore për ekipin dhe kombëtaren e tij.
“Njeriu duhet të jetë krenarë dhe të përqendrohet në çdo gjë që bën. Ndonjëherë më pëlqen që jetoj nën presion. Kjo situatë nuk e bën të lehtë përmbushjen e qëllimeve të mia, e di se do të jetë e vështirë, por do të përpiqem.
Nëse nuk provoni, atëherë nuk do t’i arrini dot qëllimet tuaja”, ka theksuar Ronaldo për “As”. Ronaldo shënoi një total prej 69 golash për klubin dhe kombëtaren e vendit të tij në vitin 2013, por është i vendosur të përparojë më tej vitin e ardhshëm.
“Është gjithmonë e vështirë, por me vullnet mund t’i thyesh rekordet e vetvetes”, ka shtuar Ronaldo. Portugalia ka rënë në një grup të vështirë në finalet e Kupës së Botës së bashku me Gjermaninë, SHBA dhe Ganën, por Ronaldo beson se kombëtarja e tij mund të jetë një surprizë.
“Portugalia nuk bën pjesë tek ekipet e favorizuara në letër, por kjo gjë na jep një avantazh, sepse nuk jemi nën presion”.
