(2LONLINE) – Lajmi lokal vlerësohet të jetë i një rëndësie tejet të madhe, andaj edhe mediet lokale përkatësisht regjionale me fokus lajmin lokal, janë domosdoshmëri dhe që luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimet pozitive në shoqëri.
Mediat lokale janë popullore, kanë fuqi dhe janë të rëndësishme për qytetarin, por edhe për institucione sepse ato e luajnë atë rolin ndërmjetësues duke qenë kujdestare e punës së institucioneve dhe servis i qytetarëve, i interesit të tyre.
Kështu është thënë ndër tjerash përgjatë një debati publik organizuar nga OSBE-ja Qendra Regjionale në Gjilan, në bashkëpunim me Portalin Informativ 2LONLINE e gazetën e përdyjavshme SHESHI, drejtuesit e të cilëve kanë bërë një prezantim të punës së tyre të deritanishme, e cila është vlerësuar lartë edhe nga të pranishmit, si diçka pozitive që i ka ndodh regjionit.
Muhamet Halili, themelues i Portalit 2lonline, portal i parë në Kosovës, që kishte në fokus lajmin lokal, ka thënë se duke e shfrytëzuar punën e tij që nga paslufta e deri në vitin 2010 në sferën e gazetarisë, e veçmas në fushën e gazetarisë elektronike, duke qenë gazetar i agjencisë së lajmeve Kosovapress, dhe duke e parë edhe nevojën dhe kërkesën e lexuesve për sa më shumë informacione që nuk ofronin shtypi dhe mediat audio-vizuele, ka ndërmarrë një hap të tillë për të themeluar një Portal Informativ Regjional.
Halili tha se jeta zhvillohej edhe jashtë kryeqendrës dhe se shumë ngjarje zhvilloheshin në nivelin lokal, por që mund të mos ishin interesante për nivel vendi, dhe të tërhiqnin vëmendjen e medieve qendrore, që nuk merreshin me to qoftë edhe për shkak hapësirës së kufizuar, por që në anën tjetër ishin interes i komunitetit lokal.
Pikërisht këto kërkesa të lexuesve për më shumë informacione të kësaj natyre, bënin që të mendohej për krijimin e një mundësie për të plotësuar këtë kërkesë të audiencës. Një medium me azhurim të përditshëm, ku në fokus do të ishte lajmi lokal ishte bërë më domosdoshmëri dhe kështu fillo edhe punën Portali informativ 2LONLINE, e cila bazën e kishte në Gjilan,por mbulonte regjionin duke përfshirë edhe komunat Kamenicë, Viti e Novobërdë.
Shumë shpejtë Portali 2lonline është bërë referencë për lexuesin e këtij Regjioni dhe se edhe sot po vazhdon në atë drejtim duke qenë adresë e informacionit, ku për çdo ditë, orë, minutë, merret informacioni i besueshëm dhe objektiv.
“Ne dëshmuan se me një qasje profesionale, korrekte dhe të drejtë ndaj opinionit dhe burimeve të informacionit, mund të sigurohet një besueshmëri e gjerë te publiku. Portali 2lonline, sot preferohet nga një numër i madh i qytetarëve. Pëlqyeshmëria është në rritje të vazhdueshme dhe kjo na obligon që të jemi edhe më të përkushtuar. Sepse, një medie pëlqehet nga publiku, vetëm nëse është e besueshme dhe nuk e ndërton emrin e saj mbi afera”, ka thënë Halili.
Ai tha se , portalet, në rastin konkret 2lonline, tejkalojnë nivelin lokal e regjional, bazuar në interesimin e atyre që e shfrytëzojnë si mundësi për informim. Një lidhje e fuqishme është krijuar me, Luginën e Preshevës dhe mërgatën shqiptare, kudo në botë, e cila mban komunikim të përhershëm me redaksinë e portalit.
“Por, në kushtet e Kosovës, ku ekonomia është e dërmuar dhe interesimi për marketing është i limituar, nuk është e lehtë mbijetesa as e portaleve, sado që në dukje të parë nuk kërkohen mjete të veçanta pune për funksionimin e tyre. Një nga këto probleme është resursi profesional, i cili nuk mund të joshet pa asgjë. Dashuria ndaj profesionit, siç thuhet, është një kalë që mund ta kalërosh përkohësisht”, thotë Halili.
Sipas tij, synimet për në të ardhmen të Portalit 2LONLINE, janë stabiliteti i vazhdueshëm, rritja e fuqisë financiare, ndërtim i një ekipi të mirë dhe ofrimi i produkteve të reja.
Se sa është e rëndësishme për komunitetin informacioni lokal e ka bërë të ditur nga përvoja e saj edhe me të përdyjavshëm SHESHI, drejtuesja e saj Diturie Hoxha. Ajo tha se mediumet qendrore pak hapësirë ju japin lajmeve lokale, përkatësisht problematikave të këtij niveli dhe si shembull mori edhe problemin me ujë të pijshëm, që ndonëse edhe Gjilani ballafaqohet me këtë problematikë, bile në mënyrë drastike, media qendrore, fokusin e kanë pasur kryesisht te problemet e kryeqendrës me ujë, sa që mund të krijohej përshtypja që edhe lexuesi i kësaj ane më shumë di për problemin e ujit të Prishtinës se sa të Gjilanit.
Andaj pikërisht mbulimi i problematikës me ujë, kur është në pyetje Gjilani është bërë fal medieve lokale, tha ajo.
Hoxha ka treguar më pas për iniciativën për të pas një gazetë periodike që do të fokusohej pikërisht te informacioni lokal dhe se tani këtë po e bënë Gazeta SHESHI qe del çdo dy javë dhe mbulon regjionin e Gjilanit, komunat Gjilan, Viti, Kamenicë e Novobërdë, me pretendimin që në një të ardhme të zgjerohet në krejt komunat e Lindjes.
Por, duke iu referuar asaj që Gazeta është e përdyjavshme, Hoxha tha se nuk e ndjekin lajmin shembull ashtu siç bënë Portali 2LONLINE, apo mediumet tjera, sepse kjo do të ishte e pamundur, andaj në Gazetën SHESHI, informacionit i qasen ndryshe, e analizojnë lajmin dhe e japin në version tjetër, më tepër version analitik.
Ndërsa, Drejtori i Zyrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, Ulrich Biffar duke iu referuar interesimit tejet të madh që pati për këtë takim publik ku flitej për rolin e gazetarisë rajonale tha se fuqia e medieve lokale është kyçe për informimin e komunitetit lokal.
Biffar tha se është tejet e rëndësishme avancimi i gazetarisë lokale si dhe prezantimi i profesionit të gazetarisë si profesion tërheqës për të rinjtë.
Edhe folësit tjerë në këtë takim u pajtuan se roli i medies lokale është tejet i rëndësishëm për komunitetin pasi qytetarët janë më afër informacionit, por edhe media është më afër tyre dhe se mundësia e bashkëveprimit është më e madhe.
Në këtë drejtim ata morën si shembull edhe Portalin 2lonline që për ta është një mundësi e mirë për të qenë në vazhdimësi të informuar, por edhe për të qenë të involvuar.
Përndryshe, takime të kësaj natyre u tha se janë të nevojshme të organizohen edhe në të ardhmen. Po ashtu, kjo formë e debatit po i nxit edhe të rinjtë të jenë më afër temave të tilla, të shprehin më shumë interesim për profesionin e gazetarisë dhe në njërën apo tjetrën mënyrë të jenë kontributdhënës të drejtpërdrejtë. /2lonline/