Rinia “proletare”
/2L ONLINE/ = Dokufest, Hardhfest, BeerFest apo shumëqka-fest. Promovuesit më të mirë të proletariatit vullnetarë modern. Kësisoj shumë festivale janë kthyer në profiterët më të mëdhenj financiar por edhe në shfrytëzuesit e rinisë të papunë, student, kinse kontribuues të këtyre ngjarjeve. Në njoftimet e këtye festivaleve në trend, që çdo gjë tjetër promovojnë përveq kulturës dhe iniciativës në të cilën zhvillohen e që defakto me tejet qëllime degraduese, duke i inkorporuar te rinia vlerat më të ulëta të llum-shoqërisë evropiane, e jo të elitës reale mbi të cilat është ndërtuar Perëndimi i zhvilluar, thuhet se përveç se që aktivistët e përzgjedhur do të punojnë pa të holla, me vetëkontribut, do të kenë mundësi të zhvillojnë lojëra të ndryshme për ta harruar lodhjen.
Të rinjtë pa një orientim të duhur, në gjendje sureale, të gjendur në konfuzitetin e synimeve të tyre, të ndjekur njëkohësisht nga gjendja shpirtërore e rënduar si pasojë e gjendjes ekonomike, “manipulohen” lehtazi dhe pa përtesë. Vërtet që këta janë manipulatorët më të mëdhenj të rinisë, ku i përdorin si argatë me bukë të vetë, vetëm e vetëm që gjepi i tyre i stërmbushur të shkojë në qështje të dorës së dytë të përdorur kundër kësaj shoqërie të shëndoshë, e që është pasuri kombëtare.
Është tejet e dhimbshme se si këta promovuesit e kulturës demokratike, e ngrisin në piedestal nderin e të qenit aktivistë i këtyre ngjarjeve. Të rikthejnë në retrospektivë duke ti kujtuar njoftimet e dalura nga byrot e Komitetit të Partisë, ku ftoheshin të nderoheshin të rinjtë në punët e korrje-shirjeve, të vjeshtës apo në ndihmesë të ndonjë kombinati, duke i ndjekur gjurmët e rrugës të kuqe të punës e të nderit. Por rinia e sotshme nuk kanë mbetur as pionerë e as petrita, por proletarë të vobektë, e që ngushëllimi i vetëm ka mbetur shkollimi apo largimi.
Mos të harojmë që festivale si BeerFest në Prishtinë, apo Dokufestinë Prizren kanë krijuar një autonomi të fortë brenda qytetit, duket qenë të pavarur në çfarëdo investimi të përkohshëm, prototipe të festës së “Karabashit”. Degradimi i trashëgimisë dhe vet kulturës me lale-lulet nëpër ura, duke ia ç’rrënjosur përkohësisht të gjitha vlerat kulturore dhe historike. Kësisoj jemi, për të qenë në qendër të vëmendjes për një javë, i shesim e nuk ndiejmë fare për vlerat kulture, nacionale, vetëm për hir të turizmit.
Këtu bëhet shfrytëzim i dyfishtë i rinisë. Përveç asaj që cekëm më lartë e që ka të bëjë me shfrytëzimin fizik, duke i përdorur si hamallë nga rrogëtarë të mëdhenj, por që janë dorështrënguar, është edhe shfrytëzimi tjetër. Është ai shfrytëzimi moral, shpirtëror e etik, duke ia zhveshur të gjitha virtytet dhe vlerat më të larta mbi të cilat është ndërtuar kjo shoqëri e shtypur, e që lira e “robëroi” për të dytën herë. Në mesnatë e deri në orët e mëngjesit, shfrytëzohen këta të rinj me dehje, e për të mos u kthjellur dy ditë, me mbeturina të hedhura përgjatë parqeve, e pse jo edhe deri tek promovimi i lëndëve narkotike, si element që ngrit ekstazinë në kulm, e që ua kall cipat e trurit. Të gjitha këto fshihen, e vetëm zbukurimet dalin në shesh, se si shoqëria në vend është në gjendje të kënaqshme ekonomike e kulturore, sepse kafenetë përball lumit janë të stërmbushura me klient e ku kafeja kushton vetëm 50 cent. Po ç’fajë ka Televizioni Publik si RTK, që është i stacionuar te Hotel Theranda, e që objektivi i kamerave të saj nuk kap më larg se Sheshi i Dëshmorëve, apo deri tek Shadërvani. Ku janë shoqëria civile që thirren kundër degradimit kulturor. Nuk kanë nevojë vetëm monumentet për mbrojtje nga degradimi, por edhe vetë rinia ka nevojë për këtë mbrojtje. Si munden disa të rinj 16 vjeçar të jenë frekuentues të “Nejave të mbyllura”, të “Kampingjeve”, apo ndoshta edhe të Stripeve në natës, me menynë kryesore dehje deri në mëngjes. Po të dalësh përgjatë lokaleve me muzikë të ç’thurur apo siq njihen me emrin amerikanata, me volum shurdhues, e që ligji për rregullimin e zërimit nuk vlen për këta, siç vlenë për objektet fetare, sheh të rinj të dehur nga alkooli e përzier kjo me ndjenjën e “sallamadi-sistem” që krijohet nga disa bashkatdhetarë kur vijnë këtu, le shumë për të dëshiruara.
A kësilloj lirie vallë kemi dashur? Kjo s’është liri por është ç’thurje. Në ardhtë kështu Demokracia, ma mirë mos ardhtë fare. 8 ditë liri, e pastaj 1 vjet punë për shoqërinë civile që të thithin fonde nga vendet e huaja, për kinse sensibilizimin e rinisë dhe trajtimin e tyre. Quditem se si vetë promovuesit mund të jenë edhe mekanizëm parandalues!
Shfrytëzimit të paskrupullt të rinisë në çfarëdo forme duhet ti vijë fundi dhe këtu duhet të ndërhyjë dora e shtetit. Ky vend është ndërtuar mbi normat më fundamentale të një familje dhe shoqërie të shëndoshë e s’duhet assesi të lejojmë në zhdukjen e këtyre vlerave humane. Derisa në një vend, një pjesë e shoqërisë nuk e dinë se çfarë ditë është dhe çdo ditë për ta është ditë vikendi, dihet se në çfarë derexhe kemi ardhë. Duke mos e lënë shoqërinë rahat, e duke ta gërditur qendrën e qytetit sa për ti bërë bojkot në atë periudhë, le për të kuptuar se kjo pjesë është e uzurpuar me një autonomi të plotë disaditore dhe me tipare anarkiste që e shpien vendin në katrahurë identitare.
P.S: “Këtij shkrimi jam munduar ti jap qasje auto-kritike për veten fillimisht, por edhe për çdo lexues që gjendet përball këtij opinioni e kësaj gjendje të pamohueshme..”
Albrim S.Badallaj
Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës për Veprim dhe Progres “Vepro”
