Shkruan:Fehmi SYLEJMANI
Siç dihet roli i xhamive, sidomos para lufte ka qenë tepër i rëndësishme për kombin shqiptar, sepse vërtetë xhamitë kanë qenë dhe ishin foletë më të fuqishme dhe më të sigurta në mbështetjen e kauzës kombëtare shqiptare. Ato ishin kalatë më e forta që u bënë strehë e sigurt e gjithë shqiptarëve kudo që ishin.
Aktualisht, roli i xhamive shpesh herë po orientohet në aspektin edukativo –arsimor dhe atë falë përgatitjes superiore dhe përformancës së mirë të disa hoxhallarëve, të cilët më përkushtim dhe zell të jashtëzakonshme shtjellojnë dhe ligjërojnë tema të fushës së arsimit.
Tri ligjërata të rëndësishme për fillimin e vitit të ri shkollor, përkatësisht roli i prindit, roli i mësuesit dhe roli i nxënësit në shkollë si dhe një tjetër, kultura e të lexuarit nga vetë nxënësit dhe studentët, që janë mbajtur në institucionin fetar, gjegjësisht në xhaminë e Dardanisë në Gjilan, e që janë shtjelluar nga imami i kësaj xhamie, hafëz Shaban Murati, dëshmon qartë se në këtë kohë moderne, këto institucione fetare nuk kryejnë vetëm rituale fetare apo mesazhe edukative-fetare, por përkundrazi japin dhe përçojnë mesazhe të forta edukative -shoqërore, e veçanërisht atë arsimor. Hoxhë Shabani, i përgatitur profesionalisht dhe elokuent ka zbërthyer në mënyrën më të mirë të mundshme këto ligjërata, pikërisht në ditët e xhuma, ditë shumë e veçantë dhe e rëndësishme për besimin islam.
Duke analizuar, vështruar dhe krahasuar ligjëratat e këtij imami, me ato që vërtetë shtjellohen dhe mësohen në shkolla, pothuajse tërësisht janë të ngjashme e të njëjta, hiç rastet dhe argumentet e përdoruar në aspektin fetar. Hoxhe Shabani, duke folur për rolin dhe rëndësinë e prindit në shkolla mes tjerash thotë: “Mësuesi dhe administrata e shkollës nuk kanë mundësi të rregullojnë defektin që shkaktohet te fëmija për shkak problemeve familjare, sikur që nuk kanë mundësi të jenë përgjegjës për rezultatin e fëmijëve, nëse fëmijët janë të preokupuar dhe të mërzitur me problemet që janë në familjet e tyre. Prindi duhet dhënë maksimumin për edukimin fëmijëve të tij në vlera të moralit”.
Ndërkaq, jo velëm specialistët e pedagogjisë dhe psikologjisë, por edhe praktika kanë dëshmuar se mësimet që fëmijët i marrin prej familjes së tyre janë faktorët thelbësor në përparimin e tyre. Më pas janë dhënë disa këshilla për prindër nga imami rreth kësaj teme: Lidheni rezultatin e fëmijëve tuaj me shpresë në Allahun dhe me lutje drejtuar Allahut për rezultatin e fëmijëve; Kur të nisen fëmijët tanë në shkollë t’i përcjellim me fjalë të mira dhe t’i presim me fjalë të mira; Prindërit të përcjellin gjendjen e fëmijëve në shkollë; Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e fjalorit të tyre para fëmijëve; Të jeni aktiv në Këshillin e Prindërve për kujdesin ndaj fëmijëve. Dhe s’do mend se të gjitha këto këshilla qëndrojnë dhe duhet respektuar gjithsesi, sepse nëse dëshirojmë rezultat për fëmijët tanë, patjetër se duhet të kujdesemi për ta, ta përcjellim gjendjen e tyre, të bashkëpunojmë me institucionet shkollore, me mësuesit e fëmijëve dhe me të gjithë arsimdashësit.
Në ligjëratën e radhës, hafëz Shabani , e cila ka të bëj me Këshilla për Mësuesin, mes tjerash thotë:” Çdo mësues duhet të pajiset me cilësi të veçanta që të jetë i dobishëm te nxënësit e tij: sinqeriteti, frika ndaj Allahut, ndjesia e përgjegjësisë, mësuesi i mirë nuk ngutet, Mësuesi i suksesshëm nuk zhvlerëson punën e tij edhe nëse ajo është e paktë. Ndoshta nxënësi ndonjë herë ka nevojë vetëm për një fjalë goje që do ta ndryshonte tërë jetën e tij. Ndoshta një fjalë e thjeshtë dhe me peshë të vogël, vepron në shpirtrat e nxënësve çudira. Andaj mos mendo se fjala e jote nuk ka peshë, edhe nëse ajo është e pakt”, kështu ka pohuar në ligjëratën e tij, imami i xhamisë.
