Rishikohen disa shabllone të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL)
Komisioni për Administrimin e Prokurorive, i udhëhequr nga kryetari Jetish Maloku, ka zhvilluar sot një takim pune me përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ekspertë të Këshillit të Evropës, në kuadër të Projektit KoSEJ III.
Në takim morën pjesë z. Mats Persson nga Zyra e BE-së, si dhe znj. Stephanie Lefeuvre – Menaxhere e Projektit të CEPEJ-it në kuadër të projektit KoSEJ III. Gjithashtu, prezent ishte edhe udhëheqësi i Departamentit për Teknologji të Informacionit në Sekretariatin e KPK-së, z. Nexhat Haziri.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi për vazhdimin e punës së bërë gjatë punëtorisë që u zhvillua më 10-11 qershor, kur u zhvilluan disa shabllone. Takimi kishte për qëllim të diskutonte hapat e ardhshëm, konkretisht zhvillimin e shablloneve në SMIL, testimin e tyre në njërën nga prokuroritë e vendit, si dhe monitorimin e përdorimit të tyre, nën mbikëqyrjen e kryeprokurorëve përkatës.
Me këtë rast u shqyrtuan disa prej shablloneve kyçe, përfshirë ato për shënimin zyrtar për hedhje të kallëzimit penal, pushimin e hetimit për tri departamentet, kërkesat për të dhëna plotësuese të kallëzimit penal, si dhe aktvendimin për fillimin e hetimeve.
Pjesëmarrësit theksuan se rishikimi i këtyre shablloneve është thelbësor për standardizimin e dokumenteve prokuroriale dhe lehtësimin e punës së përditshme të prokurorëve.
Në përmbyllje, u theksua se Grupi Punues do të intensifikojë punën për finalizimin e shablloneve në kuadër të sistemit SMIL. /2LONLINE/
