Shkruan: Besnik SHERIFI
(2L ONLINE) – Jeta dhe edukimi familjar në zhvillimin e fëmijës paraqesin shkallën e parë dhe më të rëndësishme të edukimit të personalitetit të ardhshëm shoqëror. Familja vepron në shoqëri si njësi e vogël organizative dhe është intermediumi në mes rrethit të gjerë kulturor dhe shoqëror nga një anë dhe fëmijës nga ana tjetër. Faktori edukativ, i cili edukimin e bënë si të pazëvendësueshëm, është ndjenja e dashurisë, që lidh prindërit me fëmijët e tyre. Dashuria ndaj nënës, ndaj prindërve, që nga fillimi paraqet kusht për krijimin e ndjenjave sociale të fëmijës: Mirësia, dhimbsuri, dëshira për të kuptuar dhe nderuar njerëzit tjerë. Marrëdhëniet ndërnjerëzore në familje, gjithashtu diktojnë zhvillimin e kreativitetit fëmijëror. Para së gjithash, prindërit duhet të jenë të hapur ndaj ideve të reja, duke nxitur pavarësinë dhe vetiniciativën dhe duke trimëruar fëmijën në punën e tij. Edhe pse qëllimi i tyre është t`i ndihmojë fëmijët në punë, duhet ta lejojnë që me vetiniciativë t`i kryejë disa punë të caktuara. Fëmija, pas mundit të bërë dhe pasi që ka bërë diçka vetë, do të ndihet kompetent dhe i kënaqur me atë çka ka bërë. Do të jetë i vetëdijshëm që këtë e ka bërë me vetiniciativë, e jo si produkt i punës së prindërve të tij, kjo, përsëri do të sjellë vetiniciativë plotësuese që të lëshohet në ndërmarrje të reja kreative.
Sipas psikologut, Erih From thotë se fëmijës i duhet dashuria dhe kujdesi i pakushtëzuar i nënës, si në aspektin fiziologjik ashtu edhe në atë psikologjik. Nëna ka për obligim që fëmijës t’ia mbjellë ndjenjat e sigurisë. Dashuria e nënës është afirmim i pakushtëzuar për jetën e fëmijës dhe nevojave të tij. Fëmija edhe pse pas lindjes jeton jashtë organizmit të nënës, ai edhe më tutje është i varur nga nëna, nëna është ngrohtësia dhe ushqimi. Nëna është gjendja euforike e kënaqësisë dhe sigurimit.
Psikologu Erik Erikson tregon për stadet e zhvillimit psiko – social ku thekson se, fëmija ndodhet në mes autonomisë dhe dyshimit. Nëse prindërit dhe të tjerët e lejojnë fëmijën të eksplorojë dhe të manipulojë me mjedisin ai zhvillon ndjenjën e pavarësisë dhe autonomisë. Prindërit nuk duhet ta dekurajojnë fëmijën, ku dhe në këtë mënyrë fëmija do të zhvillojë vetëkontrollin ashtu edhe vetëvlerësimin. Po ashtu tek fëmija paraqitet stadi iniciativa kundrejt fajit dhe qëllimi është që fëmija të mësoj iniciativën pa shumë faj, ku tek fëmija duhet të marr angazhimet, përgjegjësit, mësim dhe aftësi të reja. Të pranohet, inkurajohet, motivohet, stimulohet, ku tani fëmija është në fazën për të imagjinuar situatën e ardhshme.
Dashuria dhe përkushtimi ndaj fëmijës përçohet me anë të sjelljes sonë ndaj tij, nga ajo që themi dhe që bëjmë, por ajo që bëjmë ka më shumë peshë. Një fëmijë ndikohet shumë më tepër nga veprimet tona, se sa nga fjalët tona. Në një atmosferë të tillë respekti dhe dashurie për njerëzit dhe jetën e mëson fëmijën që të jetojë me normat dhe rregullat e shoqërisë. Mendojmë që një fëmijë të rritet i edukuar dhe të ndjehet mirë në shoqëri dhe ku do, është e domosdoshme që prindërit të krijojnë një ambient të shëndoshë në familjen e tyre. Në familje është shumë e nevojshme që të shmangim me sa të mundemi acarimet, sharjet, të bërit nervozë dhe ngritja e zërit dhe brutalitetin midis prindërve. Kuptimi i kësaj bote, vjen pjesërisht nga vlerat dhe bindjet e të rriturve dhe fëmijëve të tjerë në jetën e tyre. Fëmijët mësojnë nga njëri- tjetri për çdo ditë. Ata zhvillojnë shkathtësi të folurit dhe kuptojnë koncepte, përderisa flasin dhe dëgjojnë njëri-tjetrin. Si rrjedhojë e kësaj teorie mund të themi që fëmijët, gjatë moshës parashkollore do të kenë mundësi të mësojnë e përgatiten për klasë të parë duke qenë pjesë e një ambienti me fëmijë dhe të rritur të tjerë.
Gjithashtu dihet se në moshën e fëmijërisë rëndësi ka loja të cilën fëmija mëson shumë gjëra, duke përdorur gjuhën, zhvillimin e aftësive kognitive, të menduarit, zhvillimin e imagjinatës ku diskutojnë rolet, objektet të cilat i rrethon dhe iu japin kuptim gjërave dhe kjo ndikon pozitivisht në proceset psikike tek fëmijët për gjërat të ndryshme ku dhe përmirësojnë njëri tjetrin në aktivitete sociale, rekreative ku tek fëmijët kontribuon pozitivisht në ndërtimin e dijeve dhe në të nxënit. Fëmijët zhvillojnë po ashtu edhe aftësitë e tyre hap pas hapi si në aspektin kognitiv, (njohëse), emocional, social, fizik dhe sjelljes. Roli psikologjik i lojës qëndron në atë që fëmija ushtron perceptimin, vëzhgimin e tij, zhvillon fantazinë, mendimin, memorien, emocionin etj. Ku nëpërmjet lojës përjetojnë gëzimin, kënaqësinë, lumturinë etj.
/autori është psikolog/