Rinia e Gjilanit po ikin në Gjermani, pasi kompanitë i keqpërdorën të rinjtë tani e 20 vjet. Në bisedat e rëndomta në qytetin e Gjilanit, tema kryesore është gjithnjë prezentë -termini i ambasadave të huaja. Është shqetësues ky fakti se me dhjetëra të rinj që njoh unë janë duke pritur termine oferta nga kontratat e punës nga kompanitë gjermane.
Shkruan: Kushtrim Kadriu
Kjo është e tmerrshme. Kujtoj kohën e represalieve, kujtoj kohën kur në familjen time e në shumë familje të tjera qëndruan e duruan dhunën dhe nuk lëshuan vendin.
Kujtoj babanë tim i cili nuk na dërgoi ne familjen tonë në Zvicër edhe pse kishim të njohur statusin e azilit politik. E vendosëm të përballeshim me makinerinë vrasëse të Serbisë, vetëm për të mos e lënë vendin tonë.
Rinia, banorët në përgjithësi, gjatë viteve të ‘90 -a nuk u trembën as nga tanket e Serbisë, e tani po ikin pasi nuk ka perspektivë, po ikin nga mungesa e të ardhmes, po ikin nga dëmi që iu bë këtij vendi nga skena jonë e mjerë politike.
Kjo gjendje ndodhë nga presioni i madh që iu bë rinisë në kompanitë private e në organet e shtetit, duke i maltretuar për vite të tëra e duke mos i paguar si duhej për punën e bërë, e duke iu hyrë në hak. Tani si duket Perëndia po ua kthen prapa këtyre “gazdallarëve” e pushtetarëve.
Të rinjtë ikin në perëndim, e këta abuzuesit le të rrinë në kompanitë e institucionet e tyre të përvetësuara, vetëm fillikat, si qyqe në rrem!