Në këshilla për nxënës, i pari i xhamisë në Dardani, mulla Shabani, me këtë mesazh ju drejtohet të gjithë nxënësve: Rregullimi i raporteve me Allahun, Superioriteti në mësim, Nxënësi duhet dijë vlerën e dijes dhe dijetarëve, të respektoj mësuesit, edukatorët dhe të gjithë ata që angazhohen në përmirësimin e gjendjes së tij në aspektin shkencor, edukativ, moral dhe njerëzor. Është porosi e fesë që e mira mos të harrohet, nga kush do që vjen. Mësimi ta ndriçon jetën tënde, Nxënësit duhet të garojnë mes njëri tjetrit në mësimet e tyre, pa xhelozi dhe pa nënçmuar tjetrin, Nxënësi duhet të përcaktoj prioritetet dhe qëllimet në jetë, Nxënësin e mirë e do Allahu e do Pejgamberi, e duan prindërit, mësuesit, shokët, lagjja, xhamia, shoqëria, Nxënësi i mirë angazhohet për zgjedhjen e detyrave dhe obligimet që ka marr nga mësuesi, Nxënësi duhet të jetë pozitiv në shkollë, Nxënësi nuk duhet të lëndoj ndjenjat e shokëve të tij, Nxënësi duhet të jetë besnik në fjalët e tij, Nxënësit duhet të largohen nga edukata e keqe ose mos edukata. Nuk duhet ta prishin rendin shtëpiak të shkollës, nuk duhet të ofendojnë, duhet të vijojnë me rregull në mësim, Nuk duhet të jenë të pakulturuar, nuk duhet të jenë pa respekt, nuk duhet të jenë të pamoralshëm. Duhet të përgatiten për mësim, me libra, lapsa çanta dhe uniforma shkollore.
Duhet të jenë të zellshëm dhe mirë të koncentruar gjatë mësimit. Nuk duhet të jenë llomotitës, grindavec, egoistë. Duhet të largohen nga alkooli, pirja e duhanit dhe substancat narkotike. Nuk duhet të kenë sjellje vandalistë,duke thyer banka, karrige, dritare , dyer etj. Duhet të mos përdorin armë të ftohta, thika, brisqe, boksa të metaltë, zinxhirë etj. Nxënësi nuk duhet të jetë grabitqarë apo hajdutë. Këshilla shumë të dobishme dhe të qarta që fare nuk donë koment.
Ndërkaq në ligjëratën e katërt rreth çështjes së arsimit, hoxhë Shabani ka prezantuar temën :Nxënësi, studenti dhe të lexuarit. Këtë temë imami e nis me fjalën e parë Hyjnore në Kuran, fjala e dijes, leximit, obligim para gjitha obligimeve tjera.
“Gjëja më e shtrenjtë që njeriu shpenzon prej jetës së tij, është koha që ai shpenzon në lexim, në kërkimin e diturisë. Nxënësi, studenti është ai i cili e kalon kohën e tij më të shtrenjtë në lexim dhe në kërkimin e diturisë. Ndjekja e rrugës së dijes është ndjekje e rrugës së ngritjes, krenarisë, Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija”, thotë hafëz Shabani, cili tutje shton se arritja e diturisë bëhet përmes dy gjërave, të cilat duhet të ecin së bashku njëra me tjetrën: E para: qëndrimi para mësuesit, profesorit, dijetarit dhe e dyta: leximi, të jetuarit me librin.
“Nxënësi, studenti, asnjëherë nuk duhet të ndahet nga libri dhe nga leximi, nëse dëshiron të arrij synimin”. Duke i numëruar disa elemente të rëndësishme të të lexuarit dhe duke i ilustruar me thënie nga dijetarë të ndryshëm, hafëz Shabani, thotë :”Lapsi duhet të jetë shoqëruesi i vazhdueshëm i nxënësit, studentit, sidomos gjatë leximit të librit”. Dhe krejt në fund imami i respektuar përçon disa këshilla shumë të rëndësishme për këta të rinj , duke vënë në spikamë se nxënësi dhe studenti duhet të krijojnë kulturë të leximit.
Mbase nuk janë vetëm këto tema që janë shtjelluar në këtë xhami, veç tyre, janë shtjelluar edhe temat që kanë të bëjnë me dukuritë negative te të rinjtë, tema sociale, shoqëror, kombëtare, ekonomike e tjera. Të gjitha tema, që e preokupojnë dhe e rëndojnë çdo ditë qytetarin e kësaj shoqërie.
(Autori është punëtor arsimor)