(2LONLINE) – Përfaqësues të Lëvizjes Vatra me seli në Gjilan, vazhdojnë të mbesin para qëndrimit të tyre se shqiptarët e Kosovës Lindore nuk duhet të dalin në zgjedhjet parlamentare në Serbi sepse asgjë e mirë nga to nuk do të kenë përveç se dikush do të ketë përfitime individuale e partiake.
Duke u ndërlidhur me ketë, ardhjen e liderit të Partisë për Veprim Demokratik (PVD), deputetit Riza Halimi, ditë më parë në Gjilan, e kanë vlerësuar kryekëput në kuadër të fushatës së tij zgjedhore, kur kemi parasysh një numër të madh të banorëve me prejardhje nga ajo anë, që jetojnë tani në Gjilan, e që kanë të drejtë vote.
Enver Haziri, sekretar organizativ në Lëvizjes Vatra, ka thënë për Portalin 2LONLINE, se kjo ardhje e Halimit mund të vlerësohet e dështuar sepse banorët e Malësisë së Bujanocit me të drejtë vote, nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Haziri tha se Riza Halimit do t’i shkojë huq vizita e tij në Gjilan, pasi për banorët e Malësisë së Bujanocit që jetojnë në këtë komunë, kutit e votimit do të sjellën kot nëpër vendvotime sepse ata votë nuk kanë për këto zgjedhje.
Haziri ka kërkuar nga kreu i PVD-së si deputet i deritanishëm t’i thotë së paku tri angazhime e tija konkrete për tri projekte madhore nga të cilat kanë përfituar qytetarët e Kosovës Lindore, që sipas Hazirit është rajon më i pazhvilluar në vend.
Ai tha se atij parlamenti, por edhe deputetëve shqiptar të atij parlamenti, siç është fjala edhe për deputetin Riza Halimi, nuk iu është parë hajri asnjëherë kur është në pyetje Kosova Lindore. Haziri ka thënë se kreu i PVD-së Riza Halimi nga këto zgjedhje e sheh veç interesin personal dhe të partisë së tij e jo interesin shoqëror.
“Sot në komunat e Kosovës Lindore, pothuajse në çdo fshat e rrugë ka forca speciale e xhandarmëri serbe duke e bërë që situata të jetë e ndjerë dhe jonormale andaj pushteti serb është i interesuar që me pjesëmarrje të shqiptarëve në zgjedhje të trumbetojë tek faktori ndërkombëtarë se gjendja në këtë pjesë është krejt normale”, thotë Haziri i Vatrës.
Përndryshe, në zgjedhjet lokale të asaj ane, Vatra, si shoqatë shquhej përherë për mobilizimin e qytetarëve për të shkuar e votuar, duke siguruar edhe transport të organizuar, por se kësaj here Haziri ka thënë se nuk do të ketë organizime të tilla sepse Vatra fton për mospjesëmarrje në këto zgjedhje që të mira janë veç për pushtetin serb e cila asnjëherë nuk e pati vëmendjen e duhur karshi Komunave Bujanoc , Medvegjë e Preshevë. /2lonline/